Laura Mersini-Houghton: Mbi kurdisjen e dynjasë dhe teori të tjera të fizikës

Fizikania e famshme shqiptare Laura Mersini-Houghton shpjegon origjinën e universit në ETH, politeknikun e famshëm të Zürichut. Ligjërata u organizua nga dialogplus dhe shoqata e studentëve shqiptarë të Universitetit të Zürichut.

Shikuar nga prizmi i ngushtë ballkanik Shkolla e Lartë Teknike e Zürichut (ETH) shquhet për tre emra: Albert Einstein, nobelist i fizikës, i cili ishte i martuar me një grua nga Vojvodina, dhe kroatët Leopold Ruzhiçka dhe Vladimir Prelog, të cilët kanë fituar Nobelin në fushën e kimisë më 1939, përkatësisht 1975. Einstein, Ruzhiçka dhe Prelog kanë ligjëruar në ETH dhe në Universitetin e Zürichut në shekullin e ’20. Të premten në mbrëmje në ETH ligjëroi dr. Laura Mersini-Houghton, një fizikane shqiptare, e cila është profesoreshë në University of North Carolina at Chapel Hill (SHBA). E ftuar nga portali dialogplus dhe shoqata e studentëve shqiptarë të Universitetit të Zürichut, Laura Mersini-Houghton foli para rreth 150 studentëve dhe kureshtarëve.

Shkencëtarja u përpoq të shpjegojë zanafillën e botës ose, thënë më popullorçe, aktin e kurdisjes së dynjasë. Profesoresha është mbështetëse e hipotezës së multiversit, e cila mëton të tregojë se universi ynë është njëri nga shumë sish. Shumica e kosmologëve supozojnë se universi u krijua para afërisht 14 miliardë vitesh gjatë një shpërthimi të madh, që në anglisht njihet si «big bang» ose «Urknall» në gjermanisht. Por, sipas Mersinit, momenti i «big bangut» (pëlcitjes së madhe) nuk ka qenë ngjarje unike, por fillimi i një universi mes shumë të tjerëve – ngjashëm me tullumbacet që krijohen në vaskë. Me këtë hipotezë Mersini është bërë e njohur përtej qarqeve akademike. Në bazë të hulumtimeve të saj Laura Mersini beson se ndikimi i universit paralel është përgjegjës për një vrimë të madhe në gjithësi. Kjo vrimë gjigante, e quajtur Eridanus, është zbuluar më 2007, pasi Laura-Mersini që më 2006 kishte parashikuar ekzistimin e saj.

E lindur në Tiranë në një familje vlonjate Mersini herët filloi të interesohet për matematikën. Babai i saj ishte njëri prej matematikanëve më të njohur të Shqipërisë dhe kishte tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve perëndimorë qysh gjatë kohës së komunizmit. Karrierën ndërkombëtare të tij e pengoi regjimi komunist. Laura Mersini studioi fizikë në Universitetin e Tiranës, mori gradën shkencore të masterit në University of Maryland dhe në vitin 2000 doktoroi në University of Wisconsin-Milwaukee. Shkencëtarja shqiptare është bashkëbiseduese e kërkuar nga shumë media. Në vitin 2010 ajo ishte e ftuar e BBC-së për të shpjeguar teorinë e saj të universit.