«Leksione nga Tirana»: Si të shkruani për Serbinë

Mbi pjesën e dytë të konferencës së Tanjugut dhe ATSH-së për raportet shqiptaro-serbe, që u mbajt sot në Tiranë.




Pas takimit në Beograd para disa muajsh sot në Tiranë janë bërë bashkë disa serbë e shqiptarë dhe ndonjë ndërkombëtar për të diskutuar për raportet mes shqiptarëve dhe serbëve, për të ardhmen, bashkëpunimin e kështu me radhë. Parimisht nuk ka asgjë të keqe nëse takohen shqiptarë të Shqipërisë dhe serbë të Serbisë për të diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve e dy popujve.

Një pjesë e përditshmërisë duket kështu: kompania ajrore serbe fiton para të mira me linjën ajrore Beograd-Tiranë, mbi 50 mijë shtetas të Serbisë kanë pushuar sivjet në plazhet e Shqipërisë, tash një kompani serbe ka dorëzuar ofertën për të blerë një kompani shqiptare të telekomunikacionit, ka biznesmenë serbë që po blejnë patundshmëri në bregdetin shqiptar, ndërsa qindra gra nga Shkodra e rrethina e kanë gjetur fatin sidomos në Serbinë jugore, e cila po shpopullohet.

Megjithatë, ka diçka që nuk shkon në këto konferenca të Tanjugut dhe të ATSH-së. Pala serbe po përpiqet që duke e zhvilluar dialogun me Tiranën për të ardhmen e dy popujve të shmang ballafaqimin me krimet serbe në Kosovë dhe në këtë mësymje të Beogradit pjesëmarrësve shqiptarë nga Tirana u është caktuar roli i «idiotëve të dobishëm».

Se si e luajnë këtë rol protagonistët shqiptarë në ketë shfaqje, u pa në fjalimin e drejtoreshës së Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH). Ajo tha se mediat shqiptare nuk bën të shkruajnë se Serbia është faktor jostabiliteti në rajon. Kjo, sipas saj, nuk kontribuon në përmirësimin e raporteve mes dy popujve. Urdhri është urdhër, gazetarët shqiptarë duhet ta marrin seriozisht këtë porosi. Por, a bën gazetarët shqiptarë të shkruajnë se Serbia ka vrarë mbi 10 mijë shqiptarë në Kosovë, ka rrënuar mbi 120 mijë shtëpi, ka shkatërruar ekonominë, ka dëbuar gjatë viteve ’90 mbi gjysmë milioni shqiptarë nga Kosova në Perëndim, ka helmuar nxënës, ka plaçkitur mijëra qytetarë të Kosovës, ka mbyllur shkolla të të gjitha niveleve, ka shkatërruar objekte të kultit dhe të kulturës. A bën të shkruhet për këto? A bën gazetarët shqiptarë të shkruajnë për një njeri që lufton për drejtësi pasi forcat serbe ia kanë vrarë nënën dhe katër motra? Po kujt i intereson kjo në Tiranë, përveç atyre që vërtet e njohin historinë e Kosovës dhe nuk e shohin Shqipërinë si një vend që mjaftohet me «raportet e mira» me Serbinë.

Për palën serbe konferencat me ATSH-në janë të mirëseardhura. Asnjëri nga pjesëmarrësit shqiptarë nga Tirana në këto konferenca nuk është në gjendje apo nuk ka vullnet të ballafaqohet ashpër me propagandën serbe dhe t’i ballafaqojë propagandistët nga Beogradi me krimet që ka kryer shteti i tyre sidomos në vitet ’90. Kështu, drejtoresha e Tanjugut në Tiranë mund të thotë se fatet e serbëve dhe shqiptarëve janë të ndërthurura, andaj me rëndësi është që të shikohet nga e ardhmja. Çfarë domethënë kjo? Domethënë: gjatë historisë po aq sa kanë bërë krime serbët mbi shqiptarët, ka ndodhur edhe e kundërta, sepse «fatet janë të ndërthurura», apo jo?

Në konferencën e sotme në Tiranë një diplomat i Kosovës ishte i vetmi që i lejoi vetes një vërejtje kritike: ai përkujtoi se presidenti serb e quajti Sllobodan Millosheviqin udhëheqës të madh. Drejtoresha e Tanjugut u kundërpërgjigj si zyrtare e lartë për propagandë: «Presidenti Aleksandar Vuçiq theksoi se Millosheviqi ka qenë lider i madh në kohën e tij, por ka ndjekur politikë të gabueshme dhe të keqe si dhe kishte rezultate përkatëse. Pra, nëse angazhoheni për të vërtetën, duhet edhe vetë t’i përmbaheni fakteve dhe të vërtetës së plotë, në mënyrë që mesazhi të jetë i qartë». E vërteta e vetme është se Vuçiq e quajti lider të madh fajtorin kryesor për shkatërrimin e Kosovës.

Në konferencën e Tiranës kishte pjesëmarrës nga Serbia që hapur thanë se arsyeja kryesore e marrëdhënieve të këqija mes Serbisë dhe Shqipërisë nuk është Kosova, por dallimet ideologjike që nga koha e konfliktit mes Enver Hoxhës dhe Titos. Konflikti mes Hoxhës dhe Titos ka përfunduar në arkivat e historisë, ndërsa plaga e Kosovës është e hapur prej se ajo u pushtua nga Serbia në vitin 1912. Por, për ta thënë këtë të vërtetë s’kishte njerëz në konferencën e Tiranës. Dominoi ai entuziazmi naiv i jo pak mondialistëve të Tiranës për Beogradin, këtë qytet të madh, për Skadarlinë, kafehanet me raki të mirë dhe muzikë edhe më të mirë të Shumadisë. Në këtë atmosferë festive ishte disi e pritshme që edhe të jepen urdhra se çka duhet dhe çka nuk duhet të shkruajnë gazetarët shqiptarë për Serbinë, një vend që prej vitesh po punon për shkatërrimin e katër shteteve ballkanike: Bosnjës, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Por, protagonistët shqiptarë të konferencës së sotme në Tiranë nuk duhet të bëhen edhe aq merak. Po aq bizare është situata në Kosovë, ku presidenti angazhohet për korrigjim të kufijve, kryeministri në takime me ndërkombëtarë belbëzon diçka për «falje të serbëve», ndërsa – me nder me thanë – ministri i jashtëm thotë se mes Kosovës e Serbisë nuk duhet të ketë fare kufi.