Lavdi dialektikës

Padrejtësia sot ec me hap të sigurt. Foto: Shutterstock.ch



Padrejtësia sot ec me hap të sigurt.

Shtypësit bëhen gati për dhjetëmijë vjet.

Dhuna përbetohet: kështu si është do të jetë edhe më tutje.

Asnjë zë nuk dëgjohet, përveç zërit të sunduesve

Në tregje bërtet shfrytëzimi: tek tani po ia filloj unë.

Shumë të shtypur tash thonë:

Çfarë duam ne nuk bëhet dot.

 

Kush është gjallë ende të mos thotë: kurrë!

E sigurta nuk është e sigurt.

Kështu si është nuk do të jetë.

Pasi kanë folur sundimtarët

Do të flasin të sunduarit.

Kush guxon të thotë: kurrë?

Prej kujt varet që shtypja vazhdon? Prej nesh.

Prej kujt varet që ajo shkatërrohet? Prej nesh.

Kush mposhtet – të çohet në këmbë!

Kush ka humbur – të luftojë!

Kush e ka kuptuar gjendjen e tij athua si mund të ndalet?

Sepse të mposhturit e sotëm janë ngadhënjimtarët e nesërm

Dhe kurrë shndërrohet në sot!

(Nga gjermanishtja: Enver Robelli)