LDK: Përpjekja e VV-së për t’i marr lokacionin LDK-së, perversitet i një udhëheqjeje

Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se reagimet e udhëheqjes së Prishtinës lidhur me mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, të cilën ky grup e cilëson «të jashtëligjshme», janë përpjekje për të mbuluar dështimet politike të njëpasnjëshme të dy viteve të kaluara, të stërmbushura me «kauza».




«VV dhe udhëheqja dështuese e saj tani e sa kohë, e mbetur pa «kauza» të reja, po bën përpjekje me çdo kusht që të hapë debat dhe «front ri», kësaj radhe me diçka që kalon kufijtë e Republikës së Kosovës. Kërkesa e udhëheqjes së Komunës që me vendim të Kuvendit të Prishtinës, sot të merret lokacioni për ndërtimin e objektit të selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, të caktuar vite më parë dhe e pajisur me leje ndërtimi, është kërkesa më perverse dhe e shëmtuar e një udhëheqjeje», thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK thotë se fatkeqësisht, konceptimi i këtillë qeverisës nga VV dhe udhëheqja e Prishtinës që me politika përçarëse të arrijë të implikojë Ambasada e Ambasadorë, tregon për gjendjen kaotike, për shmangien nga të gjitha kriteret dhe parimet e sjelljes ndaj rivalëve politikë, kundër bashkëpunimit dhe kundër etikës politike e njerëzore.

«LDK në Prishtinë konsideron se turpi i Shpend Ahmetit nuk do t’i bjerë askujt, pos atyre që ndjellin përçarje, përjashtime dhe bëhen argatë të politikave dështuese», përfundon reagimi i LDK-së së Prishtinës.