Kuvendi në ngërç, Veseli shpërndan premtime nëpër komuna

Mungesën e seancave plenare kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, po e kompenson me vizita nëpër komunat e Kosovës, gjatë të cilave po u jep premtime qytetarëve dhe përfaqësuesve komunalë, praktikë kjo e cila nuk është aplikuar shumë nga paraardhësit e tij në krye të Kuvendit.




Megjithëse institucioni të cilin e drejton nuk e ka shqyrtuar asnjë ligj që prej nisjes së sesionit vjeshtor për shkak të bllokadës parlamentare nga opozita, këto vizita Veseli po i bën me qëllim të identifikimit të sfidave me të cilat ballafaqohen drejtuesit komunalë, në mënyrë që iniciativat ligjore të gjejnë përkrahje nga Kuvendi i Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Por janë 22 projektligje në procedurë, të cilat po presin miratimin dhe nuk po mund të procedohen për shkak të ngërçit në seanca plenare. Ata që përcjellin punën e Kuvendit thonë se kryetari Veseli nuk duhet të krijojë pritje jorealiste tek qytetarët se Kuvendi do t’i zgjidhë problemet që janë në kompetencë të Qeverisë.