LDK e quan të dështuar projektin e Komunës për kiflet, kërkon të ndërpritet

Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Prishtinë, përmes një letre publike drejtuar kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka konsideruar dhe konsideron se projekti «i shujtave» me kifle në shkolla fillore ishte i dështuar dhe si i tillë duhet të ndërpritet krejtësisht, ashtu siç është ndërprerë dhe nuk pati kifle në shtator 2015.




«Proklamimi i kryetarit të Komunës së Prishtinës se në ditët e ardhshme bashkë me kifle do të ketë edhe qumësht për nxënësit në shkolla fillore është i gabuar dhe edhe kjo pjesë e projektit për shujta do të dështojë plotësisht. Jemi dëshmitarë të mbetjes së kifleve në shkolla të një përqindjeje të madhe të tyre. Po ashtu jemi dëshmitarë të mbledhjes së kifleve nga të interesuar, ku çdo ditë e mbrëmje janë mbledhur kifle me thasë për t’i dërguar në periferi të Prishtinës. Jemi dëshmitarë të fëmijëve të cilët nuk dinë se ka pasur a nuk ka pasur kifle në shkollë pikërisht nga mosinteresimi i tyre për to. Pra projekti i shujtave me kifle kishte dështuar pikërisht për shkak të mënyrës dhe formës së organizimit, për shkak të imponimit që po u bëhej nxënësve për to, për shkak të përpjekjes sociale sipas konceptit «të barazisë», për shkak të një premtimi populist dhe keqpërdorues ndaj të varfërve. Për shkak të qeverisjes populiste të dështuar të udhëheqjes komunale», shkruan në letrën drejtuar kreut të Prishtinës.

Sipas LDK-së, përpjekja për vazhdimin dhe plotësimin e projektit të dështuar të shujtave me kilfle, si premtim elektoral tanimë të devijuar, me dërgimin e qumështit në shkolla fillore, do ta bëjë edhe më të ndjeshëm deri në qesharak premtimin e dikurshëm.
«Arsyet se pse në këtë formë nuk duhet realizuar shujta me qumësht në shkolla janë: e para, kiflet nuk po i hanë shumica e nxënësve, për shkak të njëtrajtësisë së tyre; e dyta, qumështi është ushqim i ndjeshëm, e pamundshme të përdoret kaq thjesht dhe të mos ketë ndikim te nxënësit; e treta, qumështi përmban yndyrë dhe nga pakujdesia do ta gjesh në klasë në bankë, të derdhur padashje, ku yndyra mbledh mikrobe; e katërta, krahasoni për cdo ditë në një klasë prej 40 nxënësish do të ketë nga 10 litra qumësht dhe klasa të shndërrohet në «qumështore»; e pesta, sikur të kishte lëngje në vend të qumshtit do të ishte zgjidhje parimore, por jo edhe praktike; e gjashta, nuk është zgjidhje shujta dhe realizimi i saj në këso forme, në banka shkollore. Zgjidhje janë kantinat shkollore për ushqim, në të cilat shërbehen nxënësit vetë, me përkujdesje të përgjegjësve arsimorë, sipas moshave të nxënësve», thuhet në letër.

Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës, për, siç ka thënë, shkakun e pasigurisë së madhe dhe mundësisë për helmim në shkolla, «kërkon nga kryetari i Prishtinës të tërhiqet nga kjo formë e organizimit të të ashtuquajturave «shujta» në shkolla, nga ky projekt i provuar me kifle e tani, siç është thënë, edhe me qumësht, të tërhiqeni nga të gjitha projektet e dështuara dhe t’u qaseni projekteve që dalin nga planifikimi buxhetor i Komunës, buxhet ky i aprovuar nga Kuvendi i kryeqytetit».