Ky është vendi ku zogu qe njëmijë vjet e mpreh sqepin në thepin e shkëmbit

Në agun e mëngjesit mbi Sankt Gotthard.

Sankt Gotthard, Zvicër.



Që nga zbulimi i alpeve për nder të Zotit dhe për kënaqësinë tmerruese të njerëzimit, ngjitja nga Hospentali në majë të qafës së Gotthardit është një depërtim shpeshherë i përshkruar në botën e mrekullueshme të alpeve. Me 2100 metra lartësi mbidetare qafa hyn në mesin e kalimeve të ulëta në drejtim të jugut, megjithatë maja e qafës adhuruesve të botës malore u ofron një panoramë, e cila e bën të qartë se për ç’arsye kjo kodër është shndërruar në mit të përvojës zvicerane me kodra. Ngjitja përmes rrugës nacionale tani është aq e thjeshtë, saqë askush nuk do të duhej të hiqte dorë nga spektakli i përjetimit të lindjes së diellit në qafën e Gotthardit në një ditë të verës së hershme. Rreth orës katër e tridhjetë të mëngjesit edhe bota këtu lart i përkushtohet vetes dhe është e qetë. Bujtina malore dhe hoteli, qoshku dhe muzeu janë ende të mbyllura, pothuaj asnjë veturë nuk e kërkon udhën nëpër agun e mëngjesit. Liqeni malor ende nuk e reflekton mirë rrethinën e afërt, sipërfaqja kreshpërohet lehtë në puhinë e freskët të mëngjesit, por brenda një gjysmë ore bota këtu ndriçon veten siç nuk do të mund ta bënte kaq artistikisht asnjë teatër i botës. Vijë ndarëse mes ujërave, vijë ndarëse mes motit, qendër e të gjitha nisjeve në të gjitha drejtimet, shkëmb i palëkundshëm mes kohës së ndryshueshme, një psherëtimë përjetësie në ajër. Koha e ka gdhendur dhe rrafshuar gurin, masat e akullit e kanë rrumbullakuar dhe lëmuar atë. Këtu gjenden të famshmet «roches moutonnées», sipërfaqen e të cilave e kanë fërkuar dhe pastruar shekujt aq shumë, saqë ato për disa janë kënd lojërash për bjeshkatarë, për të tjerët shesh vallëzimi për engjëj. Sidoqoftë, ky është vendi ku zogu qe njëmijë vjet e mpreh sqepin në thepin e shkëmbit, dhe pasi të ketë ndukur sipërfaqen e shkëmbit, sekonda e parë e përjetësisë do të marrë fund.

Tani është zdritur më shumë, konturat dallohen më qartë: magazina e vjetër, dikur doganë, depo, plevicë dhe ahur së bashku. Pak më larg një kishëz, ku mbaheshin të vdekurit, të cilët gjatë dimrit ishin gjetur të ngrirë në borë. Tani madje duket edhe vegjetacioni. Një terren i zhveshur, aty-këtu shkurre të vogla, nuk ka lisa, në vendet e lagështa pak myshk, shumë shkëmbinj dhe gurishte fare afër. Një mëngjes i tillë çdo gjë e bën të re, madje edhe 400 milionë vitet që kanë kaluar prej se masivi i Gotthardit u bë pirg, u shtresua dhe u bë rreshpe. Në brendi me gjasë gjenden kristale të pasura, të cilat kërkuesit e mineraleve një ditë ndoshta do t’i zbulojnë dhe nga shpellat do t’i nxjerrin në dritën shkëlqyese. Mirë është të jesh këtu kur fillon dita!

Pas pak orësh do të zbulojmë se kujt i takon me të vërtetë Gotthardi: para së gjithash turistëve dhe kalimtarëve, e sidomos motoçiklistëve, të cilët ia kanë vënë syrin kthesave të Tremolas; ndoshta edhe disa barinjve të pakët, të cilët nën majën e qafës e kalojnë verën me shtazët e tyre. Këtu takon bjeshkatarë, të cilët me litar e kazmë alpinistësh duan të ngjiten lart, në kreshta e maja të kodrave më të larta në rrethinë. Mund të takosh burra në uniformë ushtarake, ndoshta edhe punëtorë teknikë të pajisur me mjete moderne, të cilët kontrollojnë dhe mirëmbajnë hidrocentralet. Por, koha kur Gotthardi ishte një kështjellë sekrete dhe e papushtueshme e Zvicrës ka perënduar qëmoti. Në vitet e luftës zona e Gotthardit ka qenë qendër e të gjitha masave dhe përpjekjeve për të mos kapitulluar para armikut potencial. Legjendat mbi mbijetesën e mundshme në kodër, në Réduit-in e famshëm, ende qarkullojnë në kokat e gjeneratave të vjetra. Sot llogoret dikur tepër sekrete në shkëmb mund të vizitohen. Të habitur zbulojmë se thashethemet kanë qenë shumë më madhështore se realiteti. Duhet qenë mirënjohës që kurrë nuk erdhi puna deri aty që pjesa tjetër e Zvicrës të mbrohet nga Gotthardi kundër armiqve në veri dhe në jug.

Tani na tërheq jugu i parrezikshëm. Nuk merret vesh se cila është arsyeja, por mbi Gotthard shpejt të kaplon ajo ndjenjë, të cilën një romantik e formuloi përmes këtij vargu: «Ah, lum ai që do të mund të udhëtonte atje!» Meqë mundemi, hajde, pra, të shkojmë! Që nga koha (me gjasë shekulli i ’14), kur për nder të Shën Godehardit të Hildesheimit u ngrit kishëza e parë në qafëmal – dhe kështu iu vu emri qafëmalit -, qindra-mijëra njerëz janë nisur nga këtu dhe me zemër të fryrë jugore kanë shkuar poshtë në luginë. Serpentinat, të cilat sot ngjiten në mënyrë aq elegante për anën jugore të Gotthardit, janë të kohës së re. Por, Tremola e vjetër, të cilën me dëshirë e shfrytëzojnë çiklistët malorë, ende është e kalueshme. Të harruara janë të gjitha mundimet e ngjitjes lart, të gjitha planifikimet dhe rreziqet, skamjet dhe fatkeqësitë, të cilat i rraskapitnin kalimtarët e qafëmalit në shekujt e mëparshëm. Lehtë udhëtohet nga majat dhe akullnajat e veriut drejt liqeneve dhe palmave të jugut.

Përktheu: E. Robelli 

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).