Kuvendi i bllokuar pengon projekte financiare afatgjate

Qeveria e Kosovës mund të mos nisë asnjë projekt me financim të kredive afatgjate nëse Kuvendi vazhdon të mbetet i bllokuar, raporton KTV.




Për realizimin e projekteve të mëdha, që janë pjesë e marrëveshjes me FMN-në për rritje të borxhit publik për investimet kapitale, duhet të votohet ligji për rritjen e borxhit publik.

Kjo situatë ka shtyrë Ministrinë e Financave, që draft buxhetin për vitin e ardhshëm për pjesën e borxhit të jashtëm ta dërgojë me ligjin e vjetër, transmeton Koha.net.

Në prezantimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, ministri Avdullah Hoti ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2016 do të jetë 3.8%, aq sa mund të sillet edhe në dy vitet tjera, por se ajo mund të ndryshojë nëse kryhen investimet në Kosovën e Re dhe në Brezovicë.

Ai ka thënë se parashihet rritje e eksporteve të kompanive vendëse dhe se janë ulur shpenzimet në mallra dhe shërbime në vlerën prej 15 milionë euro. Mirëpo, me një pjesë të përmbajtjes së këtij buxheti nuk kanë qenë të kënaqur deputetë të PDK-së.