Larisa

Hans Magnus Enzensberger.



1.
Në atë treg të madh për kuaj
Këngë gajde e gërnete
Çadra dhe tregtarë zilesh
Gra gabele pa numërim
Në hell ngeshëm pjekin dashin
Çuna ezmerë të palarë.

Nëpër tym prej zjarr qymyri
Atje ty të pashë.

2.
Diell i kuq i mbrëmjes vjen
Pasqyron mbi kusi bakri
Zënë cërrasin angjinaret
Peshqit krisin në fërgim
Ç’qejf të rrish mbi guraleca
Kur shelgjishtet fëshfërijnë.

Buzë lumit, mbi gurët e bardhë
Atje ty të kapa.

3.
Nat e ftohtë. Ata gërhasin
Fort në ëndrra kredhur tym
S’ka një strehë? Ah, hanxhinjtë
Rëndë mjekrat po i tundin
Ajo sytë lehtë mbyll:
Qiell i zi e fush’ ugar.

Atë kashtë të re vjeshte
Atje bashk’ e ndamë.

4.
Në mëngjes byk nëpër flokë
Përmbi kashtë na vjen etja
Zogj këlthasin si të marrë,
Lumi i gjerë rrjedh i zymtë
Si e quajnë? S’e di
Dhe as dua ta di fare.

Në pasqyrën e tij të ftohtë!
Atje të pashë të fundmen herë.

5.
Akull krejt u bë pasqyra
Kashtën tonë e vodhi era
Edhe prushi krejt u ftoh.
Gjatë bregut po ec prifti
Rreh me shkopin ata gurë
Që dje mbanin dashurinë.

Rreh e mban vesh si budallë
O, sa mirë që s’jam prift.