LDK dhe Vetëvendosje e lënë Thaçin në baltë

Dy partitë shqiptare, të cilat në parlamentin e Kosovës kanë rreth 60 deputetë, kanë kundërshtuar ashpër idetë e presidentit Hashim Thaçi për bisedime me Serbinë dhe për një ekip gjithëpërfshirës kosovar.

Foto: Shutterstock



Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dërguar sinjale lutëse nga Brukseli në adresë të partive kosovare. Ai ka thënë se partitë duhet të lënë inatet dhe të krijojnë institucionet. Vetë Thaçi, ndërkaq, para disa javësh, duke u pozicionuar në favor të partisë së tij (të dikurshme) PDK, deklaroi se nuk do t’ia jepte mandatin partive që kanë përdorur dhunën kundër institucioneve. Ky ishte një mesazh kundër Lëvizjes Vetëvendosje, e cila shpesh ka përdorur metoda jokonvencionale, madje edhe anarkiste për të kundërshtuar vendime të pushtetit, mes tyre bashkësinë e komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Edhe ata që nuk pajtohen me metodat e VV-së e kanë vështirë të injorojnë faktin se ishte vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës që pjesën më të madhe të marrëveshjes për bashkësinë e komunave serbe e shpalli antikushtetuese. Apeli i Thaçit drejtuar partive për të krijuar institucionet me gjasë nuk vlen për VV-në.

Presidenti i Kosovës po ashtu ka thënë se është e nevojshme të krijohet një ekip gjithëpërfshirës për të negociuar me Serbinë një marrëveshje, siç po thotë, historike. Kjo marrëveshje, sipas Thaçit, nuk do të shkojë vetëm në parlament, por do t’i prezantohet edhe popullit, i cili mund të vendosë në referendum. Në Kosovë nuk ka ligj për referendum, andaj ideja e Thaçit duket e pamenduar mirë.

Gjithnjë e më shumë po vërehet një përpjekje dëshpëruese e Thaçit për të qenë në krye të procesit të negociatave me Serbinë, por duket se këtë nuk janë të gatshme ta pranojnë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Madje LDK të enjten ka reaguar befasishëm ashpër, duke e akuzuar Thaçin se me nismën e tij të fundit për një fazë të re të bisedimeve me Serbinë po sillet kundër Kushtetutës së Kosovës. Sipas LDK-së Thaçi nuk është i autorizuar nga parlamenti të negociojë me Serbinë. LDK vlerëson se Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, i gjendur në një pozicion periferik sa i përket fuqisë politike, pa lejen e organeve ligjvënëse dhe kokë më vete, ka filluar bisedime të paautorizuara me Serbinë.

Në vijim të reagimit LDK ashpërson gjuhën, duke shtuar se «në funksion të qëllimeve të tij meskine dhe për të kthyer reflektorët politikë kah vetja, në kohën kur partia e tij po vazhdon të mbajë peng formimin e institucioneve edhe pse është në kuotat më të ulëta historike të fuqisë së saj politike, Thaçi ka hedhur idenë e krijimit të një kinse <Grupi Uniteti> për bisedimet me Serbinë. Kjo jo për t’i funksionalizuar këto bisedime, por për të vendosur veten në qendër të tyre dhe për t’u prezantuar para miqve ndërkombëtarë si i vetmi faktor uniteti në vend. Tashmë lojërave të tij u ka dalë ngjyra. Uniteti nuk ndërtohet duke zhvendosur fuqinë politike te institucionet pa tagër vendimmarrës e ekzekutues», thekson LDK. Kjo parti mendon se është qeveria e Republikës së Kosovës, e mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ajo e cila ndërton platformën, udhëheqë bisedimet eventuale dhe implementon marrëveshjet. «Çdo gjë tjetër dhe nga çdokush tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të dëmshme, jo legjitime dhe antikushtetuese».

Qartësisht refuzuese ndaj idesë së Thaçit për një ekip të unitetit ka qenë edhe Lëvizja Vetëvendosje. Shefi i saj Visar Ymeri ka theksuar të mërkurën se dialogu duhet ridefinuar nga e para. «Ai duhet të ndryshojë në premisa, dhe jo thjesht në përbërje. Ajo që ka ndodhur deri tash duhet të hetohet nga Kuvendi dhe të zbardhen të gjitha prapaskenat e këtij dialogu që na ka sjellë deri këtu (…). Bashkim për t’u rreshtuar para kërkesave të Vuçiqit?! Jo faleminderit! Bashkim për të diskutuar modalitetet e ndarjes së brendshme?! Jo faleminderit!» Shefi i VV ka theksuar se Thaçi as nuk e ka kredibilitetin e as përgatitjen politike e intelektuale për të qenë në krye të negociatave me Serbinë. (dp)