Kushti gjerman për Serbinë: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën

Ndërsa Serbia priste «zbutjen» e BE-së për të hapur kapitujt 23 e 24 të negociatave për aderim, asaj i janë shtruar kushte të panegociueshme nga disa vende, të cilat duhet t’i plotësojë para se bëjë këtë hap drejt BE-së.

Mediet serbe përmendin sot si kusht kryesor hapat që duhet t’i bëjë Serbia për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pastaj çështja e pakicave dhe bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës, transmeton Koha.net.

Mediet serbe citojnë DW, sipas të cilit vendet fqinje i kërkojnë Serbisë mbrojtje më të mirë të pakicave, kurse Gjermania ka paralajmëruar se kapitujt e tjerë të negociatave të Serbisë me BE-në do të mund të hapen kur të bëjë hapa përpara në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Kërkesa të ndryshme më të mëdha a më të vogla ndaj Serbisë kanë Rumania, Bullgaria, Hungaria, Gjermania e Finlanda.

Gjermania do të mbështesë hapjen e kapitujve të tjerë vetëm «pasi të bëhen përparime në mbylljen e vrimave të tjera në zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve nga prilli i vitit 2013».

Mediat e Beogradit citojnë DW, se sipas një dokumenti sekret të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë theksohet se «Berlini kërkon që Beogradi e Prishtina të vazhdojnë dialogun teknik, por edhe bisedimet midis përfaqësuesve të lartë politikë, posa të formohet Qeveria e Serbisë».

Berlini insiston po ashtu që pozicioni negociues i Bashkimit Europian të zgjerohet në ndryshimin e theksimit «shqetësues» të zërave serb gjatë fushatës parazgjedhore, për «interesin kombëtar të Serbisë në Kosovë dhe në Republika Srbska» dhe fare pak është folur për «ambiciet e aderimit në BE».

Rumania kërkon që Serbia të lejojë kryerjen e shërbimeve fetare në gjuhët e pakicave. Serbia pret që deri në fund të qershorit të ndodh hapja e kapitujve 23 e 24 të negociatave.