«Lagja e egër» ende jeton me frikën në palcë

Shumëkush beson se operacioni vdekjeprurës i policisë kishte për qëllim të zbuste presionin ndaj Qeverisë së Gruevskit




Shumëkush mendoi kur gjatë javës kur policia maqedonase kreu bastisje kundër atyre që dyshohet se janë radikalë islamikë, se shteti i Ballkanit i zhytur në krizë po i kthehet luftimeve të përgjakshme në betejën e fundit që edhe sot vazhdon të rrethohet me shumë mistere.

Qyteti verior, Kumanova, nja 13 kilometra larg kufirit serb, ishte një prej shënjestrave të njësiteve policore të aksioneve të ditës së enjtes, por operacioni special ishte i profilit të ulët krahasuar me masakrën vdekjeprurëse që tkurri një lagje të qytetit në rrënoja maj.

«Nuk kishte kurrfarë paralajmërimi. U zgjuam në pesë të mëngjesit prej të shtënave e krismave», ka deklaruar njëri prej banorëve të Kumanovës, Fazli Shabi Asani. «Shtëpitë tona u shkatërruan, të gjashtëmbëdhjetat sa ishin në këtë lagje», ka theksuar ai, duke shikuar nëpër rrugicat e mbushura me objekte që janë shndërruar në rrënoja. Shumica e shtëpive janë shkatërruar.

Asani (61) dhe disa prej fqinjëve po rindërtojnë shtëpitë, megjithëse shumë prej tyre janë të boshatisura, me dritaret e thyera, pullazet e shkërmoqura e muret të mbushura me plumba të shkrepur. Ka ende mbetje granatash e gëzhoja plumbash në faqe muresh.

Në orët e hershme të mëngjesit të nëntë majit, njësitet speciale policore maqedonase rrethuan zonën e Kumanovës të njohur si «Divo Naselje» – apo «Lagja e egër» – me trupa të armatosura deri në dhëmbë, njëherësh bombarduan me helikopterë nga ajri.

Për një ditë e gjysmë, njësitet speciale shkrepën e zbrazën mitrolozët dhe granatat në shtëpitë që ishin zënë prej një bande të armatosur deri në dhëmbë, të prirë prej ish-ushtarëve të Ushtrisë çLirimtare të Kosovës nga shteti fqinj, Kosova.

Kur u kthjell qielli dhe policia u tërhoq, tetë oficerë policie ishin vrarë, bashkë me dhjetë persona të armatosur prej asaj që Qeveria e ka quajtur «një prej grupeve më të rrezikshme terroriste në Ballkan».

«Kemi humbur tetë burra që parandaluan vrasjen e tetë mijë personave të mundshëm», ka thënë kryeministri Nikol Gruevski. «Një grup terrorist prej më shumë se 40 personash të armatosur mirë hynë ilegalisht në Maqedoni… duke planfikuar të kryenin një prej sulmeve me përmasat më të mëdha kundër institucioneve shtetërore dhe caqeve civile, si stacionet policore, qendrat tregtare dhe ngjarjet sportive».

Shqiptarët etnikë

Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se grupi përbëhej kryesisht nga shtetas maqedonas, por prihej prej veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, grupit të shqiptarëve etnikë që luftuan forcat serbe më 1998-99, që kulmoi me pavarësimin e Kosovës.

BE-ja dhe SHBA-ja kanë bërë thirrje për kthimin e qetësisë, derisa Kosova dhe Shqipëria i kanë kërkuar Maqedonisë të respektojë marrëveshjen që i dha fund kryengritjes së vitit 2001 të prirë prej kryengritësve shqiptarë etnikë në vend, dhe e cila premtonte më shumë të drejta e pushtet për minoritetin që përbën pothuajse një të tretën e popullsisë prej dy milionësh. Shqiptarët etnikë jetojnë në «Lagjen e egër», emri i të cilit ka nisur të përdoret për shkak të zhvillimit të tmerrshëm të majit, por njëherësh ngërthen në vete edhe sugjerimin e hesapeve të nëntokës dhe kriminalitetit.

Të tronditur

«Këtu nuk ka probleme ndërmjet shqiptarëve e maqedonasve», ka gulmuar Djamila Bajrami (63), duke shtuar se ajo dhe dy të bijat ishin tronditur prej betejës së majit. «Para dhe pas atyre ditëve gjithçka ka qenë e qetë. Ne nuk u morëm vesh kurrë çfarë ndodhi këtu».

Shumë maqedonas ndjejnë se luftimet e Kumanovës ishin më të përgjakshmet në serinë e episodeve që dëshmojnë se vendi qeveriset prej një elite të korruptuar që nuk do të linte të zezë pa bërë vetëm për të mbajtur pushtetin.

Përleshjet e armatosura ndodhën në kohën kur kishte rritje të protestave në rrugë me kërkesat për dorëheqje të Qeverisë për shkak të skandaleve të përgjimeve telefonike që zbuluan përmasat e kapjes së shtetit, marrjes së kontrollit të drejtësisë dhe përfshirjes në korrupsion, skema kriminale dhe vendime jodemokratike të zyrtarëve të lartë të shtetit.

Me besimin e publikut që ka rënë përtokë, shumë maqedonas dyshojnë se përleshja e Kumanovës ishte komplot qeveritar për të shmangur vëmendjen nga skandali, duke futur frikën në palcë dhe ngritjen e tensioneve ndërmjet shqiptarëve e maqedonasve.

«Pothuajse të gjithë mendojnë se ishte punë e montuar», ka thënë Zem (22), që ka refuzuar ta tregojë mbiemrin. «Ajo çfarë ndodhi këtu ishte një shou i madh, për të shmangur vëmendjen prej problemeve të Gruevskit».

Trafikimi i gjithçkaje në zonën kufitare, prej drogës deri te njerëzit, është një biznes i madh fitimprurës në Kumanovë e përreth saj, dhe një teori në mesin e shumë maqedonasve thotë se policia ishte urdhëruar – për hesape politike – të sulmonte një grup kriminal që më parë kishte vepruar lirshëm.

Dhuna e Kumanovës rroku vëmendjen e BE-së dhe SHBA-së për krizën në Maqedoni, dhe një marrëveshje e ndërmjetësuar prej Perëndimit është arritur muajin e kaluar për krijimin e një qeverie të përkohshme për të marrë kontrollin prej janarit që të përgatitë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në prill, dhe të zgjedhë një prokuror special për hetimin e skandaleve të përgjimeve.

Sidoqoftë, maqedonasit pak besojnë në atë që quhet «armëpushim» ndërmjet Gruevskit e kritikëve të tij, madje edhe më pak se të lira e të drejta do të jenë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

«Perëndimi i ka dhënë Gruevskit kohë për t’i rregulluar hesapet, që të sigurohet se përsëri do të fitojë në prill», ka thënë Zemi. «Gjithçka është e korruptuar, dhe zgjedhjet nuk mund të jenë ndryshe».

«Irish Times»
Foto: Nagip ISMAILI-NAGI