«Ky është ai muri i famshëm»

Ura mbi lumin Ibër në qytetin e ndarë të Mitrovicës është simbol i konfliktit të Kosovës. Në jug të qytetit jetojnë shqiptarët, në veri serbët. Në të vërtetë, ura ndërkohë është hapur për këmbësorë, por kontakte mes serbëve dhe shqiptarëve pothuaj se nuk ka. Përkundrazi: hendeku po thellohet. Një kronikë e radio publike gjermane nga Mitrovica.

Muri i ri i Mitrovicës: rreth 20 metra i gjatë dhe 1,3 metra i lartë është ndërtimi delikat politik, i cili nën presion paksa është ulur. Muri thuhet se do ta mbrojë një shëtitore nga sulmet e mundshme nga jugu. Ky është interpretimi serb.



Nën këpucët e forta të Kenan Beqirit kërcet bora – ndërsa ai i shpenguar kalon urën, nga Mitrovica jugore në atë veriore. «Shpesh kaloj këndej», thotë ky shqiptar i Kosovës, «vjehërria ime jetojnë në veriun serb». Kenan Beqiri punon për organizatën joqeveritare CBM, e cila angazhohet për bashkëjetesë në Mitrovicë. Për dy, tre minuta Kenan Beqiri arrin matanë, në anën serbe. «Ky është ai muri i famshëm», thotë ai. Rreth 20 metra i gjatë dhe 1,3 metra i lartë është ndërtimi delikat politik, i cili nën presion paksa është ulur. Muri thuhet se do ta mbrojë një shëtitore nga sulmet e mundshme nga jugu. Ky është interpretimi serb. Muri duhet të rrëzohet. Ky është vendimi i parlamentit të Prishtinës. «Zakonisht këtu është qetë, por mund të eskalojë brenda një ore. Nëse dikush përfiton nga trazirat, atëherë trazirat do të ndodhin», thotë Beqiri.

Kenan Beqiri ec edhe një copë udhë. Shumë njerëz e përshëndesin, ai ua kthen përshëndetjen. Për dallim prej tij shumë banorë të Mitrovicës nuk kanë ndonjë kontakt me njerëzit në anën tjetër dhe hendeku po thellohet. Sidomos në mesin e të rinjve, siç ka treguar një studim së fundi. Dy të rinj serbë që takojmë nuk njohin askënd në jug të qytetit. «Më vonë duam të punojnë në bankë apo ashtu diçka, jeta këtu s’është aq e mirë. Pastaj dua të shkoj në një vend tjetër, një vend të zhvilluar më mirë. Ndoshta në Sacramento. Nuk kemi kontakte me të rinjtë në anën tjetër, nuk e dimë përse. Thjeshtë nuk kemi».

Mitrovica veriore duket qytet i lënë pas dore, posta është një rrënojë, veturat lëvizin pa tabela dhe sipas ekspertëve këtu lulëzon krimi. Papunësia është e lartë. Me këtë problem ballafaqohen edhe ata që banojnë disa qindra metra më tutje në jug. Atje gjendet zyra e Agim Bahtirit. Tashmë tri vite ai është kryetar shqiptar i Mitrovicës. Ai thotë se për të është me rëndësi të veçantë zhvillimi ekonomik. Agim Bahtiri merr pjesë edhe në dialogun e Brukselit, i cili synon t’i marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Tema e tij atje është ura mbi Ibër. Barrikadat janë hequr dalëngadalë, thotë ai, ura është sanuar, tani, sipas tij, duhet të hiqet edhe muri ilegal në anën serbe.

«Nuk duam mur të Berlinit. Njerëzit duhet të lëvizin të lirë. Muri e ka penguar hapjen e urës, e cila ishte e planifikuar në janar. Natyrisht muri na ka kthyer prapa. Por po punojmë që ura së shpejti të hapet për lëvizje». Ndërtimi i strukturave mbarëkosovare nuk po pengohet vetëm politikisht. Në fillim të janarit në Mitrovicën e veriut eksplodoi një mjet shpërthyes para një ndërtese të ardhshme të një gjyqi kosovar. Në dritare edhe sot shihen dy vrima nga të shtënat.

«Kolegu im serb, i cili është kryetar në pjesën veriore, e ka më vështirë se unë. Sepse ai duhet të luftojë edhe me strukturat paralele, të cilat i imponohen nga Serbia. Ata kanë për qëllim të pengojnë që ne të bashkëpunojmë mirë mes veti dhe për këtë arsye ndodh diçka e tillë». Për fat të keq kryetari serb i Mitrovicës nuk ka kohë për një bisedë, siç na thuhet. Megjithatë, falë kontakteve me prefektin serb në pjesën veriore ka shumë më pak dhunë etnike, thotë Bahtiri. Në tri vitet e fundit janë regjistruar vetëm shtatë incidente.

Ndërkohë Kenan Beqiri pas shëtitjes së tij mbi urë po ngrohet në një kafehane. Organizata e tij joqeveritare synon ta motivojë politikën lokale për bashkëpunim demokratik me qytetarët dhe për luftimin e korrupsionit – ajo i bashkon nxënësit e mbarë Mitrovicës ose përkrah themelimin e ndërmarrjeve nga gratë. Disi ky njeri rrezaton optimizëm të papërmirësueshëm. «Nëse e shikoni ekonominë – të dy palët bëjnë biznes me njëra-tjetrën dhe sikur të ekzistonte vullneti politik, atëherë do të mund t’ia kalonim mirë me njëri-tjetrin. Nëse do të na linin të punonim në qetësi, s’do të kishte fare problem». E nëse nuk ia dalim me urën, thotë Kenan Beqiri duke qeshur, atëherë do ta bëjmë muze për turistë të huaj.