Kushtim

Johann Wolfgang von Goethe.

Fausti. Tragjedi. Pjesë e zgjedhur

Ç’më shfaqi rish ju, hije vagullore,
që ethshëm pa dikur ky syri im!
A të provoj t’ju rrok e t’ju mbaj prore?
Ma josh prap’ zemrën vall’ ai vegim?
Buisni ju mes fjollash mjegullore.
Po eni shpejt, pra, eni fluturim!
Në gji se ç’më vërshon një fllad rinie,
tek shoh që vini si puhi magjie.

Më sillni ju të ëmblën koh’ të shkuar,
Shoh mjaft fytyra t’shtrenjta përsëri,
si sag’ e moçme, gjysmë e harruar,
më shfaqen miqt’, e para dashuri.
Me dhembj’ e gjëmë prap’ në krahëruar
kujtoj çdo çap të jetës, çdo ndodhi,
thërres shpirtmirët, që prej nesh u ndanë
dhe plot të bardha orë dot s’i panë.

S’do t’i dëgjoj më këngët e mia,
nga këngët e mëparshme kush u tund;
u davarit e humbi miqësia,
jehon’ e parë, ah, ka marrë fund.
Kumbon për të panjohur melodia
dhe vet’ pëlqim’ i tyre më sjell mund,
nga kënga ime kush u ndje gazplotë,
edhe në rron, ka humbur nëpër botë.

Më zë një mall i vjetër, një dëshirë
për atë botë shpirtrash që s’pipëtin,
dhe kënga ime me të pështirë
si harpë eoliane tingëllin.
Pa zbutet, shkrehet zemra që kish ngrirë,
e dridhet shtati, loti lotin prin.
Çka pranë kam, më bëhet se largohet,
e çka qe zhdukur, gjallë krejt më afrohet.

Përktheu: Shpëtim Çuçka