Legjendë

Jorge Luis Borges.



Abeli dhe Kaini u takuan pas vdekjes së Abelit. Ata po shtegtonin nëpër shkretëtirë dhe e njohën njëri-tjetrin nga larg, sepse të dy ishin trupgjatë. Dy vëllezërit u ulën në tokë, ndezën zjarrin dhe hëngrën bukë. Ata heshtën siç heshtin njerëzit e lodhur kur dita merr fund. Në qiell bënte dritë një yll, i cili ende s’kishte emër. Kur nën dritën e flakëve Kaini pa në ballin e Abelit shenjën e gurit, atij i ra buka në tokë, të cilën po e shtinte në gojë dhe iu lut atij t’ia falte krimin.
Abeli u përgjigj:
– Të kam vrarë unë apo më ke vrarë ti? S’më kujtohet; këtu jemi bashkë si dikur.
– Tash e kam të qartë se me të vërtetë më ke falur, tha Kaini, sepse kush harron, ai falë. Edhe unë do të përpiqem të harroj.
Abeli mendueshëm tha:
– Ashtu është. Për aq kohë sa të vret ndërgjegjja, aq zgjat edhe faji.

Përktheu:
Enver Robelli