Kuvendi mblidhet të enjten, s’flet për demarkacionin e EULEX-in

Në minutën e 59 të orës 23 të së mërkurës së 15 qershorit do të përfundojnë kompetencat e EULEX-it në drejtësinë e Kosovës.

Por, Kuvendi i Kosovës nuk e ka në plan ta diskutojë e ratifikojë këtë çështje jo të paktën në afatin kohor që Qeveria planifikonte ta bënte atë, pasi seanca e parë për këtë javë do të mbahet më 16.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, nuk ka sqaruar arsyet e mosrespektimit të këtij afati që u kërkua të premten nga Qeveria, por ka thënë se dëshiron të përçojë mesazhin e rëndësishëm që duhet të ketë partneritetin ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Por, kryeparlamentari i ka lënë të hapur mundësinë Qeverisë së Kosovës, të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje.

Veseli ka thënë se ajo çka kanë mundur të dakordohen në mbledhjen e kryesisë, ka qenë të caktohet seancë plenare për 16 qershor, me pika të parapara të rendit të ditës.

Kreu i legjislativit nuk ka treguar nëse marrëveshja për demarkacionin do të hyjë gjatë këtij sesioni në Kuvend, por ka thënë se për këtë çështje, kur është në pyetje interesi i territorit të Kosovës, duhet të ketë konsensus ndërmjet të gjitha partive politike, pasi sipas tij, nevojiten 2/3 e votave.

Sidoqoftë, në seancën e së enjtes deputetët do të zgjedhin drejtorin e ri të Kundër Korrupsionit.

Po ashtu, në këtë seancë do të diskutohen edhe një varg projektligjesh ekonomike si dhe do të shqyrtohet raporti i punës së OSHP-së, KRPP-së, AKP-së dhe të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.