Kush thotë paqe, shkon në burg

Autokrati turk Rexhep Taip Erdoan po arreston aktivistë të të drejtave të njeriut dhe shkencëtarë, të cilët kritikojnë ofensivën e tij në Siri.

Rexhep Taip Erdoan.



Është luftë dhe askush nuk guxon të kundërshtojë. Kryetari turk Rexhep Taip Erdoan po e shfrytëzon ofensivën e ushtrisë së tij në Siri për t’i larë hesapet me kundërshtarët e brendshëm politikë. Një thirrje për paqe në Turqi ndërkohë konsiderohet «propagandë për terror». Kush bën apele të tilla në mediat sociale, përcillet nga policia me pranga në duar. Gjatë fundjavës këtë e provoi Ali Erol. Ky aktivist i të drejtave të njeriut e kishte penguar mobilizimin patriotik, duke e përmendur në Twitter shkresën «Jo luftës, paqe tani» të Shoqatës së Mjekëve të Turqisë.  Bashkë me Erol, i cili ka themeluar organizatën më të madhe turke të komunitetit LGTBI, u arrestuan edhe 12 njerëz të tjerë, mes tyre edhe një aktiviste e partisë prokurde HDP.

Që nga fillimi i sulmeve të trupave turke kundër territoreve kurdë në Siri para dy javësh Ministria e Brendshme e Erdoanit ka arrestuar 573 persona, siç u bë e ditur të hënën. Shumica akuzohen në mënyrë paushalle se po përkrahin «terroristët» kurdë në rajonin Afrin të Sirisë veriore.

«Një bandë skllevërish»

Viktima më prominente e valës së re të represionit është Rashit Tykel. Ky mjek jep mësim në Universitetin e Stambollit dhe udhëheq qe dy vite Shoqatën e Mjekëve të Turqisë (TBB), një sindikatë me mbi 80 mijë anëtarë. Tykel dhe udhëheqës të tjerë të shoqatës publikuan një deklaratë, në të cilën tërhoqën vëmendjen se intervenimi ushtarak turk në Siri mund të ketë pasoja fizike, psikike, sociale dhe ekologjike.

Menjëherë ata u përballën me zemërimin e Erdoanit. Këta mjekë, tha Erdoan, na qenkan «shërbëtorë të imperializmit», «dashnorë të terroristëve», një «bandë skllevërish» dhe «nuk janë intelektualë». Pastaj drejtësia super e pavarur e Erdoanit u bë aktive dhe i futi në burg Rashit Tykelin dhe kolegët e tij. Ata po akuzohen për «propagandë për një organizatë terroriste dhe provokim të opinionit publik».

Domethënë mjafton të tërheqësh vëmendjen mbi «problemet e pariparueshme» që sjellë lufta, siç kanë bërë mjekët turq, dhe do të gjendesh në shënjestër të autoriteteve. «Çdokush që kundërshton operacionin në Afrin përkrahë terroristët», tha ministri i Jashtëm Mevlyt Çausholu.

Mjekët kryengritës janë qëmoti halë në sytë e Erdoanit. Pas dështimit të puçit në korrik 2016 Shoqata e Mjekëve kishte kritikuar largimet arbitrare nga puna të personelit mjekësor dhe mbylljen e spitaleve, të cilat konsideroheshin dorë e zgjatur e lëvizjes arismore dhe fetare të Fetullah Gylenit. Ndërkohë gati 6000 shkencëtarë janë e përjashtuar nga puna, 15 universitete private janë mbyllur.

Gjithkund vetëm puçistë dhe përkrahës terrori

Që para puçit Erdoani ishte nevrikosur me nismën «Akademikët për Paqe». Atëbotë më shumë se 1000 shkencëtarë kërkuan t’i jepet fund luftimeve kundër kryengritësve kurdë në juglindje të Turqisë- Që nga tetori 2016 kryetari autokrat mund t’i emërojë rektorët me dekret. Bartësit e sistemit sekular arsimor po largohen nga puna, përkrahësit e partisë AKP të Erdoanit po marrin poste me ndikim në universitete. Për shumë shkencëtarë mbetet vetëm një rrugëdalje për t’i shpëtuar represionit: ekzili.

Një vit e gjysmë pas përpjekjes për puç Erdoani dhe vartësit e tij gati gjithkund në shoqërinë turke shohin puçistë, terroristë dhe përkrahës terrori. Ata thonë se aparati shtetëror duhet të spastrohet nga tradhtarët. Fushata nuk drejtohet vetëm kundër rivalëve politike dhe kritikëve në administratën shtetërore.

Javën që shkoi u burgos drejtori i Fondacionit islamik Furkan, Alparslan Kytul. Faji i tij: ai e kishte quajtur të ashtuquajturin «Operacioni Dega e Ullirit» kundër kurdëve në Siri një «shfaqje teatrale» të qeverisë. Kytul konsiderohet provokator islamist, i cili hedh poshtë të gjitha civilizimet – përveç atij islamik. Por edhe për njerëz të tillë Erdoani, i cili shfaqet si bajraktari i botës islamike, nuk ka mëshirë, kur ata kritikojnë fushatën e tij në Siri. Fakti se në Turqinë e Erdoanit ende janë në burg 150 gazetarë, nga shtetet perëndimore po pranohet pothuaj në heshtje.
(Tages-Anzeiger, Zürich)