«Ky edepsëz nuk e mbajti fjalën»

Një letër e Hasan Prishtinës dërguar autoriteteve austriake në vitin 1914, ku i njoftonte mbi përgatitjet që bënte për të sulmuar trupat pushtuese serbe.




«Letra e Hasan Bej Prishtinës dërguar zotit konsull të përgjithshëm Kral

Tashmë dy muaj po shkoj nga kodra në kodër, nga fshati në fshat; po bëj një jetë që kurrë as në ëndërr nuk e kam parë. Nëse nuk do të ishte për atdhe, me të vërtetë nuk do t’i isha nënshtruar këtyre mundimeve edhe po të më kishin dhënë miliona. Por ata që e njohin atdheun e çmojnë më shumë se çdo gjë në botë. Përkundër të gjitha vështirësive unë prapë do t’i bëjë të gjitha. Zotëri, që nga fillimi Ahmet Beu në Mat më kishte dhënë fjalën se do të më përkrahte me të gjitha forcat; Ahmet Beu deri më tani e ka mbajtur fjalën. <Por Austria ende nuk ka ndërmarrë ofensivë kundër serbëve>, thotë ai, <ajo po sillet ende në mënyrë defensive; por nëse Austria marshon, unë do ta mbaj fjalën time>.
Nga ana tjetër ai ende nuk është marrë vesh me Esadin, përkundrazi gjithkund ku mundet po bën propagandë kundër tij. Edhe mytesarifi i Dibrës ma kishte dhënë fjalën, por ky edepsëz nuk e mbajti dhe ai është i lidhur me Esadin famoz; ai e ka përkrahur atë fuqishëm. Nga trevat e Dibrës vetëm Eles Iusuf Aga, Malik Cür zeta, Zejnel Restch, Abdullah Dardha mbajtën fjalën. Fuqia e tyre mund të jetë rreth 1500 pjesëtarë. Nahija e Kalisit në përgjithësi kishte premtuar me fjalë se do të luftonte. Me përjashtim të dy fshatrave Luma e mbështet çështjen tonë. Ndonëse Esadi këtyre njerëzve u ka bërë shumë premtime dhe u ka dhënë shumë garanci, prapëseprapë asnjë prej tyre nuk ka kaluar në anën e tij. Vetëm Ramadan Zaskoku deshi të kalojë në anën e Esadit; por ne e vramë. Edhe njëri nga bashkëluftëtarët e tij u vra, një tjetër u plagos rëndë. Ju lutem ta keni parasysh se kjo punë të mbahet sekret. Thuhet se Ramadani u vra me ndihmën austriake me para prej 800 napolonash. Sipas lajmeve që kam marrë nga Prizreni vdekja e tij në Serbi ka lënë përshtypje të madhe. Që nga vrasja e Ramadanit është hequr dorë nga mendimi për të kaluar në anën e Serbisë. Një ditë edhe njëfarë Radomiri deshi të kalojë në anën e Serbisë; andaj Kjazim (Qazim?) Lika e dërgoi vëllain e tij për t’ia zënë pritën; tani ai s’do të dëgjojë asgjë për të (Esadin). Sipas lajmeve nga kabilja (fisi) i Bajram Currit në trevën e Hasit shumë njerëz kanë kaluar në anën e Esadit. Po na dha zoti kuvet, dhe nëse mund të bashkohemi me trupat austriake, atëherë do të jetë obligim yni t’i eliminojmë të gjithë ata që janë me Serbinë. Shpresoj se atëherë edhe ju do të më ndihmoni fuqishëm. Tani po vijmë te ata që duan të luftojnë kundër Serbisë. Janë dy palë. Njëra palë dëshiron ta nisë luftën sapo të arrijnë austriakët në Mitrovicë. Të tjerët duan të luftojnë atëherë kur buçima e topave i paralajmëron për afërsinë e trupave austriake; kjo palë është shumicë. Ata thonë: <Secilit prej njerëzve tanë nuk mund t’i japim më shumë se 100 fishekë; përkundër të gjitha kursimeve kjo s’na mjafton më gjatë se 24 orë; por nëse serbët vijnë nga ndokund me fuqi të madhe, në çfarë gjendje do të jemi ne pastaj; një pushkë pa fishekë atëherë nuk është më shumë se një copë dru në dorë. Ç’na duhet Austria edhe nëse trupat e saj janë në Mitrovicë?> Unë them dhe e di mirë se ne nuk kemi fishekë, por sapo të depërtojmë në Serbi shqiptarët e atjeshëm do të çohen në kryengritje dhe ata do të na japin fishekë. Me ata pastaj mund të krijojmë pushtetin. Sapo Austria të marrë vesh se kemi marshuar në Serbi, do t’ju jap urdhër trupave të saj për të marshuar më tutje. Njëra palë po ashtu është e një mendimi me mua. Pala tjetër nuk është ende e vendosur. Pardje një çetë (bandë, komitë) prej shumë se 100 personave ka depërtuar deri 8 orë para Kalkandelen (Tetovës). Me atë rast grabitën 700 dele dhe 8 kuaj. Me rojat e vendosura atje zhvilluan përleshje të vogla.
Një shqiptar u vra, një tjetër u plagos. Nga këtu një trupë komitësh prej 50 vetave shkoi në drejtim të Gostivarit. Edhe ata nga atje sollën 250 kuaj. Por ndërkohë moti është përkeqësuar; në shumë kodra ka rënë borë; kjo po shkakton vonesa. Përndryshe do t’i kisha dërguar tri çeta; një me 150 pjesëtarë, dy të tjerat me nga 200. Njërën desha ta dërgoj kundër Gostivarit, tjetrën kundër Kalkandelen (Tetovës), të tretën më në fund kundër fshatrave të krishtera afër Prizrenit. Sapo të përmirësohet moti do të nisen të gjitha këto. Në këtë mënyrë duhet ta përgatisim popullsinë dhe pastaj do të arrihet një kryengritje e përgjithshme.
Nga ana tjetër Bajram Curri dhe shokët e tij po rrinë indiferent, po i mashtrojnë oficerët që gjenden ta ata dhe krejt fajin duan të ma lënë mua; por koha do të dëshmojë qëndrimin tim lojal. Para disa ditësh nga Komisioni i Kostantinopojës erdhën të unë Salih Chareddin dhe bejlerë të tjerë. Fola gjatë me ta edhe për juve (?). Juve, fort i nderuar, ata ju patën dhënë edhe një letër rekomandimi për zotin kolonel.
Misioni po ashtu i var shpresat te unë. Ju lutem i shkruani Bajram Currit dhe Haim Beut (?) se përse po rrinë aq indiferent. Atyre u pëlqen t’ua lënë fajin të tjerëve, kur vetë s’janë në gjendje të bëjnë gjë. Po ua përsëris se unë do të jem ai që i pari do ta nisë luftën. Ju lus të jeni të bindur se nuk do të zhgënjeheni nga unë. Ju lus të më jepni informata të sakta se ku gjendeshin trupat austriake. Këtu po thuhet se turqit dhe bullgarët do të shpallin luftë kundër Serbisë dhe Greqisë; por unë besoj se kjo nuk ka ndodhur ende. Do të ishte shumë mirë nëse e dërgoni te unë zotin Hässler. Sepse koloneli është tepër i lodhur; ai po ashtu është edhe paksa nervoz.

Me shumë përshëndetje, Hasani. 30 shtator 1914.

PS. Sapo mora vesh se Ramadan Zaskoku ka vdekur; do të ishte mirë që këtë lajm t’ia bëni me dije Esadit famoz».

Burimi: Arkivi Shtetëror i Austrisë
Përktheu nga gjermanishtja: Enver ROBELLI
Copyright për botimin në gjuhën shqipe: dialogplus. Ndalohet botimi nga çdo medium tjetër.