LDK-ja e Zvicrës fajëson Mustafën për gjendjen e krijuar në Kuvend

Nën drejtimin e kryetarit Shefqet Dibrani, Dega e LDK-së në Zvicër, mbajti mbledhje me përfaqësuesit e nëndegëve në të cilën u diskutua përkitazi me zhvillimet politike në Kosovë me theks të veçantë ato brenda LDK-së.




Kryesia e Degës së LDK-së dhe përfaqësuesit e nëndegëve shprehin shqetësimin e tyre për degradimin e demokracisë, transmeton Koha.net.

«Në këtë mbledhje edhe njëherë u vu në spikamë dhe u shpreh mospajtim me sjelljen teknokrate, selektive dhe antidemokreatike që po e bënë Kryesia e LDK-së në Kosovë, qoftë në raport me zhvillimet e brendshme partiake, apo edhe me ato të interesit kombëtar e shtetëror, ku degradimi i vlerës është bërë standard themelor e që manipulohet nga një grup i cili e ka kapur LDK-në, duke e bërë këtë parti levë për t’iu shërbyer politikave antikombëtare, tagrin e së cilës po e paguajnë dhe do ta paguajnë edhe më shtrenjtë qytetarët e Kosovës», thuhet në komunikatë.

Po ashtu nga kjo mbledhje i bëhet thirrje kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, Kryesisë së LDK-së, Këshillit Qendror të LDK-së dhe Kuvendit të LDK-së që parasëgjithash të merren me reformat dhe demokracinë e brendshme në LDK, por asgjë nuk duhet të vendoset për diasporën pa u konsultuar me Degët e LDK-së në diasporë, «sepse metodologjia e zhbërjes së Kuvendeve dhe Degëve i ka rrënjët në sistemin e kalbur komunist».

«Isa Mustafa nuk duhet që edhe në këtë kohë të shërbehet me metodat dhe platformat e dikurshme diskriminuese të atij sistemi, nuk duhet të zbatojë politikë selektive e diskriminuese mbi degët e LDK-së në diasporë sepse, pa miratimin e kuvendeve të degëve në diasporë, çdo vendim i marrë është abuziv, arbitrar dhe do të jetë i papranueshëm dhe jo valid. Këtë gjë duhet ta dinë të gjithë ato struktura politike që po e udhëheqin LDK-në të prir nga një koncept tashmë i vjetruar dhe i devalvuar», thuhet aty.

Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër dhe të pranishmit në këtë mbledhje, shprehin indinjatë dhe shqetësim të arsyeshëm ndaj zhvillimeve politike në Kuvendin e Kosovës si dhe ato në Universitetin e Prishtinës.

«Kësaj gjendje kaq të tensionuar e ka sjell politika jo parimore dhe anti demokratike e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, i cili, pos tjerash, po dëshmohet mirëfilli se është kryeministër kukull në kalkulimet e PDK-së, SHIK-ut dhe organizmave tjerë të nëntokës shkatërrimtare të demokracisë dhe shtetësisë së Kosovës. Gjuha vulgare dhe sjellja teknokrate e kryeministrit dhe pasusesve të tij, janë edhe një dëshmi e papërgjegjësisë e cila është bërë pjesë e veprimit politike duke favorizuar klane e interesa të ngushta të cilat do ti kushtojnë Kosovës dhe të ardhmes së saj», thuhet në njoftim.