Kush me kë? Skizofrenia në qëndrimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë

Njëri thundrës, tjetri patkoit: Republika e Kosovës zbaton sanksionet perëndimore kundër Rusisë, ndërsa një zyrtar falënderon kundërshtarin më të madh të pavarësisë – Moskën; një pushtetar kërkon nga Pentagoni të stopojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës, tjetri iu lutet politikanëve në Washington të ndihmojnë në themelimin e ushtrisë së Kosovës; ndërsa një pushtetar mbron kidnapimin e disa shtetasve të huaj, tjetri e kritikon ashpër këtë aksion. Me këtë kulturë primitive politike sundimtarët e Kosovës po e groposin gjithnjë e më shumë shtetësinë tonë edhe ashtu të kufizuar.




Disa ditë pas krijimit të Qeverisë Haradinaj, një nga  pesë zëvendësit e tij falënderoi Rusinë për angazhimin në çështjen e Kosovës. Pengesa më e madhe për shtetësinë dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare është Rusia. Zyrtarisht, Kosova ka vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë, ashtu siç kanë vepruar shumica e shteteve demokratike. Përkundër krejt këtyre fakteve, numri dy i qeverisë së Kosovës falënderon kundërshtarin më të madh të pavarësisë.

Në një rast tjetër, gjatë vizitës në Washington për të marr pjesë në Lutjet e Mëngjesit, zëvendëskryeministri i Kosovës kërkoi nga zyrtarët e Pentagonit të stopojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës. Pas tij, kryeministri Ramush Haradinaj në takime të ndara me të njëjtit zyrtarë, falënderoi SHBA për angazhimin në Kosovë dhe kërkoi ndihmë në transformimin e FSK në Forca të Armatosura të Kosovës.

Përderisa për ne që jetojmë në Kosovë nuk përbën lajm kur një anëtar i Listës Serbe falënderon Rusinë dhe angazhohet kundër ushtrisë së Kosovës, imagjinojeni befasinë e pakëndshme të një zyrtari të një shteti të huaj, i cili pranon kërkesa të ndryshme nga dy zyrtarët më të lartë të ekzekutivit të Kosovës?

Por këto nuk janë rastet e vetme kur institucionet e Kosovës shfaqen skizofrenike. Turqia ka dorëzuar kërkesa të shumta për ekstradim të shtetasve turq të cilët akuzohen nga Qeveria e Erdoanit si pjesëtarë të organizatës FETÖ, por institucionet e Kosovës nuk kanë qasje të njëjtë sa i përket trajtimit të këtyre kërkesave. Përderisa Policia dhe Agjencia e Inteligjencës (sipas të gjitha gjasave në koordinim me presidentin) kidnapojnë dhe depërtojnë gjashtë shtetas turq, për të njëjtat akuza gjykatat e Kosovës i garantojnë të tjerëve azil politik. Përderisa kryeministri i Kosovës dënon sjelljen e policisë dhe AKI-së, duke i shkarkuar krerët e këtyre dy institucioneve, ministri i Ministrisë së Administratës Publike i vlerëson anëtarët e organizatës FETÖ si terroristë, duke deklaruar se çfarëdo që shteti turk deklaron, ajo është e pranueshme edhe për të. Në mes të qëndrimit të Turqisë dhe qëndrimit të Kosovës, ky zyrtar i lartë i shtetit zgjedh t’i besojë më shumë Turqisë.

Përderisa Ministria e Punëve të Brendshme po zbatonte vendimin për të arrestuar zyrtarin serb Marko Gjuriq, i cili kishte hyrë në territorin e Kosovës edhe pse ekzistonte një ndalesë për të, ministri i Bujqësisë dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore me trupat e tyre provonin të pengonin arrestimin e një zyrtari të një shteti tjetër. Për tërë këtë aksion, kryeministri Haradinaj deklaroi se nuk kishte asnjë informacion, kurse presidenti deklaronte se Gjuriq ishte strehuar tek një mik i Haradinajt në veri të Mitrovicës.

Përderisa ministri i Punëve të Jashtme deklaron se njohja nga Burundi dhe shtetet tjera afrikane është shumë e rëndësishme dhe se ky shtet nuk e ka tërhequr njohjen, zëvendësministri i MPJ deklaron se ky shtet e ka tërhequr njohjen, duke vazhduar se njohjet nga shtetet si Burundi nuk janë të rëndësishme, ngase janë siguruar përmes premtimeve të dyshimta që Behgjet Pacolli u ka bërë shteteve të varfra.

Në këso sjelljesh absurde janë përfshirë edhe partitë opozitare. Përderisa 141 federata të futbollit votuan për të pranuar Kosovën në FIFA, ish lideri i Vetëvendosjes shprehej i zhgënjyer për faktin se prej momentit të pranimit lojtarët e Kosovës do të luanin për shtetin e tyre dhe jo për një shtet tjetër, atë të Shqipërisë.

Këto e shumë raste tjera tregojnë për një kulturë primitive të udhëheqësve institucional. Po ashtu, raste si këto shpërfaqin edhe absurdin e mbajtjes pezull të shtetit të Kosovës, mes pranimit si të barabartë në OKB dhe vazhdimit të pafund të negociatave Kosovë-Serbi. Aktualisht, Kosova është më pak shtet funksional, se sa me atë që garantohej me Pakon e Ahtisaarit. Edhe ashtu, ka kohë që interesat e Kosovës më mirë mbrohen nga diplomatë të shteteve mike, se sa nga vetë strukturat tona shtetërore. Nëse vazhdohet kështu, Kosova mund të jetë rasti i parë në historinë bashkëkohore, ku një shteti i mohohet sovraniteti i plotë për shkak të injorancës së liderëve shtetërorë.