LDK-PDK në Pejë u dhanë fund mosmarrëveshjeve me miratimin e buxhetit

KK i Pajës ka miratuar në seancën e dytë të jashtëzakonshme, të martën, rishikimin e buxhetit për këtë vit.




Me këtë miratim është dhënë drita e gjelbër për ndryshimin e destinimit të më shumë se 400 mijë eurove nga projekti për ndërtimin e mureve të Lumëbardhit, të cilat të dara në dy shuma kanë kaluar në kodin e programit të Zyrës së kryetarit për projekte me participim me komunitete, donatorë dhe ministri, si dhe në kodin e Drejtorisë së Financave, gjithashtu për programin e projektit për participim me donatorë dhe ministri, shkruan sot «Koha Ditore».

Kurse lëvizje të mjeteve ka ndodhur edhe nga kodi i çështjeve sociale dhe nga Zyra e barazisë gjinore, prej të cilave gjithsej janë bartur 13 mijë e 800 euro në kodin e kryetarit për ndërtimin e disa shtëpive me participim.

Për dallim nga seanca e parë e jashtëzakonshme, këshilltarët e PDK-së, me urdhër nga lart, nuk e kanë kundërshtuar këtë herë lëvizjen e këtyre mjeteve. Kundër kanë qenë këshilltarët e subjekteve opozitare AAK dhe LVV.

Me votat e tyre pro, këshilltarët e PDK-së i kanë dhënë fund «armiqësisë» dhjetëditore me partnerin e tyre në pushtetin e Pejës, LDK-së. Në seancën e parë të jashtëzakonshme të mbajtur më 20 maj për rishikim të buxhetit, këshilltarët e PDK-së votuan kundër. Për këtë «mosdëgjim» të këshilltarëve të PDK-së, kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, pas asaj seance në shenjë hakmarrjeje pati shkarkuar nga detyra dy drejtorë komunalë të PDK-së.

Gjatë ditëve në vijim të dyja palët mbajtën «huj» mes vete, por në fund Muhaxheri u tërhoq nga «këmbëngulësia» e tij që të mos i kthente prapa dy drejtorët e shkarkuar, të cilët këtë javë sërish janë kthyer në zyra të veta. Për këtë kthim edhe këshilltarët e PDK-së u dorëzuan dhe në fund votuan lëvizjen e mjeteve, ashtu siç kërkoi prej tyre kryetari Muhaxheri.

Pajtimi për vazhdimin e koalicionit është parë edhe pas seancës në një kafene kapur me objektin e Komunës, ku kryetari i Komunës, kryesuesi i KK-së dhe këshilltarë, drejtorë e disa njerëz të tjerë të PDK-së, si dhe disa këshilltarë e drejtorë të LDK-së, festuan me nga një makiato, sikur të mos kishte ndodhur gjë gjatë dhjetë ditëve të kaluara.