Kush mund ta marrë sot Nobelin për Paqe?

Kancelarja gjermane apo një gazetar turk? Papa apo një bloger nga Arabia Saudite?

Angela Merkel. Ilustrimi: Shutterstock



Tashmë janë dhënë çmimet më të rëndësishme të Nobelit. Për kimi, biologji, letërsi… Sot ndahet çmimi Nobel për Paqe, mbase më i rëndësishmi. Kjo mirënjohje ndërlidhet edhe me Kosovën: e ka marrë Nëna Terezë, një shqiptare, e ka marrë Martti Ahtisaari, mes tjerash edhe për hapjen e rrugës për pavarësinë e Kosovës, e ka marrë Al Gore, jo për shkak të Kosovës, por për punën e tij në mbrojtje të ambientit, por Gore për publikun kosovar është i njohur, sepse gjatë intervenimit të NATO-s për çlirmin e Kosovës ka qenë zëvendës i presidentit Bill Clinton.

Nobelin për Paqe nuk e ka marrë Helmut Kohli, i cili vdiq sivjet. Ai ishte burrështetas, politikan që bashkoi Gjermaninë dhe Europën, por për shkak të rolit të tij në aferën e financimit ilegal të partisë ai, me sa duket, për Komitetin e Nobelit ishte i njollosur. Integriteti moral është i rëndësishëm për jurinë që ndan çmimin Nobel për Paqe.
Çdo vit si kandidate për këtë mirënjohje përmendet Angela Merkel, kancelarja gjermane, e cila rrezikoi edhe pushtetin për të pranuar gati një milion refugjatë nga Siria dhe vatrat e tjera të krizës. Merkel është bërë simbol i qëndrimit human dhe solidar ndaj refugjatëve. Prej se në Shtëpinë e Bardhë është futur Donald Trumpi kancelarja gjermane është shpallur edhe lidere e botës së lirë. Trump nuk ka kapacitet të luajë këtë rol.

Si kandidatë të mundshëm për Nobelin për Paqe përmenden Mohamad Xhavad Zarif, ministër i Jashtëm i Iranit, dhe Federica Mogherini, kryediplomate e BE-së. Ata mund të nderohen për arritjen e marrëveshjes mbi programin bërthamor të Iranit. Të dy shihen si ndërtues të urava mes Perëndimit dhe Iranit. Një mirënjohje e tillë do të ishte e çuditshme, sepse Mogherini nuk është marrë aq me kapitullin e Iranit, madje edhe pas zgjedhjes në post me këtë çështje vazhdoi të merret paraardhësja e saj, Catherine Ashton.

Laureat i mundshëm është edhe Papa Françesku për meritat e tij në mbrojtje të klimës, luftimit të varfërisë dhe përkrahjes së refugjatëve. Një kandidat i denjë është edhe gazetari turk Can Dündar dhe gazeta «Cumhuriyet». Dündar jeton në ekzil në Gjermani dhe konsiderohet si njëri prej kritikëve më prominentë të regjimit autoritar të presidentit Rexhep Taip Erdoan. «Cumhuriyet» është ndër gazetat e pakta të Turqisë që angazhohet për një republikë sipas idealeve të themeluesit të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Atatürk. Disa gazetarë të «Cumhuriyet» po ballafaqohen me drejtësinë e dirigjuar turke.

Nobeli për Paqe mund të përfundojë edhe në duart e Raif Badavit, një bloger nga Arabia Saudite, i cili më 2008 themeloi webfaqen «Free Saudi Liberals», qëllimi i së cilës është angazhimi për lirinë e shprehjes. Badavi u arrestua në vitin 2012 dhe u dënua me 1000 goditje me kamxhik. Ende gjendet në burg.