Ky është racizëm i motivuar politikisht

Gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» kritikon ashpër politikat e Donald Trumpit.




 

 

Kanë kaluar më shumë se një javë prej se në Shtëpinë e Bardhë është futur Donald Trumpi. Që nga atëherë ai ka nënshkruar pandërprerë dekrete dhe urdhëresa me qëllim që të realizojë premtimet e tij elektorale. Së fundi ai ua ndaloi hyrjen në SHBA shtetasve të shtatë vendeve të ashtuquajtura myslimane. Ky vendim ka shkaktuar reagime të ashpra gjatë fundjavës – nga politikanë liberalë dhe profesorë në Amerikë, nga mediat në New York, Paris, Berlin dhe München. Gazeta e madhe gjermane «Süddeutsche Zeitung» në një koment që botohet në numrin e së hënës shkruan se mënyra se si qeveris Trump mund të përshkruhet si shkelje ligjesh, diletantizëm dhe trajtim i turpshëm i aleatëve.

«Prej se mbahet mend asnjë president i SHBA-ve nuk e ka përçarë aq shpejt vendin e tij dhe nuk i ka nxitur pjesë të mëdha të botës të jenë kundër tij, por, fatkeqësisht, edhe kundër Amerikës», nënvizon gazeta nga Müncheni.

Dekreti i Trumpit drejtohet jo vetëm kundër hyrjes në SHBA të refugjatëve që tashmë janë verifikuar nga autoritetet amerikane, por edhe kundër shtetasve të shtatë vendeve të ashtuquajtura myslimane. Edhe nëse të dhënat e policisë apo të dhëna të tjera tregojnë se ata mund të hyjnë në SHBA, kjo s’luan rol. Kush është mysliman nga Siria, Libia, Iraku apo Somalia shpallet i padëshiruar ose i dyshimtë.

«Natyrisht në botën e Trmpit ka edhe vende të <mira> myslimane. Të tilla janë Arabia Saudite fundamentaliste dhe Egjipti autokratik, të cilat me gjasë nga Trumpi shikohen si të dobishme politikisht. Myslimanët e dobishëm mund të hyjnë në SHBA. Sidoqoftë, këto dekrete rezultojnë të jenë një internim paushall diskriminues sipas <kritereve> religjioze dhe etnike. Nëse duam të formulojmë ashpër, mund të themi se bëhet fjalë për racizëm të motivuar politikisht», nënvizon «Süddeutsche Zeitung», e cila thotë se dekretet e Trumpit shkelin Kushtetutën amerikane. Dhe kjo Kushtetutë, ky ligj themeltar, garanton se askush nuk mund të diskriminohet për arsye fetare apo të mendimit të tij, po ashtu Kushtetuta garanton një procedurë të ndershme gjyqësore. Sipas gazetës gjermane këto nene të Kushtetutës amerikane kanë shndritur që nga viti 1791, por të premten Trump i fiku dritat.

«Pas vetëm një jave shumëçka tregon se Trump parimisht nuk ka haber për të qenë president. Në firmën e tij ai mund të thoshte: blijeni këtë ndërtesë të lartë, dhe kjo ndodhte. Në Shtëpinë e Bardhë ai po nënshkruan dekrete në një kohë kur pjesë të mëdha të qeverisë së tij ende nuk ia kanë filluar punës – dekrete që po e hedhin vendin në kaos. Me sa duket ai beson se politika dhe qeverisja e vendit funksionojnë si firmat e Trumpit apo si një shou televiziv». (-lli)