«Kush nuk lëviz, nuk i ndien prangat»

Në 100-vjetorin e vrasjes së socialistes Rosa Luxemburg.

Varri i Rosa Luxemburg në Berlin.



E majta gjermane këto ditë po e kujton Rosa Luxemburgun. Ajo u vra më 15 janar 1919, pra para një shekulli. Rosa Luxemburg është ikonë e të majtës, e socializmit, e komunizmit. Ajo është gruaja që ngriti krye kundër sistemit sundues, kundër nacionalizmit, kundër shfrytëzimit – dhe rrezikoi shumë.

Në fillim të vitit 1919 ajo themeloi Partinë Komuniste të Gjermanisë (KPD). Nga qeveria e Republikës së Weimarit Rosa Luxemburgu urrehej për shkak të angazhimit të saj për ndryshime radikale. Këto ndryshime ajo i kishte kërkuar si anëtare e Lidhjes së Spartakut, një grup socialistësh radikalë të prirë nga Karl Liebknecht, Rosa Luxemburg, Clara Zetkin dhe Wilhelm Pieck. Ndërsa ishte në burg Luxemburg shkroi «Parimet mbi detyrat e socialdemokracisë ndërkombëtare».

Luxemburg u lind më 1871 në Zamość të Polonisë në një familje hebraike. Si nxënëse ajo u bashkua me grupin e Varshavës të quajtur «Proletariati i Dytë» dhe lexoi shkrimet e Karl Marxit. Kur e zbuloi policia cariste, ajo iku në Zvicër. Në Zürich studioi drejtësi, administratë, ekonomi dhe histori. Qëllimi i saj ishte të luftonte carizmin, kapitalizmin dhe të rrëzonte monarkitë anekënd Europës. Për të arritur këtë cak, ajo u angazhua në mobilizimin e klasës punëtore dhe themeloi gazetën «Arbeitersache» (Çështja e punëtorëve). Në programin e Lidhjes së Spartakut ajo kërkoi një republikë parlamentare gjermane dhe kufizimin e pushtetit të ushtrisë. Pas një kryengritjeje të Lidhjes së Spartakut në fillim të janarit 1919 Rosa Luxemburg dhe Karl Liebknecht u vranë nga forcat e parregullta ushtarake.

Kufoma e Luxemburg u hodh në një kanal dhe u gjet disa muaj më vonë. Fondacioni Rosa Luxemburg ka organizuar në Berlin gjatë fundjavës një konferencë me titullin: «Më së hareshmi jetoj në stuhi». Më 15 janar televizioni ARTE në orën 23:30 emiton filmin «Rosa Luxemburg ose: çmimi i lirisë» (nga data 15 deri më 21 janar filmi mund të shikohet edhe në mediatekën e televizionit në internet).

Sa herë që në Gjermani përmendet Rosa Luxemburg, nuk mungon as citimi i fjalive të saj të famshme: «Kush nuk lëviz, nuk i ndien prangat»; «Liri domethënë përherë liri e atij që mendon ndryshe nga ti»; «Kështu është jeta dhe kështu duhet ta pranojmë atë, trimërisht, me optimizëm dhe duke buzëqeshur – përkundër të gjithave».

Historiani gjerman Ernst Piper sapo ka botuar një biografi të Rosa Luxemburgut, e cila u vra në moshën 47-vjeçare. Në një recension të gjatë gazeta «Süddeutsche Zeitung» shkruan se Rosa Luxemburg ishte vrarë për herë të dytë – dhe atë në vitin 1931, kur Stalini e shpalli armike të komunizmit sovjetik për shkak të konceptit të saj të «revolucionit permanent». Kundërshtarët politikë e kanë akuzuar Rosa Luxemburgun se dëshironte të rrëzonte pushtetin me revolucion. Por, ajo më shumë ishte e bindur se revolucioni nuk mund «të bëhet», sepse revolucioni ndodh vetvetiu.

Një ndër arsyet se përse Rosa Luxemburg studioi në Zürich, kishte të bënte me atmosferën pak më liberale në Zvicër. Universiteti i Zürichut i kishte lejuar gratë të studionin që në vitin 1840; në Gjermani dhe Austri kjo u bë e mundshme tek në fillim të shekullit të ’20. Chaim Weizmanni, presidenti i parë i Izraelit, i zgjedhur më 1949, në atë kohë kishte studiuar në Zvicër dhe thënë se në këtë shtet takoheshin «forcat revolucionare nga mbarë Europa». Mentori i doktoratës së Rosa Luxemburgut ishte Julius Wolf, një kundërshtar i marksizmit. Por, kur ai e lexoi punimin mbi zhvillimin industrial të Polonisë, tha se autorja e zotëronte temën fund e krye dhe kishte punuar me shumë kujdes dhe mendjemprehtësi. «Autorja është socialiste dhe ajo angazhohet për pikëpamjen e ashtuquajtur materialiste të historisë», por kjo, sipas tij, nuk i bën dëm zellit e punës që është shumë më i madh se ç’kërkohet zakonisht për një punim të tillë.

Në fjalimin e tij me rastin e varrimit të Rosa Luxemburgut avokati Paul Levi tha: «Pas pesë muajsh po ia japim tokës atë që i takon tokës nga Rosa Luxemburgu. Por, trupi i vdekur ringjallet dhe me të çohet mallkimi, mallkimi i trefishtë për ata që e bënë këtë». Vrasja e Rosa Luxemburgut e përçan edhe sot të majtën gjermane. Sepse kur u vra ajo, në pushtet ishte një qeveri socialiste, të cilën Rosa Luxemburg nuk e konsideronte aq të majtë sa duhet për t’u ballafaquar me nacionalizmin. Më 1933 pushtetin e mori Adolf Hitleri – përballë kishte një të majtë dhe partitë konservatore të paafta e të pafuqishme për t’iu kundërvënë.