«Kutia postare» e ministrit serb në Zürich

Nenad Popoviq është njëri prej biznesmenëve serbë me lidhje të ngushta me Rusinë. Sipas dokumenteve të «Paradise Papers» ai ka një vendbanim në Zürich dhe është përpjekur që përmes auditorëve të këtushëm të kursejë tatime.

Nenad Popoviq.



Dikur Nenad Popoviq i shërbente Vojisllav Koshtunicës, tani i qëndron gatitu Aleksandër Vuçiqit. Mbi të gjitha Popoviq është lojal ndaj Rusisë, atje zhvillon biznes prej vitesh, atje ka fituar tenderë, atje mban lidhje me njerëz të afërt me Kremlinin. Popoviq është pronar i konglomeratit «ABS Electro» me mbi 3 mijë punëtorë. «Serbia përherë ka qenë në anën e Rusisë dhe kështu do të jetë edhe më tutje», thotë Popoviq.

Por, ai vetë, kur është puna e kursimit apo potencialisht edhe ikjes nga tatimet, është edhe në anën e Zvicrës. Në Küssnacht, një fshat i pasur në Bregdetin e Artë (Goldküste), siç quhet kjo pjesë buzë liqenit të Zürichut, Popoviq ka lajmëruar vendbanimin e tij. Banesa e tij gjendet në një shtëpi me disa familje, mes varrezave dhe një ordinance kafshësh të vogla.

Pse të banojë një ministër serb ne Zürich? Sepse Popoviq me gjasë shpresonte se nga këtu do të arrinte që me ndihmën e auditorëve të firmës PWC të krijojë një konstrukt të firmave offshore për të kursyer tatime. Kjo bëhet e qartë nga «Paradise Papers» (Dokumentet e Parajsës), të cilat nga burimet e saj i ka marrë gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» dhe të cilat po publikohen prej ditësh nga mediat në mbarë botën. Në qeverinë e Serbisë Popoviq është ministër pa portofol. Siç njofton gazeta e Zürichut «SonntagsZeitung» për vendbanimin e Popoviqit në Küssnacht nuk dinte as kryetari i komunës Markus Ernst. Ideja e konstruktit të firmave për kursim të tatimeve ka mbetur pa u realizuar, siç ka njoftuar Popoviq. (dp)