Ky amerikan qe 24 vjet kërkon një emër për Maqedoninë

Matthew Nimetz është një burrë i durueshëm: pas 24 vitesh përpjekjeje për të negociuar një përfundim të një prej debateve më të stërzgjatura ndërkombëtare sa i përket emrit të Maqedonisë, diplomati i SHBA-së më në fund po e sheh që përpjekjet e tij po japin fryte.

Përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara, Mathew Nimetz - Foto: REL/MIA



Maqedonia dhe Greqia thanë të hënën se kanë arritur më në fund në një platformë për zgjidhje të mundshme për debatin e tyre të gjatë mbi emrin e Maqedonisë, të cilin Greqia e kundërshton. Lajme të zhvillimit kaq të pritur, detajet e të cilit priten të përmbyllen dhe zbulohen nga dy kryeministrat në ditët në vijim, ndiqen me muaj nga bisedimet e thella të nxitura nga OKB. Burri në qendër të këtyre bisedimeve, diplomati i SHBA-së dhe ndërmjetësi i veçantë i deleguar nga OKB mbi debatin e «emrit», Matthew Nimetz, ka shpenzuar çerekun e jetës së tij në përpjekje për t’i sjellë të dyja palët në këtë pikë. Ai e bëri gjithë këtë për një pagë vjetore simbolike, për 1 dollar. «Njerëzit më pyesin: përse e bën këtë për më shumë se 20 vite tashmë… Një nga arsyet përse po përpiqemi të biem në ujdi këtu është që unë të dalë në pension tani», bëri shaka 78-vjeçari Nimetz në një intervistë të rrallë për Sitel TV të Maqedonisë në janar të këtij viti.

Nimetz është përfshirë në çështjen e emrit Maqedoni-Greqi që në vitet 1990, kur ka shërbyer si i deleguar special i ish-presidentit të SHBA-së Bill Clinton për këtë debat. Përpjekjet e tij ndërmjetësuese kulmuan në nënshkrimin e Marrëveshjes Provizore Athinë-Shkup nën nxitjen e OKB-së më 13 shtator 1995. Kjo zgjidhi shumë çështje të vonuara mes dy shteteve dhe i detyroi ata të vazhdonin bisedimet nën kornizën e kushteve të OKB-së. Ndërkaq, derisa të gjendej një marrëveshje e përhershme, Maqedonia ra dakord të përdorte referencën provizore «Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë» IRJM (FYROM) në OKB.

Nimetz u bë shumë shpejt përfaqësues i ish-ndërmjetësit të OKB-së për emrin, Cyrus Vance, dhe nisi të kryesojë bisedimet bilaterale. Kur Vance dha dorëheqjen në dhjetor 1999, Nimetz e mori përsipër si i deleguar.

Debati përqendrohet në kundërshtimin e Greqisë për emrin e Maqedonisë, që ka çuar në bllokimin e menjëhershëm të fqinjit të saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE derisa të ndryshohet. Greqia këmbëngul se përdorimi i emrit Maqedoni nënkupton pretendim territorial për provincën veriore të Greqisë, Maqedonisë dhe rrjedhimisht pretendim për trashëgiminë e lashtë greke. Në anën tjetër, Maqedonia thotë që pranimi i një emri të imponuar do ta fyente dinjitetin e saj kombëtar dhe më e rëndësishmja, të vinte në rrezik identitetin e popullit të saj, shumica e të cilës e quajnë veten «maqedonas».

Në fund të viteve ’90 dhe një pjese të vitit 2000, ndërsa çështja ngeli e pazgjidhur, marrëdhëniet ekonomike mes dy shteteve morën vrull gradualisht. Ritmi i bisedimeve për emrin të ndërmjetësuara nga OKB ishte i ngadaltë dhe pa një zgjidhje të parashikueshme, sidoqoftë. Në një intervistë për  BBC në gusht të 2017, Nimetz pranoi që kur e mori rolin e ndërmjetësit të OKB-së, kishte shpresuar që ky debat do të zgjidhej shpejt.

Por ai tha se hapi prej breshke i negocimeve që asokohe nuk e ka penguar asnjëherë për t’i vazhduar përpjekjet seriozisht. «Disa njerëz mendojnë që jam vetëm unë i ulur diku, duke menduar për ndajfolje për t’ia vendosur emrit të Maqedonisë – si Maqedonia e Re, Maqedonia e Epërme – por kjo çështje ka një rëndësi historike… rëndësi në ndërtimin e një kombi», tha ai. «Dhe nuk është asnjëherë e mërzitshme, karakteret pjesëmarrës që merren me të ndryshojnë gjithë kohës. Mendoni për një drejtor teatri që luan Mbretin Lir apo Hamletin, por me aktorë të ndryshëm në skenë. A mërziten ata?», pyeti ai.

Nimetz ka propozuar të paktën gjysmë duzine emrash alternativë për të dyja palët ndër vite, por pa dobi. Propozimet kanë përfshirë Maqedonia e Re, Sllavo-Maqedonia, Maqedonia Veriore, Vardar-Maqedonia – sipas lumit më të madh të vendit – dhe Republika e Maqedonisë me emrin e kryeqytetit, Shkup, në thonjëza. Debati u përshkallëzua përsëri në prill të vitit 2008 kur Athina veproi me kërcënimin e saj për t’ia bllokuar Shkupit hyrjen në NATO. Në 2009, Komisioni Europian dha dritën e gjelbër për Maqedoninë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Megjithatë, Greqia ndërhyri përsëri; pa pëlqimin e saj, BE në dhjetor të atij viti nuk mund të paracaktonte një datë nisjeje të bisedimeve.

Përpjekjet e reja të Nimetz, për të ndihmuar në mbylljen e çështjes pas bllokadës së Greqisë në NATO dhe BE, kishin dështuar; u bë shumë shpejt e qartë që dy shtetet po shkonin larg zgjidhjes.

Në 2010, ndërkohë, kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë Nikola Gruevski i hodhi benzinë zjarrit kur nxori në dritë një projekt të shtrenjtë për ta transformuar kryeqytetin maqedonas, të quajtur «Shkupi 2014». Shumica e panë projektin si një provokim ndaj Greqisë pasi pjesa kryesore ishte një shtatore 22 metra e lartë e mbretit luftëtar hero grek, Aleksandri i Madh. Greqia tha që Maqedonia nuk ka të drejtë të pretendojë Aleksandrin si pjesë e historisë së saj.

Debati i emrit u zhvendos diku tjetër, në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, ku Maqedonia paditi Greqinë për bllokadën për në NATO. Në dhjetor të 2011-ës, Gjykata Ndërkombëtare e caktoi Greqinë fajtore për shkeljen e marrëveshjes së 1995 të OKB-së me Maqedoninë me bllokimin e anëtarësimit të saj në NATO. Vendimi i dha pikë politike Gruevskit në «shtëpi», megjithëse, siç e parashikuan ekspertët, nuk e lëvizi bllokadën e Greqisë, por vetëm i bëri marrëdhëniet bilaterale edhe më të ndera.

Në 2013, Nimetz u përpoq t’i ripërtërinte bisedimet me një propozim të ri. Të dyja, si Republika e Epërme e Maqedonisë dhe Republika e Maqedonisë së Epërme u vendosën mbi tryezë. Por dreqi, si gjithnjë i fshehur në detaje, pasi propozimet ishin pjesë e një pakoje të gjerë që përfshinte çështje të ndjeshme si spektri i përdorimit të emrit të ri, emërtimi zyrtar i shtetasve, kombësisë së tyre, shtetësisë dhe gjuhës – gjithashtu dhe mundësinë e Maqedonisë për të bërë ndryshimet përkatëse kushtetuese. Athina dhe Shkupi ishin të pazotë për të rënë dakord mbi këto pika dhe bisedimet kaluan sërish në letargji.

Një mundësi e re veç sa u ngrit në 2017-ën me ndryshimin në qeverinë e Maqedonisë. Nacionalistët e së djathtës qendrore të Gruevskit e humbën pushtetin dhe qeveria e re e udhëhequr nga Zoran Zaev e socialdemokratëve u zotua për rindërtimin e marrëdhënieve me Greqinë dhe të kërkojnë një kompromis mbi emrin e vendit që nuk e vinte në rrezik identitetin kombëtar të maqedonasve. Zaev gjeti një partner po aq entuziast tek kryeministri grek Aleksis Cipras dhe bisedimet zyrtare për emrin më në fund nisën me një tjetër zell në fillim të këtij viti kur Nimetz parashtroi një tjetër linjë idesh. Edhe pse Nimetz e pranoi që pakoja e tij përmbante shumë më pak se propozime konkrete emrash, ai u shpreh optimist që rrethanat kishin ndryshuar dhe se me vullnet politik, një zgjidhje e goditur ishte tanimë e afërt.

Nimetz tha njëherë që besonte se debatet mund të zgjidhen kur vjen koha e duhur. «Thjesht shihni Irlandën Veriore apo ribashkimin e Gjermanisë», i tha ai BBC-së. «Ndryshimi mund të ndodhë pasi ngjarjet i bëjnë njerëzit t’i shohin gjërat me një prizëm tjetër, ose liderët e rinj mund të vijnë në pushtet me autoritetin politik për të ndërmarrë vendime të vështira. Ose njerëzit mundet thjesht të lodhen nga një debat i pambarimtë», shtoi ai.

Prej sa viteve të tij të kaluara si ndërmjetës emri, Nimetz ka ndërtuar një reputacion si një diplomat i matur dhe metodik i cili shpesh është fjalëpakë kur biseda kalon në zbulime detajesh. Udhëheqësit aktual maqedonas dhe grekë duken po aq të matur kur zbulojnë detaje të kornizës së propozuar rishtas për marrëveshje, të paktën derisa i shqyrtojnë të gjitha hollësitë. Ata për shembull nuk kanë komentuar mbi spekulimin më të fundit në disa media, që kompromisi i ri mund të jetë Republika Veriore ose e Epërme e Maqedonisë. (BIRN)