Legjenda e Drenicës

Foto: Shutterstock



Uluron murrani i çmendun,
fshân si bishë me zhgjetën n’bri.
Davaritet mjegulla e dendun
mbi katundin shkrumb e hi.

E mbi buzën e nji rrmoje
duket tash një kullë mënjanë.
Nji djalosh përmbas dritorje
rrin mendueshëm e nuk bzân.

Asht për rrugë e n’armë shtërngue:
bomba dore me gjerdanë.
“Loke, s’mundem me mungue:
Lamtumirë kam ardhë me t’thanë.”

Qân e ama e duert i mbeten
tu’i përdredhë n’idhnim e fshân:
“Dy qi pata shkuen e mbeten…
Bir o bir, ku do me m’lanë?

Mbushë si ke ti pesëmbëdhetat,
kush at gjâ s’ta ven ty barrë…”
“Nanë, do t’shkoj me u’bâ me çetat,
gjakun vlleznëve me u marrë!”

“Kanë me t’vrâ: si tú vëllezën,
si tët at, i pushkatue!
Kû na len, ah, mue fatzezën,
tande motër fatshkretue?”

“Lene, nanë! Ma keq me u mbyllë:
ktu me e gjetë si berr e presin.
Shqé veç janë, me hyll pa hyll.
Qymen kanë ndërrue, jo vesin!

Lene t’shkojë, e mbarë ju dhashtë.
Ktheftë me nder. Por n’qoftë, o vllá…
(Perendija mos e thashtë!)
gjakun vetë kam me ta lá!”

Fishkullon murrani rrmores,
me frullizë tue uturi,
hyn ndër hekrat e dritores
nalt te kulla shkrumb e hî.