Lamtumirë BE, mirëdita NATO?

Zgjerimi europian është i bllokuar më shumë se kurrë, përderisa Mali i Zi po bëhet anëtar i ri i NATO-së. A mundet Aleanca veriatlantike ta zëvëndësojë projektin europian? Liderët e Ballkanit, këta autokratë të vegjël të korruptuar dhe mendjemëdhenj, arritën të zverdhur nga frika të hënën më 4 korrik në Pallatin e Elizesë.Të zverdhur nga frika, sepse prisnin realisht që t’u kumtohet fundi i procesit të zgjerimit... Por ja që jo! Ata dëgjuan ca «fjalë të bukura» boshe dhe të kota.

Foto: Shutterstock

Bashkimi Europian e mbanë Ballkanin siç e mbanë konopi të varurin. Këtë dëshiroja të shkruaja në fund të samitit të parëndësishëm të Parisit të hënën e kaluar, para se të kuptojë se do të ishte edhe më e saktë të thuhet se Ballkani është ai që po e mbanë BE-në (pra ashtu si e mbanë konopi të varurin).

Kush në fakt ka më shumë nevojë për tjetrin në këtë lojë të të mashtruarëve siç është bërë «procesi i integrimit»? Liderët e Ballkanit, këta autokratë të vegjël të korruptuar dhe mendjemëdhenj, arritën të zverdhur nga frika të hënën më 4 korrik në Pallatin e Elizesë. Të gjitha burimet e besueshme konfirmojnë frikën e tyre. Të zverdhur nga frika, sepse prisnin realisht që t’u kumtohet fundi i procesit të zgjerimit… Por ja që jo! «Fjalët e bukura» boshe dhe të kota të presidentit francez François Hollande-s, kancelares gjermane Angela Merkel-it, kryediplomates së BE-së Federica Mogherini-t dhe të tjerëve mjaftuan për t’ua hequr frikën: përkundër Brexit-it, zgjerimi mbetet në rend dite. Natyrisht se jo për ditën e nesërme, e as për pasnesër, as për muajin tjetër, por një ditë ai do të vjen… Këto fjalë të bukura janë sikur t’i jepet pak oksigjen dikujt që përmbytet para se t’i futet koka përsëri në ujë.

Elitat mediokre politike në Ballkan kanë nevojë për këtë vrullimë oksigjeni meqë programi i tyre i vetëm politik, faktori i vetëm i tyre i legjitimimit politik dhe moral mbështetet mbi këtë premtim integrimi (shoqëruar me premtime të pafunda për qeverisje të mirë, luftë kundër korrupsionit dhe zhvillim ekonomik). «Fjalët e bukura» u dhanë atyre këtë vrullimë oksigjeni shpëtimtar dhe ata shpresojnë – si kasta politikëbërëse compradore – ta ruajnë kokën mbi ujë, qoftë edhe duke i zhytur më shumë popujt e tyre. Por liderët europianë kanë edhe më shumë nevojë të shtiren, të bëjnë «sikurse» përkundër realitetit të krijuar nga Brexit, iluzioni i zgjerimit ka ende kuptim dhe realitet. The show must go on, e për këtë, bashkëpunimi i elitave politike ballkanike është i domosdoshme: vetëm ata mund të japin një lloj kredibiliteti për projektin europian, duke krijuar përshtypjen se ai mbetet i dëshiruar dhe realist, që sikur ekziston ende një dinamikë politike.

Më dinakët nga liderët ballkanik do të dinë të negociojnë, nga ky pozicion paradoksal fuqie që e zotërojnë, në të mirën e interesave të tyre: natyrisht se jo për të siguruar favore reale për shtetet e tyre, por për të mënjanuar çdo kritikë që do të mund të shpërfaqej mbi prirjet e tyre autoritare dhe afariste. Kumbara Gjukanoviq dhe dinaku Vuçiq e kanë kuptuar mirë, prandaj edhe u larguan me plotë besim nga Pallati i Elizesë.

Miku im Arsim Zekolli më rikujtonte në Shkup para një kohe se rënia e Perandorisë Romake ishte bërë evidente kur «barbarët»  pushtuan qendrën e Perandorisë: jo njëherësh me armë, por para së gjithash, kur prijësit e fiseve «aleate», ato që duheshin të ruanin limes-at, kufijtë e perandorisë, fituan peshë politike të mjaftueshme për t’i diktuar agjendat e tyre politike dhe për t’i imponuar perandorët që donin ata. Bashkimi Europian ka ende iluzionin se është i fortë dhe i fuqishëm, por në realitet, shefat e vockël të «fiseve aleate», të «federuarit» e limes-ave ballkanike kanë fituar tashmë një pushtet politik tejet të madh në Bruksel, në vetë zemrën e sistemit, njëkohësisht përmes rrjeteve të atyre që i detyrohen ngase i financojnë, në Parlamentin Europian, në Komisionin Europian, por sidomos sepse në situatën e ankthshme të vakuumit politik në të cilin gjindet Europa, ata janë bërë të pashmangshëm.

Gjatë paraqitjes së tij për media, pas takimit me kryeministrat e Ballkanit perëndimor, François Hollande ka precizuar sfidat e reja të «bashkëpunimit» midis BE-së dhe këtyre shteteve, me dy prioritete: luftën kundër terrorizmit dhe migrimet. Pasi e ka përsëritur refrenin e njohur mbi Europën dhe paqen, presidenti i Republikës ka folur me një ton të rëndë dhe të vendosur për këtë luftë kundër «migrimit» dhe për mbrojtjen e «kufijve tanë». Pra, Europa na qenka çështje e mbrojtjes, e sigurisë dhe e kufijve; por për këtë, për t’i mbrojtur kufinjt «tanë» të rrezikuar nga hordhitë e egra, a është BE-ja ajo e armatosura më së miri?  Sigurisht që jo. «Europa e mbrojtjes» është një temë e famshme argëtuese e cila e ndezte mbarimin e darkave në fundvitet 2000, por që askujt nuk do t’i shkonte në mend t’i përmend më. Pra, po mbetet vetëm NATO-ja. E kjo aleancë, Zoti mos e bëftë, mbetet në shëndetin e saj më të mirë dhe vazhdon zgjerimin e saj, pa hezitime dhe pa kokëçarje. Fundjavën që shkoi, gjatë Samitit të Varshavës, ajo konfirmoi përfundimisht anëtarësimin e Malit të Zi, duke i forcuar gjithashtu mekanizmat në Bullgari dhe në Rumani, e duke vazhduar lojërat e saja subtile të afrisë me Serbinë.

Përtej tallandive të kalendarit politik të përditshëm, le ta imagjinojmë Ballkanin pas pesë vitesh: asnjë shtet i ri nuk do jetë i anëtarësuar në BE, kjo është fakt; por NATO-ja do të mund ta përfshinte Serbinë, Kosovën, Maqedoninën, Bosnjë-Hercegovinën tërësisht ose pjesë-pjesë…

Duke konfirmuar kësisoji kapacitetin e saj të zgjerimit, NATO-ja imponohet si një aktor politik thelbësor, por natyrisht nuk propozon asgjë tjetër nga ajo që di të bëjë. Me Aleancën atlantike, s’bëhet fjalë për demokraci, liri të shprehjes dhe asnjë model tjetër shoqëror; por vetëm  për mbrojtje dhe siguri. Shqetësimi i Aleancës atlantike për funksionimin e shtetit të së drejtës në vendet kandidate ka të bëjë në realitet vetëm me funksionalitetin e shteteve që Aleanca dëshiron t’i integrojë – Turqia është kësisoj një shtet përsosmërisht funksional dhe që nga viti 1952, NATO nuk ka pasur asgjë për të thënë lidhur me gjendjen e lirive themelore në këtë shtet.

Iku pra «ëndrra europiane», i mbetet vendeve të Ballkanit vetëm besnikëria ushtarake për t’ia garantuar «sigurinë» karshi kërcënimeve të jashtme – siç janë refugjatët e mjerë, të përzënë nga luftërat ose mjerimi që do të vazhdojnë të kalojnë kufijtë e Ballkanit në mënyrë klandestine për t’iu afruar zemrës ende të pasur të Europës; apo si «ariu rus», shumë i fantazmuar, i cili realisht nuk ka treguar asnjëherë prirje grabitqare mbi rajonin dhe në fund kërcënimi i hidrës së pakapshme të «radikalizimit islamik». Të rritet kërcënimi i dyfishtë, ai i «carit» Putin dhe i «kalifit» të vetëshpallur Abu Bakr al-Bagdadi është e domosdoshme për ta justifikuar nevojën e një aleance ushtarake të mbrojtjes dhe të sulmit…

Por vallë a nuk është më e logjikshme kështu? Mos është besuar ndonjëherë se ballkanasit do të bëhen një ditë europianë «me të drejta të plota»? Ata më së shumti mund të pretendojnë statusin e ndihmësit të Perandorisë në dekadencë – ata që Roma i cilësonte si «popujt e federuar», të ngarkuar me mbrojtje të kufijve. E dimë, në rastin e Romës, si ka përfunduar historia, me shkatërrimin e Romës nga po këta «barbarë» në vitin 476, por historia, shyqyr, nuk shkruhet kurrë paraprakisht. Dhe nëse  «përsëritet», ajo bëhet njëhere në formën e një tragjedie, e pastaj në atë të farsës.

(Autori është historian dhe specialist për Ballkanin)