«Ky është Kafka i Ballkanit»: Radioja publike gjermane lavdëron dramaturgun Jeton Neziraj

Në një kronikë të gjatë radioja publike gjermane «Deutschlandfunk Kultur» shprehet e entuziazmuar me punën e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj.

«Ne luajmë teatër në një fushë të minuar»: Jeton Neziraj. Foto: Atdhe Mulla.



Jeton Neziraj është momentalisht dramaturgu më i pranishëm nga Ballkani në mediat gjermane. Së fundi revista prestigjioze «Der Spiegel» botoi një portret të gjatë të dramaturgut kosovar, duke nënvizuar se Neziraj shkruan pjesë të ashpra teatrale mbi gjendjen e Europës dhe kështu i zemëron nacionalistët në Kosovë dhe kundërshtarët e tyre serbë. Sipas të përjavshmes nga Hamburgu, dy dekada pas luftës Neziraj është njëri prej artistëve të paktë të Kosovës, i cili është i njohur në skenën ndërkombëtare.

«Dramat e Jeton Nezirajt janë fuqishëm të inspiruara nga Rock‘n’Rolli, kabareja politike dhe nga paturpësia e William Shakespearit, i cili po ashtu shkruante duke iu referuar përditshmërisë, dhe më pak nga poetët e ndjeshmërisë si Anton Çehov apo Arthur Schnitzler. Neziraj ka shkruar më shumë se 20 tekste teatrale, shumë prej tyre janë botuar dhe luajtur në skenat europiane dhe në SHBA», shkruan revista. Në fund të portretit të gjatë «Der Spiegel» citon Nezirajn duke thënë: «Ne luajmë teatër në një fushë të minuar».

Tani punës së Nezirajt i ka kushtuar një kronikë të gjatë edhe radioja publike gjermane «Deutschlandfunk Kultur», e cila e lavdëron dramaturgun kosovar duke e quajtur «Kafka i Ballkanit», një autor inovativ i teatrit, dramat e të cilit luhen edhe në Gjermani. Këto drama, sipas radios, ngjallin debate dhe – njëkohësisht – ndikojnë në pajtim në shtetin më të ri të Europës.

Në dramën e fundit «55 Shades of Gay» Neziraj ka zgjedhur një temë delikate shoqërore – homofobinë në shoqërinë kosovare. Qëndrimet kritike Neziraj i ndërton shpesh përmes krijimit të skenave absurde-ironike. «Ironia më ndihmon të mbijetojë në këtë shoqëri dhe në këtë realitet – si njeri dhe si shkrimtar. Po ashtu kjo është një mundësi për të shkruar mbi temat e vështira», thotë Neziraj. Sipas tij këto tema të vështira janë homofobia, seksizmi, dhuna familjare, krimet e luftës. Ai thotë se u qaset këtyre temave përmes ironisë, kështu që njerëzit qeshin dhe – njëkohësisht – e kuptojnë për çka po flitet.

Radioja publike gjermane «Deutschlandfunk Kultur» raporton edhe për dramën e Nezirajt me titullin «Carla Del Ponte pi Vanilla Chai Latte nё Prishtinё», të cilën ai e ka vënë në skenë me koreografin gjerman Jochen Roller. Në këtë dramë, e cila ngjalli shumë debate emocionale dhe shpesh edhe joracionale në Kosovë, Neziraj krijon përplasje mes temave që mundojnë kosovarët: raportet e tyre me serbët, papunësia, krimet e luftës dhe dominimi paternalist i organizatave ndërkombëtare.
E.R.

Ndalohet botimi nga media të tjera.