LDK: Deklarimi i Haradinajt ka për qëllim njollosjen e udhëheqësve legjitim të shtetit

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj lajmit në disa medie për kinse financimin me 100 mijë euro të «Listës Serbe».




«Shkrimet e sotme të shtypit të Prishtinës i referohen shtypit të verdhë serb, për gjoja financimin me 100 mijë euro të ‘Listës Serbe’ nga Ramush Haradinaj, janë rrenë e kulluar dhe e paguar. Haradinaj nuk ka financuar asnjë parti serbe kurrë», ka thënë ai.

«Ky lajm i rremë është gatuar nga klani Mustafa dhe partnerët e tij serbë dhe për qëllim ka njollosjen time, pikërisht tani kur ua kam zbuluar gënjeshtrat për punët e pista të tyre në dëm të Kosovës», thuhet më tutje në reagim. «Përfundimisht ka kaluar koha e propagandës së Rrahman Morinës dhe e dishepujve të tij që sot janë në grahmat e fundit», thuhet në fund të reagimit.

Por, ndaj kësaj deklarate të Haradinajt, ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës, e që sipas saj, një deklarim i tillë ka vetëm një qëllim, njollosjen e udhëheqësve legjitim të institucioneve të Republikës.

Sipas LDK-së, veprimet e fundit të kreut të AAK-së, janë pjesë e agjendës së tij për marrjen e pushtetit.