Lajme nga një botë paralele

Shënime nga një kafene belge mbi hallet e mëdha të qytetarëve të Belgjikës – moti i ftohtë dhe shpëtimi i tulipanëve, kursimi i energjisë dhe punët e postierit në mëngjes. Si dhe disa këshilla nga një profesor mbi aktivitetet horizontale (dhe jo vetëm) të njerëzve. Ndërkohë kafen e kam pirë dhe në telefon më vjen një mesazh nga një gazetar në Kosovë : «Me gjasë as këtë javë nuk po votohet demarkacioni».




Është mëngjes i hershëm e i ftohtë. Një kafe e dytë amerikane ndoshta më këndell përfundimisht. Në kafenenë ku po rri ulur hyjnë njerëz me zell të madh për të pirë kafenë e obligueshme të mëngjesit. Kjo është periudha më e ftohtë e vitit në vendet e ulëta (Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg). E belgët mund të jenë ndër njerëzit më të dhënë pas diskutimeve për motin, madje edhe para zviceranëve, mbase. Është ndoshta e vetmja temë që me shpejtësi të dritës krijon një komunitet të përbashkët të njerëzve të panjohur dhe njerëzit bashkohen për të diskutuar.

«Shumë ftohtë sot», ankohet një mesoburrë ulur ngjitur me mua. Një tjetër afër tij ankohet për antifrizin e një aparature e cila u përdorka për rregullimin e tulipanëve në kopshte. «Temperaturën në shtëpi kemi ditë që e mbajmë në njëzetedy gradë celsius», rrëfen tërë entuziazëm një grua që po vjen të ulet me kafe në dorë. E pazakontë kjo për belgët të cilët shtëpitë i mbajnë në temperaturë konstante prej tetëmbëdhjetë gradësh. Edhe pse mund të rrinë gjithë dimrin me hundë të kuqe e me bluza me krah të shkurtër. «Me triko leshi as nuk rrihet, as nuk punohet», e thonë vetë shpesh duke buzëqeshur kujdesshëm. Pastaj, duhet gatishmëri për të dalë me biçikletë edhe kur temperaturat janë në minus.

Një grua rreth të dyzetave tregon se si i kishte lënë dy pako djathë në ballkonin e ftohtë në mungesë të hapësirës në frigorifer. Të dashuruar pas kursimit të energjisë, sakaq nis një bisedë tjetër për kursimin e energjisë elektrike te frigoriferët në kohë dimri. Belgët janë ndër pionierët e energjisë alternative dhe riciklimit të mbeturinave në Europën perëndimore. Për këto tema flasin me po aq zell sa ç’mund të flitet për ndarjen e Mitrovicës nëpër kafenetë e shqiptarëve të Kosovës.

Të mërkurën në Belgjikë pritet që temperatura të arrijë në minus njëmbëdhjetë gradë celsius. Belgët janë përgatitur që sot. Në agjendat e tyre e kanë shënuar një aktivitet për mbrëmjen e së mërkurës: ndezjen e zjarrit në oxhakun e shtëpisë, verën e kuqe të vluar me erëza dhe ndonjë film të mirë. Po nuk qe në agjendë, nuk bëhet. Spontaniteti është shumë spontan!

Është ora dhjetë e mëngjesit. Një burrë tjetër porosit një birrë dhe pa u ulur mirë kollofit nja dy gllënjka. Është postier! Ai është zgjuar që në katër të mëngjesit për të shpërndarë postën me biçikletë. Kjo duhet të jetë kohë dreke për të. E belgët e kanë fort qejf një gotë birrë a verë për ta shoqëruar drekën.

Nëpërmjet dritareve deri në tokë të kafenesë sodis njerëz që kalojnë poshtë e lart. Sindikatat socialiste kanë bërë thirrje për grevë sot. Ka kohë që protestojnë kundër ndryshimit të ligjit të pensionimit për punëtorët e krahut. Si rrjedhojë, nuk punohet në administratën komunale, nuk punojnë as trenat, as tramvajet e as metrotë. Por belgët i gjen mbi biçikleta. Edhe kur temperaturat janë në minus.

E hap gazetën të proporcionit gati gjysmë metër të gjigantit mediatik «De Morgen». Katër nga shtatë lajmet kryesore janë për motin e ftohtë. Në ballinën e gazetës është një reportazh për të pastrehët e Brukselit dhe masat që institucionet po marrin në këto ditë të ftohta. Shqetësim madhor duket të jetë fakti që të pastrehët preferojnë të rrinë në rrugë, edhe në këto temperatura, sepse në qendrat e strehimit nuk mund të pinë alkool. Si të shtyhet ndryshe vetmia dhe i ftohti kur nuk ke mundësi të ngazëllehesh me një birrë trapiste belge – lloj i veçantë i birrës belge që bëhet nga murgjit. Në editorialin e gazetës, kryeredaktori Bart Eeckhout shpreh indinjatën pse të pastrehët dhe gjendja e qendrave të strehimit për të pastrehët në Belgjikë bëhen tema vetëm në javët e acarta të vitit. Një tjetër opinion po në faqen dy të gazetës merret me problemet e «kampingut» gjatë muajve të dimrit. Nxënësit e shkollave të mesme në Belgjikë mund ta konvertojnë një fundjavë kampingu në një lëndë zgjedhore. Për këtë atyre u duhet të shkruajnë një raport lidhur me përvojën dhe mësimet e kampingut si dhe ruajtjen e natyrës.

Tutje, në faqen gjashtë është një analizë e gjatë që tregon se pavarësisht se në ditët e sotme shumë gra punojnë, burrat belg gjithnjë e më pak kontribuojnë në punët e shtëpisë, dhe kështu barra më e madhe bie mbi gratë. Analiza i referohet një studimi të bërë në 28 vendet e BE-së e që në fokus ka ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive ndërmjet gruas dhe burrit në shtëpi. Në vendin e fundit në këtë listë, qenka Lituania. Belgjika u ndodhka në të dymbëdhjetin. Në vendet e para, si rëndom, i gjen vendet skandinave.

Në mes të gazetës është një analizë e gjatë dyfaqëshe për problemet e ereksionit dhe aktivitetit seksual. Një profesor nga Universiteti i Gentit shpjegon gjithë zell një studim të tijin që tregon nëse forma dhe madhësia e penisit kanë ndikim në rritjen e aktivitetit seksual tek burrat. Në versionin e gazetës online, ky del të jetë lajmi më i lexuar. «Sex sells» – jo vetëm në Belgjikë.

Në faqet e politikës janë disa lajme për armëpushimin në Siri, një analizë për platformën e re të kancelares gjermane Angela Merkel për refugjatët nga vendet e Afrikës veriore dhe të Lindjes së Mesme, si dhe një analizë për bisedimet rreth Brexit-it. Tre faqet e fundit i kushtohen sportit dhe janë të mbushura me lajme, aktivitete dhe personalitete nga bota e çiklizmit të cilat ka gjasa të jenë tërësisht të panjohura jashtë vendeve të ulëta.

E mbyll gazetën dhe ndërkohë porosis mëngjesin. Belgët me gjasë nuk kanë probleme të tjera. Ose, siç thonë edhe vetë me shaka: «Nëse do të merreshim me problemet tona politike, ky vend do të zhbëhej sa hap e mbyll sytë». Ndërkohë kafen e kam pirë dhe në telefon më vjen një mesazh nga një gazetar në Kosovë : «Me gjasë as këtë javë nuk po votohet demarkacioni».