Lamizi në loletikë

Mbi qarkullimin politik të një oligarku kosovar. Një parodi.

Atëherë – edhe njëherë: Rroftë humori! Rroftë satira! Rroftë shakaja! Foto: Shutterstock

Rroftë humori! Rroftë satira! Rroftë shakaja! Sipas shkrimtarit gjerman Kurt Tucholsky «satiriku është një idealist i fyer: ai dëshiron ta shohë botën të mirë, por ajo është e keqe, andaj ai përplaset kundër të keqes». Ata që zemërohen me satirikun e kanë gabim, sepse e ngatërrojnë «atë që prezantohet me prezantuesin: nëse dua t’i tregoj pasojat e alkoolizimit, pra nëse e luftoj këtë ves, atëherë nuk mund ta bëj këtë me citate të përshpirtshme të Biblës, por më efektshëm do ta bëj përmes interpretimit goditës të një njeriu, i cili është i dehur pafundësisht».

Atëherë – edhe njëherë: Rroftë humori! Rroftë satira! Rroftë shakaja! Po jetojmë në një moment solemn. Lamizi sërish doli në lajme. Lamizi hyri në një parti, kësaj radhe në LDK. Lamizi hyri sërish në loletikë, pardon poletikë, pardon politikë. Me këtë hyrje – të satën me radhë? – Lamizi e loliti, e bëri lolo popullin e humbur në lamë. Lamizi së shpejti do ta organizojë Darkën e Lamës. Rreth sofrës do të bëjnë hyzmet lamat, sipas fjalorit të Arnaut Kokërrllarit: Kafshë e viseve të Amerikës së Jugut, afërsisht sa një dhi e madhe, që ka lesh të mirë dhe që shërben si kafshë ngarkese. Lamizi kështu do e bëjë lesh e li lolitikën në lamë.

Lamizi do të na sjellë lumturi. Sepse populli është leshko, sylesh, ia hedhin të gjithë. Lamizi merret vetëm me liliona. Rroga ime është një lilion, do të punësojë një lilion lolevarë, tha Lamizi. Më parë Lamizi ishte në AAK, pastaj në PDK, tash në LDK. Me Lamizin populli ladut dhe lafarak do të ushqehet vetëm me lashteta, limonadë dhe lafshë. Partitë e poshtra AAK dhe PDK s’e lanë Lamizin ta lumturojë popullin, tash Lamizi do të bëhet lyetar i LDK-së, lyejministër, loleministër, dhe Lamush Loledinajn dhe shefat e Plonto Paltisë do t’i zë lemza. Kjo është nëma e Lamizit. Mandati i ardhshëm i parlamentit: 120 deputetë duke lemzuar katër vjet. Meqë jemi bërë si Sodomi dhe Gomorra, atëherë as lemza s’na bën gjë. Lamizi do kujdeset për shëndetin tonë. Lamizi do të miratojë demalkacionin. Lamizi me lolitikë të mençur do të na sjellë napolitanka nga Lelbia. Lamizi është ledhatar i lopëve. Lamionët do të vijnë. Limonada do të vijë. Letrat do të vijnë. Legalisht. Legata do t’i miratojë, Lamizi do të na urojë, Lashimi me Lashisën dhe legenët do të vulosin këtë mynxyrë me myhyr.

Rroftë humori! Rroftë satira! Rroftë shakaja! Rroftë Lamizi. Rroftë edhe shofer Liloradi. Rroftë edhe shofer Lirosllavi. Rroftë edhe shofer Lushani, ah, pardon Dushani. Gëzuar me Lamizin. Gëzuar me (sh)lilovicë. Gëzuar mes lisave të Lamizit në Lugovë. Poshtë demarkacioni, rroftë demarkacioni. Poshtë pikat kufitare, rroftë tregtia e miqësia e përhershme mes Alaskës dhe Laraskës. Lamizi tashmë ka hyrë në legjendë. Për 24 muaj tri parti, tre shefa, në fakt një shef, fare të madh, shefin në Leligrad. Afër Leningradit. Legjionet e Lamizit nuk pyesin për legjislacion. Ato ecin lehtas leheve për lekë, linarë, eulo e dollarë në të mirë të Lepublikës së Lesovës. Kako je lepa ova Lepublika Losovo* i njen glasnogovornik Lismet Leqiri!