LDK nuk meriton mëshirë nëse nuk reformohet

Sërish Lidhja Demokratike e Kosovës po trajtohet si leckë nga partneri i koalicionit. Kjo s’është befasi. Në interes të Kosovës është që LDK ta shkëpusë përgjithmonë aleancën me PDK-në. Këtë mund ta bëjë një gjeneratë e re e politikanëve – jo kjo strukturë udhëheqëse.

Ilustrimi: Shutterstock



Në historinë më të re të Kosovës vështirë të ketë pasur moment më të përshtatshëm për ta tallur LDK-në. Natyrisht për ata që duan ta tallin, ta shpotisin pandërprerë. Para syve të opinionit kjo parti po hidhet si leckë në shportën e bërllokut nga partneri i koalicionit, PDK, dhe çdokush mund të thotë: një gjë e tillë ka qenë e pritshme, herët apo vonë, budalla ai që habitet. Edhe më keq: PDK po e poshtëron LDK-në publikisht. As kjo nuk është befasi. Partia e Zanzibarit këtë shkathtësi ka. Përdorimin e partnerëve – në këtë rast LDK-së – për të realizuar qëllimet parapolitike. Në atë çast që hapet mundësia për të gjetur partnerë të tjerë, partneri aktual dëbohet nga autobusi.

Por vajtimet e prijësve të LDK-së, rrëketë e lumenjve me lot, që po rrjedhin qe disa ditë përballë gjoja tradhtisë së PDK-së, janë të pasinqerta. LDK nuk mund të sillet sikur është prerë në besë, sikur u dhunua sërish mizorisht dhe papritur. Kjo s’është e vërtetë. Nëse partneri (PDK) të (për)dhunon më shumë se njëherë (siç ka bërë PDK me LDK-në), atëherë s’mund të shitesh viktimë, më shumë i ngjan një prostitute nëse shpesh kthehesh në shtratin e dhunuesit.

Nuk je i sinqertë nëse e krahason regjimin e Hashim Thaçit me kohën e Aleksandër Rankoviqit dhe pastaj qeverisë me Thaçin. Nuk je aspak i sinqertë nëse për vrasjet e disa udhëheqësve të LDK-së e drejton gishtin nga PDK dhe shërbimi i saj sekret parapolitik, por pastaj e shtrin qafën, pranon buqeta me lule dhe futesh në valle pikërisht me ata që i konsideron vrasës ose nxitës të vrasjeve. Nuk je i sinqertë nëse verbërisht, me vite të tëra, nuk bën asgjë në parlament përveç se dhënien e pëlqimit për «rezultatet» e bisedimeve në Bruksel, ndërsa kur të vjen puna e zbatimit të marrëveshjeve zbythesh, tërhiqesh «me bisht nën shalë», siç do të thoshte Thaçi, partneri i dashur i Isa Mustafës.

Njerëzit nuk janë të verbër. Ata shohin. Shohin politikanë si puna e Lutfi Hazirit, i cili në përkushtimin e tij për t’i shërbyer Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit shfaqet në televizion dhe thotë: «Nuk merrem me hajna pulash si Albin Kurti». Vërtet Albin Kurti nuk duhet të kursehet nga kritikat, si çdo politikan edhe ai ka të meta, por «hajn pulash»? Njerëzit nuk janë të verbër: ata shohin se në emër të partisë së Fehmi Aganit sot flasin figura aq periferike si Bajram Gecaj. Njerëzit shohin kartelin e ndërtuar me vite brenda komunës së Prishtinës nga Sami Hamiti dhe klani i tij. Ky seleksionim shumëvjeçar negativ i kuadrove, i filluar që në kohën e Ibrahim Rugovës, i vazhduar nga Fatmir Sejdiu dhe përforcuar nga Isa Mustafa, një ditë prek fundin. Fundin e pusit. Tash LDK është në fund të pusit dhe shpotia është e garantuar.

LDK nuk meriton mëshirë, kjo është e qartë. Kësaj radhe, nëse së shpejti mbahen zgjedhjet, LDK nuk do ta gëzojë privilegjin e «shansit të dytë»: gabuan njëherë, t’ua japim edhe një shans. Kjo s’funksionon më, sepse LDK nuk ka gabuar njëherë, por disa herë. Nëse LDK nuk meriton mëshirë, atëherë ndoshta një këshillë për anëtarësinë. Nëse vërtet dëshironi ta shpëtoni partinë dhe të evitoni skenarin që në kongresin e ardhshëm biografinë e kandidatit t’ua lexojë Kadri Veseli, atëherë duke respektuar historinë, meritat dhe vlerat e LDK-së duhet të ketë një kryengritje demokratike për reformimin e partisë. Si bëhet kjo? Së pari me një shkëputje radikale nga trashëgimia e keqe e seleksionimit negativ të kuadrove. Së dyti duke e futur në program qëndrimin se për aq kohë sa PDK është parti e dyshuar për lidhje me krimin e organizuar dhe aferat gjigante korruptive, LDK nuk do të bëjë koalicion me të. (PDK ndoshta do të gjejë partnerë të rinj, për shembull Ramush Haradinajn, por aleanca të tilla brenda llojit nuk kanë perspektivë në Kosovë). Së treti LDK mund të forcohet duke e hapur partinë për figura të reja, të tilla që nuk hyjnë në politikë për t’u pasuruar, për të ndarë tenderë dhe për të plaçkitur arkën e shtetit, siç bëjnë jo pak prej djemve e vajzave pseudourbanë që janë futur në PDK. Fundja, për LDK-në është më e shëndetshme të shkojë në opozitë, të konsolidohet dhe rigjenerohet se sa të shërbejë si patericë për kusarë politikë.

Përkundër të gjitha kritikave të drejta që mund t’i bëhen LDK-së, një gjë nuk duhet harruar: pas vitit 1999 ajo e ka shpëtuar Kosovën nga lufta civile. Kjo është meritë historike. Dhe për këtë LDK e ka paguar çmimin me gjak – me dhjetëra aktivistë të të gjitha niveleve të vrarë pabesisht, në prita e atentate. Një meritë tjetër mbetet përcaktimi i qartë properëndimor i deklamuar nga Ibrahim Rugova në fillim të viteve ’90. Mbi këtë trashëgimi shtetformuese, idealiste dhe kulturore do të duhej të ndërtonte ardhmërinë LDK. Për këtë duhet dhënë shans gjeneratave të reja.

Disa nga përfaqësuesit e kësaj gjenerate kanë shprehur ambicie për të udhëhequr, të tjerët mund të shprehin. Anëtarësia e LDK-së nuk duhet të lejojë që figura të respektuara politike si Vjosa Osmani të bien pre e mërive të politikanëve hatërmbetur si puna e Isa Mustafës apo Fatmir Sejdiut. Fati i LDK-së është në duart e anëtarësisë. Dallimi qëndron këtu: PDK me vite ka ndjellë figura kinse të paharxhuara, i ka futur pak në politikë dhe i ka hedhur si lecka ose i mban aty si shërbëtorë për punë të pista, ndërsa në LDK, megjithatë, ka qenë e mundur që një profesoreshë e drejtësisë të jetë gruaja më e votuar në Kosovë dhe të ruajë pavarësinë e saj të mendimit dhe të veprimit. Vjosa Osmani është vetëm një nga këto figura. Pjesë e kësaj bërthame janë edhe dy ministra të LDK-së, të cilët në këtë mandat nuk janë përfolur për skandale dhe kanë kryer punë të vyeshme. Ata janë Avdullah Hoti dhe Arban Abrashi. Ka pastaj kryetarë komunash si Gazmend Muhaxheri që s’janë dorëzuar përballë strukturave të krimit të organizuar. Ka figura si Hatim Baxhaku që papritmas shfaqen në opinion me qëndrime dinjitoze dhe nuk pranojnë të japin votën për një kandidat të padenjë për president.

Ka parti që mund të quhen «pampers-parti», për përdorim sipas nevojës. Disa prej tyre dyshohet se i ka themeluar vetë PDK për ta dobësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës. Se a e pret edhe LDK-në një e ardhme si «pampers-parti» varet vetëm nga anëtarësia e saj. Nëse anëtarësisë i pëlqen kështu, askush s’mund ta shpëtojë nga kjo fole e lumturisë që e ka zgjedhur vetë. Kështu do të merrte fund edhe historia e një partie që më 23 dhjetor 1989 filloi një rrugëtim të gjatë për t’i dhënë zë idesë së pavarësisë. Atëherë ishin rreth 700 mijë anëtarë që i besonin vizionit politik të Rugovës, Aganit dhe të tjerëve rreth tyre. Sa do të jenë pas zgjedhjeve të ardhshme?