Kush na e ka fajin?




Nga Shpëtim POLLOZHANI*

 

Këtë shkrim do ta filloj me thënien e Shekspirit «kur një i verbër i udhëheq të marrët» dhe do të vazhdoj me satirën ose fabulën e Radoje Domanoviqit, e cila quhet «Prijësi» («Vodja»), sipas së cilës një popull i lodhur, i rrahur dhe i poshtëruar, e kishte zgjedhur një prijës që të shpëtonte nga ajo situatë. E kishin zgjedhur atë prijës për arsye se ai fjalët i kishte të pakta. Populli nuk e kishte njohur mirë atë person. E kishin zgjedhur të ngratët, pasi ky ua kishte premtuar tokën e ëndrrave. Gjatë rrugëtimit për në tokën e ëndrrave, shumë udhëtarë kishin rënë nëpër gropa dhe humnera, mirëpo ata përsëri ishin ngritur në këmbë, duke e ndjekur verbërisht prijësin e vet. Prijësi në fund të rrugëtimit i kishte futur në një kënetë, nga e cila ndjekësit filluan të mbyten një nga një. Në fund, të gjithë e kuptuan se prijësi nuk fliste, pasi nuk kishte se çfarë të tregojë. Dikur ata e pyetën përse i futi në këtë kënetë? Ai u tha: «Unë jam i verbër dhe nuk shoh aspak…» Ata që ngelën gjallë u kthyen prapë, por tash edhe më të lodhur dhe më të vobektë…

T’i kthehem përsëri mendimit të Shekspirit, për ta portretizuar gjendjen tonë.

Kush e ka fajin që një autobus të mbushur me të marrë e drejton një i verbër?!

Kush e ka fajin që unë, ti dhe ai pranë teje jemi në atë autobus?!

Kush e ka fajin që edhe pse shoferët tanë disa herë na kanë futur në kënetë, ne i rizgjedhim përsëri?

Kush na e ka fajin që autobusi, në të cilin jemi ne, nuk drejtohet madje as nga shoferët tanë të verbër, por është i teledirigjuar me një shofer të verbër pranë timonit?!

Kush na e ka fajin që 90 për qind e deputetëve shqiptarë nuk e hapin gojën asnjëherë në Parlament, të mos flasim për të «mëdhenjtë» – kryetarët e partive, të cilët as që duan t’ia dinë për të marrë pjesë nëpër seanca?!

Kush na e ka fajin që ne e kemi një ministër për Integrime Evropiane, kurse vetë Qeveria është kundër?!

Kush na e ka fajin që kompetencat e ministrave shqiptarë i ushtrojnë zëvendësit e tyre maqedonas?!

Kush na e ka fajin që ne zgjedhim përfaqësues, të cilët denbabaden kanë luftuar për sunduesit tanë?!

Kush na e ka fajin që të gjithë ata që vihen në shërbim të «dërzhavës», listat me emrat e tyre një herë duhet të kalojnë nëpër duart e shefit të shërbimeve sekrete?!

Kush na e ka fajin që mafiozët tanë mund të grumbullojnë më shumë vota se intelektualët tanë?!

Kush na e ka fajin që njerëzit, duke e shitur votën për pesë euro, e shesin shpirtin e vet?!

Kush na e ka fajin që diploma e fakultetit merret menjëherë pasi ta kesh paguar?! Kjo çështje ishte temë edhe në Parlamentin e Shqipërisë.

Kush na e ka fajin që ne kemi universitete, të cilat nuk kanë asnjë institut ose bibliotekë?!

Kush na e ka fajin që shumë profesorë kanë qenë të detyruar të nënshkruajnë me qindra indekse të «njerëzve të merituar»?!

Kush na e ka fajin që ne zgjedhim parti për të na e zbrazur Strugën, Dibrën, Kërçovën, Kumanovën, Shkupin, Tetovën, Prespën, Manastirin, Gostivari?!

Kush na e ka fajin që e vramë shpirtin rebel të popullit tonë?!

Kush na e ka fajin që nuk lëvizëm as edhe me gishtin e vogël kur u masakruan Gostivari, Brodeci, Bit Pazari, Komandant Kushtrimi – Harun Aliu me shokë dhe qindra vrasje të tjera?!

Kush na e ka fajin që Shoqata e të Burgosurve Politikë Shqiptarë e organizon një protestë katër muaj me radhë dhe në të nuk morën pjesë më shumë se 300 individë, kurse janë mbi 25 mijë të persekutuar?!

Kush na e ka fajin që për maqedonasit ka ligj për zhdëmtim të ish të burgosurve politikë, kurse ne shqiptarëve dita-ditës po na shtohen të burgosurit politikë (fakt i vërtetuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në raportet e Stejt Departamentit Amerikan, në raportin vjetor të Avokatit të Popullit dhe shumë institucione të tjera)?!

Kush na e ka fajin që fëmijët tanë në librat e historisë mësojnë se shqiptarë janë të ardhur në këto troje si fise të egër, derisa ne kemi pasur disa ministra të Arsimit shqiptarë. Kush na e ka fajin që çdo dhjetë vjet përgjysmohet numri i nxënësve shqiptarë nëpër shkolla!?

Kush na e ka fajin që «Shkupi 2014» është një projekt poshtërues për shqiptarët, ku në një investim, i cili gllabëron mbi 600 milionë euro, shqiptarëve u janë lejuar vetëm dy buste që akoma flenë në bodrum?!

Kush na e ka fajin që dëshmorët dhe invalidët e UÇK-së nuk kanë asnjë status juridik që familjet e tyre jetojnë nga lëmosha e aparatçikëve të partisë, që asnjë dëshmor i UÇK-së nuk e ka një përmendore në ndonjë qytet, por vetëm nëpër fshatra, larg syve të opinionit vendës dhe të huaj?!

Kush na e ka fajin që pesë ministritë «shqiptare» nuk kanë as 7 për qind të buxhetit të vendit dhe nga dhjetëra sektorë që i ka një ministri as pesë për qind të drejtorëve nuk janë shqiptarë…

Po flamurin për një të tretën më të vogël kush e votoi?!

Kush na e ka fajin që me kuadro komandues në ushtri dhe polici nuk jemi të përfaqësuar as me 2 për qind?!

Kush na e ka fajin që përfaqësuesit tanë ngjiten pas pushtetit si bajga pas këpucës?!

Kush na e ka fajin që në do zgjedhje Shkupi e rrëzoi Komandant Hoxhën, duke e shitur votën për pesë euro në llogari të një përfaqësueseje për faqe të zezë?! Kush na e ka fajin që Tetova e rrëzoi një prof. dr. – deputet model?!

Kush na e ka fajin që partitë shqiptare nuk ndërtojnë kuadro, institute dhe institucione?!

Kush na e ka fajin që partitë tona hyjnë në koalicion pa platforma politike të afatizuara?!

Kush e ka fajin që ne si popull nuk kemi ndërtuar mekanizma ndëshkues për kriminelët politikë?!

Kush e ka fajin që të tjerëve u ndërtojmë shtet e identitet, duke e shkatërruar kombin?!

Kush na e ka fajin që ne nuk e dimë se cili është shteti dhe cili është atdheu ynë?! Sipas politikës së sotme shqiptare, ne duhet të kishim pesë atdhe: romak, bizantin, otoman, Mbretërinë serbe, Jugosllavinë dhe, në fund, atdhe «makendonska dërzhavën»?!

Kush na e ka fajin që «opozita» shqiptare, e cila vepron me pozitën si dy telat e çiftelisë, nuk e ka organizuar as edhe një protestë në një kohë kur «dërzhava» vlon nga pakënaqësitë e palës joshqiptare?!

Kush e ka fajin që politika shqiptare nuk e ka ndërruar asnjë emërtim të rrugëve ose shesheve që mbajnë emra kriminelësh dhe kasapësh të sistemit komunist?!

Kush e ka fajin që në listat zgjedhore ka 200 mijë votues fiktivë maqedonas, 100 mijë karta të identitetit të rrejshëm. Kush na e ka fajin që në zgjedhje hyjmë me plus 30 deputetë maqedonas.

Kush e ka fajin që partia shqiptare në pushtet ia fali VMRO-së të tre deputetët e shqiptarëve në Diasporë (mos vallë ka ndonjë të marrë që mendon se maqedonasit i fituan ata tre deputetë)?!

Kush e ka fajin që për çdo një vit e gjysmë shqiptarët turren në zgjedhje si dhentë pas kripës?!

Fundja, kush ia ka fajin një kau, i cili ndonëse është më i fortë se 15 njerëz, një fëmijë ia vendos kërpeshin; ose kush ia ka fajin një deleje, së cilës ia marrin qumështin, leshin, mishin, qengjin dhe, në fund, edhe lëkurën e vetë asaj?!

Kush ia ka fajin malit, i cili ia ka dhënë sëpatës bishtin që ta presë?!

Kush e ka fajin që ne e kemi një fjalë të urtë: «Unë zot, e ti zot, po gomarin kush do ta kullosë»?!

Nuk mbulohet dielli me shoshë. Fajin e kemi vetë që zgjedhim argatë, të cilët po ia fërkojnë brinjët diktatorthit Gruevski, gjyshi i të cilit ka qenë hyzmeqar në çifligun e një beu shqiptar, diku nga anën e Florinës.

Ne kemi vlera, energji pozitive dhe kuadro. Duhet vetëm t’i heqim këto rriqra dhe t’i vendosim vlerat tona aty ku duhet. Popullin mund ta gënjesh një herë, njëqind herë, por ama jo përgjithmonë. Sa më shumë të zgjasë mashtrimi, aq më shumë do të rritet fatura.

*Autori është kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politik në Maqedoni

Qëndrimet e shfaqura në tekst nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë