Lajme nga qelia jonë e bukur

Izolimi i dy milionë banorëve të Kosovës nga ana e Bashkimit Europian është dënim kolektiv, rrjedhimisht gabim i pafalshëm i burokratëve të Brukselit. Zemërimi kundër BE-së është i kuptueshëm dhe legjitim, por më shumë do të sillte ndëshkimi i klasës politike kosovare nga qytetarët.



Kërcënohen Edi Rama dhe Hashim Thaçi se në Ballkan mund të krijohet një shtet i ri në të cilin do të jetonin të gjithë shqiptarët – dhe çfarë bën vaki? Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerim, austriaku Johannes Hahn, pret në takim Ivica Daçiqin, ministrin e Jashtëm të Serbisë, ish-zëdhënësin e Slobodan Millosheviqit, të dyshuarin për lidhje me baronë të drogës në Beograd. Daçiq, i cili gjatë një samiti në Paris i këndoi një këngë për ditëlindje Edi Ramës, i ka shfrytëzuar deklaratat e Ramës dhe Thaçit për të alarmuar Brukselin mbi rrezikun e të ashtuquajturës «Shqipëri e Madhe». Hahn, i cili si ndërmjetës ka dështuar totalisht në Maqedoni, duke toleruar tepër gjatë regjimin autokratik të Nikola Gruevskit, duket se e mori seriozisht shqetësimin e shpifur të Daçiqit mbi «Shqipërinë e Madhe», andaj i qortoi presidentin e Kosovës dhe kryeministrin e Shqipërisë.

Thaçi reagoi me nervozizëm, duke nënvizuar se BE-së po i munguaka lidershipi. Edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë e pamohueshme, situata e rëndë në Kosovë është pasojë në radhë të parë e lidershipit të dobët kosovar. Dhe këtu Thaçi e personifikon dobësinë e këtij lidershipi si asnjë politikan tjetër. Zyrtarisht është në pushtet që nga viti 2008. Që nga atëherë ka premtuar se do të luftojë korrupsionin dhe kjo e keqe vetëm sa është zgjeruar. Që nga atëherë ka premtuar se nën qeverisjen e të ashtuquajturës Parti Demokratike e Kosovës «brenda 15 muajve» do të hiqen vizat dhe izolimi është thelluar. Që nga atëherë ka premtuar ulje të papunësisë (200 mijë vende pune!) dhe sjellje të investitorëve, por e vërteta e hidhur është se nga regjimi i Thaçit kanë ikur mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës. Që nga viti 2008 ai ka premtuar se bisedimet me Serbinë në Bruksel do të kenë efekt pozitiv për qytetarët e Kosovës. Nëse efekt pozitiv është se mund të udhëtosh nëpër Serbi me letërnjoftim të Kosovës (pa guxuar të tregosh pasaportën) dhe pasi t’i heqësh targat e automjetit në kufi, atëherë mileti kosovar duhet të jetë i lumtur. Por lumturia nuk mund të dekretohet, madje as nga presidenti. Qytetarët ose e ndjejnë atë ose nuk e ndjejnë.

Çfarë përjetojnë qytetarët e Kosovës është një izolim poshtërues nga ana e Bashkimit Europian. Ky është dënim kolektiv, rrjedhimisht gabim i pafalshëm i burokratëve të Brukselit. Zemërimi kundër BE-së është legjitim, por më shumë do të sillte ndëshkimi i klasës politike kosovare nga qytetarët. Shkathtësia skandaloze e negocimit me të cilën është dalluar ekipi qeveritar i Kosovës në Bruksel ka bërë që demarkacioni me Malin e Zi të ndërlidhet me heqjen e vizave. Por askush nuk ka dhënë garanci se me kalimin e demarkacionit do të hiqen vizat automatikisht. BE e ka të qartë gjendjen brenda policisë së Kosovës: në vendet kyçe PDK ka vendosur persona që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë çirakë të shërbimit të saj të fshehtë për luftimin e rivalëve politikë dhe për intriga mesjetare. Vjedhja spektakulare nga dhoma e dëshmive nuk është harruar. Vjedhja e një sasie të madhe të arit në stacionin e policisë në Pejë ka qenë një skandal tjetër. Afera korruptive me pasaportat biometrike është gjerësisht e dokumentuar. Dhe shumë prapësi të tjera. Njëkohësisht nuk është harruar as ikja masive nga Kosova e qytetarëve në vitet e fundit.

Nëse aparati i sigurisë është i dëmtuar nga aq shumë afera, BE e ka lehtë të thotë fjalinë drakonike: «Nuk janë plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave». Në rastin më të keq burokratët e BE-së edhe mund të tallen me liderët politikë si Rama e Thaçi, të cilët kërcënojnë me demarkacione të tjera në Ballkan dhe me projekte të reja shtetërore. S’mund ta shantazhoni BE-në me thirrje për kufij të rinj – ky ishte mesazhi nga Brukseli. Përkthyer në gjuhë të qartë kjo domethënë: s’ju merr askush seriozisht. Se përse liderët politikë të Tiranës dhe Prishtinës nuk merren seriozisht nga BE për këtë nuk duhet akuzuar menjëherë Brukselin.

Ndërsa vazhdon kjo shamatë politike, qytetarët e Kosovës jetojnë në një qeli të madhe prej gati 11 mijë kilometra katrorë. Nëpër grilat e kësaj qelie depërtojnë rreze dielli, por ato s’ngrohin. Përtej grilave është një Europë pa kufij, pa barriera, aty-këtu me ndonjë polic kufitar, që më shumë qëndron si statist aty ku dikur ndodheshin pikat kufitare dhe postblloqet. Në Europën e Schengenit po rritet një gjeneratë që s’njeh kufij, në Kosovë po rriten, por edhe po vdesin gjenerata që nuk njohin liri të lëvizjes që nga fillimi i viteve ’90, por vetëm radhë të gjata para ambasadave, biseda familjare që sillen rreth «termineve» për viza në ambasadën gjermane, greke apo austriake, kremte familjare me rastin e marrjes së vizës. Kjo është qelia e bukur kosovare në të cilën BE i ka ngujuar qytetarët e Kosovës.

Duke iu drejtuar Vaclav Havelit para më shumë se një çerekshekulli shkrimtari zviceran Friedrich Dürrenmatt thoshte: «Ndoshta ju do të pyesni se çfarë republike ëndërroj unë. Unë ju përgjigjem: një republikë të pavarur, të lirë, demokratike, ekonomikisht prosperuese dhe njëkohësisht një republikë të drejtë në aspektin social, shkurt një republikë njerëzore, e cila i shërben njeriut dhe për këtë arsye shpreson se edhe njeriu do t’i shërbejë asaj. (…) Ajo çfarë guxon të kërkojë individi dhe jo vetëm guxon, por edhe duhet, është ajo çfarë keni kërkuar ju, Vaclav Havel: të drejtat e njeriut, bukën e përditshme për secilin, barazinë para ligjit, lirinë e mendimit, lirinë e grumbullimit, transparencën, heqjen e torturës etj., të gjitha këto nuk janë utopi, por gjëra të vetëkuptueshme, atribute të njeriut, shenja të dinjitetit të tij …». Këtë dinjitet të kosovarëve sot është duke e përdhosur edhe BE. Sa i përket fajit të politikanëve lokalë – gjërat janë të qarta qëmoti po aq sa është fatale apatia e popullsisë.