Kuvendi i heq imunitetin Prengës mes debateve për «dekriminalizimin»




Kërkesa e Prokurorisë për deputetin e Lezhës, Armando Prenga rikthen debatin e nxehtë në Kuvend për pastrimin e politikës nga personat me rekorde kriminale.  

 

Kuvendi i Shqipërisë votoi me 118 vota pro për heqjen e imunitetit të deputetit Armando Prenga, i cili akuzohet për përleshjen masive me shtatë të plagosur që ndodhi mesnatën e së premtes në qytetin e Laçit. Një deputet i PDIU-së votoi kundër heqjes së imunitetit të Prengës dhe një tjetër abstenoi.

Deputeti i qarkut të Lezhës, Armando Prenga u arrestua mëngjesin e së shtunës me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, pasi akuzohej se ishte përfshirë në konfliktin e armatosur me familjen Cali. Shkak i këtij konflikti u bë një tender i Ministrisë së Bujqësisë, që i kalonte të drejtën e peshkimit në luginën e Patokut kompanisë së vëllait të deputetit Prenga.

Prokuroria e Përgjithshme e akuzoi Prengën për tre vepra penale dhe i kërkoi Kuvendit që të votonte pro arrestimit të deputetit të Lezhës. Në mbledhjen urgjente të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve në Parlament, Prenga i cilësoi të padrejta akuzat dhe mohoi të kishte përdorur armën në konflikt.

Partia Demokratike në opozitë e shfrytëzoi rastin e Prengës për të çuar përpara axhendën e dekriminalizimit të Parlamentit; e mbetur pezull prej muajsh pasi mazhoranca dhe opozita nuk ranë dakord për të kaluar një ligj të përbashkët.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha në Kuvend se Prenga nuk është deputeti i vetëm i mazhorancës që ka probleme me drejtësinë. Berisha përmendi një listë të gjatë deputetësh të mazhorancës, që sipas tij janë të kriminalizuar dhe fajësoi për këtë kryeministrin Rama që i ka zgjedhur.

Deputeti Armando Prenga, i përjashtuar nga Partia Socialiste pas ngjarjes së Laçit nuk është i vetmi i zgjedhur i mazhorancës që ka provuar prangat apo është vendosur nën akuzë në këto dy vite të qeverisjes së të majtës.

Më parë, Prokuroria urdhëroi arrestimin e Tom Doshit dhe Mark Frrokut, si të implikuar në një skenar të rremë për të akuzuar kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. E ndërsa Doshi u lirua, Frroku gjendet aktualisht në qeli, i akuzuar për një vrasje të ndodhur në Beligjikë në vitin 1999.

Akuza penale u ngritën edhe kundër dy deputetëve të tjerë të PS, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, pas përplasjes fizike që patën në Parlament me deputetin demokrat, Gent Strazimiri. Çështja kundër tyre u pushua nga Gjykata e Lartë, me argumentin se dy deputetët ishin ndëshkuar më parë në mënyrë administrative nga Kuvendi.

Dekriminalizimi i politikës është gjithashtu një kërkesë e fortë e organizatave ndërkombëtare për Shqipërinë, e ngritur me forcë nga ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian para zgjedhjeve lokale të 21 qershorit.

Megjithatë, kjo axhendë ka mbetur në vend, edhe pse mazhoranca dhe opozita janë zotuar në dhjetor të vitit 2014 me një rezolutë të negociuar nga Parlamenti Europian se do të hartonin ligjin që do të mundësonte nxjerrjen jashtë Kuvendit të personave me rekorde kriminale. Birn Albania