Lajmi për mbulimin e Skënderbeut në Tiranë – një spekulim!

Para përmendores së Skënderbeut është vendosur një ekran. Ky nuk është mbulim i figurës së heroit kombëtar shqiptar. Para se të bëhet edhe një hata humoristike – shikoni pamjet televizive.

Hoxha dhe Skënderbeu - sot në Tiranë. Foto: Ora News



Para se «mbrojtësit e civilizimit tonë të lashtë perëndimor» të veshin uniformat e të rrokin shpatat për t’u nisur drejt Tiranës për ta mbrojtur Skënderbeun, të cilin e paskan mbuluar shqiptarët e Shqipërisë («ata nuk janë patriotë, ne jemi patriotë»), pra para se të bëhet edhe një hata humoristike – shikoni pamjet, të cilat i gjeni në shumicën e televizioneve shqiptare. Po, para përmendores së Skënderbeut qenka vendosur një pankartë për projektim të fjalimeve. Një ekran të tillë e vendosin edhe partitë politike kur mbajnë mitingje në Sheshin e Skënderbeut. Por, nuk mund të bëhet fjalë për mbulim të monumentit të heroit kombëtar shqiptar. Së paku jo siç po trumbetohet në media sociale, me gjasë edhe me një fotografi joaktuale.

Kjo fotografi e botuar sot nga disa media në Tiranë e Prishtinë, ku shihet përmendorja e Skënderbeut e rrethuar në të katër anët me një pelerinë, duket se nuk është aktuale, së paku nuk është deklaruar si fotografi aktuale, por është botuar pa legjendë. Në imazhet televizive, për shembull të televizionit Ora News (http://www.oranews.tv/vendi/kurban-bajrami-qindra-besimtare-falen-namazin-ne-sheshin-skenderbej/), shihet qartë përmendorja e Skënderbeut në sfond të kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar Skënder Bruçaj.

Tërë zhurma rreth «mbulimit të Skënderbeut» po duket një stuhi në gotë dhe me qëllim të lojës me emocione, të cilat mund të nxisin edhe urrejtje ndaj një komuniteti fetar. Është e vërtetë se islami e ndalon faljen para figurave të gjalla, përmendoreve, imazheve etj. Ikonoklazmi (armiqësia ndaj imazheve dhe shkatërrimi i tyre) ka qenë fenomen i njohur edhe në kulturën e krishterë, sidomos në Kishën Bizantine të shekullit të ‘8 dhe të ‘9. Diçka e tillë, nga prizmi islamik, sot nuk ka ndodhur në Tiranë, andaj mbyllja e temës së shpifur për mbulimin e Skënderbeut do të ishte në të mirën e paqes shoqërore, sidomos në një ditë si kjo, kur mund të lëndohen ndjenjat fetare të njerëzve që janë shqiptarë të mirë dhe besimtarë të mirë. Ekstremizmin dhe fanatizmin fetar duhet ta luftojmë në 364 ditët e ardhshme të vitit, por me argumente dhe pa kompromis, jo me fotografi të rrejshme.
E.R.