Kuvendarët e Ferizajt refuzuan kërkesën e VV të diskutohet për «Zajednicën»

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të diskutuar për Asociacionin e Komunave Serbe nuk u fut në rend dite të seancës së Kuvendit të Ferizajt, ndaj ky subjekt braktisi punimet.




Në mbledhjen e Komitetit të Politikës dhe Financave kjo pikë kishte arritur të futej në rend dite, mirëpo në mbledhjen e rregullt të KK-së nuk ka kaluar pika për diskutimin dhe pasojat e Asociacionit, shkruan sot «Koha Ditore».

«Në mbledhjen e KPF-së, LVV-ja ka kërkuar që në seancën e radhës të debatohet lidhur me sfidat që e presin Komunën e Ferizajt dhe qytetarët e saj nëse krijohet Asociacioni… Kjo pikë ka kaluar në KPF me 5 vota për dhe 4 vota kundër, e ku është përkrahur edhe nga përfaqësues të PDK-së dhe AAK-së në KPF», ka thënë Sylejman Zeka, këshilltar i «VV»-së. Por të martën, sipas tij, ka qenë LDK-ja ajo që ka kërkuar të hiqej nga rendi i ditës kjo pikë.

«Ndërsa shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Muhamet Qerkini, ka kërkuar që kjo pikë të hiqej nga rendi i ditës. Për këtë në shenjë proteste ne kemi lëshuar mbledhjen, sepse një pikë, e cila ka kaluar në KPF, qëllimisht hiqet nga rendi i ditës me të nisur seanca», ka shtuar Zeka.

E zhgënjim për këtë hap të pozitës ka shprehur edhe Emrush Xhemajli, koordinator i «VV»-së në Ferizaj. Sipas tij, pushteti aktual nuk shpreh gatishmëri të diskutojë për pasojat dhe problemet që kanë për të pasur qytetarët e Ferizajt, lidhur me krijimin e Asociacionit. Shumë qytetarë të Ferizajt, sipas tij, kanë prona edhe në Komunën e Shtërpcës dhe kjo do t’u kushtojë shumë.

«Ne kemi pasur interesim ta diskutonim Asociacionin në Kuvend vetëm për pasojat që do të vijnë në territorin e Ferizajt dhe jo më larg. Ndërsa edhe për këtë gjë ky pushtet nuk ka shprehur gatishmëri», ka thënë Xhemajli.

Por kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarça, nga ana tjetër, po insiston se Komuna që ai drejton dhe Kuvendi Komunal nuk mund të debatojnë për tema të nivelit qendror. Svarça ka deklaruar po ashtu se është fat i keq që kjo shoqëri po dëshmon se është paradoksale.

«Është anakronizëm absolut që njerëzit që pengojnë raportimin e kryeministrit aty ku është vendi në Parlament kërkojnë që ta zhvendosin debatin aty, nuk është vendi në nivel lokal. Prandaj duke vlerësuar se Kuvendi Komunal si instancë e pushtetit lokal absolutisht nuk është kompetent të debatojë për tema të nivelit qendror, nuk kemi arsye ta miratojmë kërkesën për debat nga «VV»-ja. Ne respektojmë dëshirën e secilit subjekt politik të debatojë për tema të ndryshme, por jo në atë mënyrë që t’i bëhet gjyq dikujt në instancë të ulët aty ku nuk është vendi», ka thënë Svarça.