Kushtetuta dhe politikanët e pengojnë votën e mërgatës

Sistemi ynë nuk i len mërgimtarët me votu. Që ata me pasë nge me u regjistru dhe me i dërgu me kohë fletëvotimet, kushtetuta jonë duhet me e caktu ditën e saktë të zgjedhjeve.




O nuk bani faksi. O më thanë s’e kam dëshmu shtetësinë. O ma çuen fletëvotimin nji ditë mbas zgjedhjeve. Këto ankesa i kam pas ba varg ndër vite sa kam jetu në mërgim. Por pakkush brengosej. Mërgimtarët ose ishin të painteresuem me votu, ose e dijshin që s’ia vlen në nji sistem që asht i mbaruem për me i lanë anash.

Punën e bamë pak të madhe mbas zgjedhjeve të 2014-s, kur e morëm vesh se mbi gjysma e jashtëvendasve e kanë zgjedhë nji parti t’opozitës. Pastaj heshtëm. Zhurmën përmbajtjesore e nisëm tek kët muej, në vigjilje të zgjedhjeve të reja. Por edhe tash, merremi veç me simptomat: s’po ban posteli (imejlli) i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, po na mashtron dikush, po ngatrrohet posta, s’po dijnë gjindja me mbushë formularë! Thelbin po e anashkalojmë.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka na tregon ku asht problemi. «Ne nuk kemi faj që zgjedhjet janë shpallur për 30 ditë. Kjo është kostoja e zgjedhjeve të parakohshme, edhe këtë nuk mundem ta rregulloj as unë, e as KQZ-ja, me gjithë dëshirën», i paska thanë dje Kohës Ditore. Fajin e menjihershëm e ka kryetari i republikës. Mbasi Kuvendi e votoi mosbesimin ndaj qeverisë, presidenti Hashim Thaçi i shpalli zgjedhjet me ngut, tue i caktu për datën ma të hershme të mundshme, 11 qershor. Ma së voni, ai mujti me i lanë për të 25-tin, por nuk deshti.

Dy javë ditë kishin me u dhanë ma shum kohë si zyrtarëve ashtu dhe qytetarëve me i ndreqë letrat. Por ndoshta jo mjaft. Fajin përfundimtar e kanë kushtetuta dhe partitë që e shfrytëzojnë kushtetutën. Ligji ma i naltë i vendit i lejon deputetët me e rrëzu qeverinë kur t’u teket dhe me kërku zgjedhje të reja kur t’u teket. Kjo mundet me ndodhë si në pikë të dimnit, si në vlug të verës — si kur ka ma shum votues, ashtu dhe kur s’ka. Pastaj, zgjedhjet e reja mbahen ma së largu mbrenda 45 ditësh.

Ngutia kushton me lekë dhe me dështime si mosvotimi i mërgimtarëve që e damtojnë demokracinë. Sistemi asht i prishtë, dhe kushdo që e fiton shumicën në qershor do të duhet me e ndryshu kushtetutën dhe me e ndreqë sistemin. Dardania (Kosova) duhet me e caktu nji ditë mbrenda vitit kur do t’i mbajë zgjedhjet e rregullta: për shembull, të dielën e dytë të majit. Dhe saherë të ketë nevojë që qytetarët me e hedhë kokrrën, do ta hedhin qat ditë.
Për hir të qeverisjes sonë parlamentare, mujmë me e shënu edhe nji ditë tjetër, dikur në vjeshtë, për zgjedhje të parakohshme. Dhe nëse Kuvendi shpërndahet ma pak se tre muej para ditës së zgjedhjeve të rregullta, me i mbajtë ato në ditën e të parakohshmeve. Por n’asnji mënyrë mos me lujtë me datat. Demokracia ma e vjetër e botës — dhe miku ynë ma i madh, SHBA-të — nuk lun. Na mujmë me qenë si ajo, ose me u ba si tiranët e lashtë që vitit ia shtojshin muejin e 13 të pelegrinazhit, vetëm sa me pru ma shum turista në bujtinat e tyne.