Kush kish me thanë se Shaqiri…

Zvicerani kosovar ka gjetur rolin e vet në Liverpool, shkruan Saša Ibrulj në portalin kroat telesport.

Xherdan Shaqiri. Foto: Shutterstock



Kur verën e kaluar në turneun e Liverpool-it në ShBA, Xherdan Shaqiri për herë të parë hyri në zhveshtoren e klubit të ri, do të duhej të jetë ndier shumë çuditshëm.

Vetëm dy muaj më parë, kokulur shikonte në dysheme, duke dëgjuar ofendimet dhe fishkëllimat nga tribunat e shumta të stadiumit Britannija, i cili ngadalë po zbrazej, pasi Cristal Palace rrëzoi epërsinë e Stoke City, i cili u varrosë në Premier Ligë. Xherdani atë ditë shënoi gol, të tetin në kampionatin e kaluar prej gjithsej 15 golash të shënuara në 92 ndeshje sa i pati luajtur për Pottersat, por kjo nuk mjaftonte – në Stoke po karakterizohej si njëri ndër fajtorët kryesorë për rënien nga liga, si një lojtar, i cili nuk merakosej aq. As atëherë ai nuk e fshihte dëshirën për një biletë dalëse nga klubi, për ikje në një jetë të re dhe më të mirë, mirëpo kur Jürgen Klopp më vonë gjatë vitit edhe zyrtarisht ia dërgoi ofertën dhe e aktivizoi klauzolën e lirimit prej 13 milionë funtesh,  problemi i Shaqirit papritmas veç sa u rit.

Mund ta doni apo ta urreni, por është fakt se Liverpool-i është njëri prej klubeve më të mëdha botërore. Vlerësohet se baza e tifozerisë përbëhet prej më shumë se 600 milionë tifozëve gjithandej planetit. Dhe pa marrë parasysh se trofetë në Anfield nuk vijnë shpesh, aty gjithmonë janë pritjet e mëdha. Veçanërisht pas sezonit në të cilën Mohamed Salah i dha 32 gola të kampionatit duke udhëhequr klubin në finale të Ligës së Kampionëve dhe plasmanit mes katër ekipeve më të mira të ligës vendore. Shaqiri në rend të parë nuk ishte përforcim i natyrshëm, jo për një zhveshtore dhe një ekip të tillë. Potenciali i talentit të tij nuk ishte kur në dyshim, por disi karriera e tij dukej e vendosur përmbys, sikur ky djalosh gjithmonë i buzëqeshur ishte në majën e suksesit në fillimet e veta dhe krejt çka ndodhi pas saj ishte vetëm pjesë e një dështimi të pashmangshëm.

Dhe kur për herë të parë u fut në zhveshtore, ishte i vetëdijshëm se të gjithë përreth dyshonin në të. Jo vetëm tifozët të cilëve blerja që kishte bërë Kloppi u dukej e pakuptueshme, jo vetëm kritikët kujdestarë dhe komentatorët, të cilët kërkonin mënyrën më të butë të shpjegimit se si Shaqiri, kur është në pyetje niveli kulmor, me gjasë është dorëzuar, por edhe ata të cilët aty në zhveshtore e pritnin, ata të cilët në kohën kur Shaqiri shikonte në dysheme dhe vajtonte për rënien nga liga, po luanin lojën më të rëndësishme të futbollit europian.

Pas pak Xherdani vrapoi në fushë.

Stadiumi i universitetit të Michigen-it është shumanshëm legjendar, ndërsa atë ditë të pranishëm në të ishin saktësisht 101’254 njerëz. Në gjysmën tjetër të fushës ishte Manchester United, ndërsa Shaqiri ekipit i ishte bashkangjitur vetëm 4 ditë më parë. I etur për futboll nga Kloppi kërkoi të kthehet trajnimeve më herët, menjëherë pas rënies së Zvicrës së tij nga kampionati botëror, por gjermani me zor deshi të dërgonte në pushim të shkurtër.

«Do të pushoj vitin e ardhshëm, kur ta meritojmë», i porositi Xherdani dhe kështu së shpejti hyri në zhveshtore me buzëqeshjen e tij emblematike.

As fanellat e Liverpoolit në konstruktin e tij nga pak komik nuk duken njësoj si te lojtarët tjerë; i ngjiten, ani se janë të tërhequra plotësisht, prapëseprapë disi lidhen me pjesën e poshtme dhe ia mbulojnë lëkurën, ndërsa krahët dhe gjoksi i gjerë e plotësojnë fanellën e vogël, kështu shpesh të kujton xhuxhin mendjemadh nën ndikimin e steroideve. Dorën në zemër, i cili luan shumë mirë futboll.

Kundër United-it atë ditë hyri në gjysëmlojë dhe  gjendej gjithandej; vraponte më shumë se të tjerë, bënte presion, papritur kthehej në mbrojtje, rrëshqiste në secilin top dhe gjithsesi në secilin duel. Së paku mundohej. Për të kjo nuk ishte lojë miqësore, as seancë stërvitore spektakli për syrin e pasanikëve lokalë; për Shaqirin kjo lojë e parë ndaj United-it ishte rast që atyre që dyshonin në të t’u tregojë se ku e ka vendin. Heshti dhe punoi. Për më tepër në fund të ndeshjes e reprizoi golin më të mirë të karrierës, atë ndaj Polonisë prej Kampionatit Europian në Francë – u vendos në brendi të 16 metërshit të United-it dhe me gërshërë mjeshtërisht shënoi për rezultatin përfundimtar 4 me 1 për Liverpoolin e tij.

Xherdan Shaqiri është njëri prej atyre futbollistëve që bëjnë gjithçka përmes rrugës së vështirë dhe kur nuk tentojnë të zbresin prej kësaj rruge. I ka pasur 4 vjet kur babai Iseni dhe nëna Fatimja vendosën që për familjen Shaqiri nuk ka më ardhmëri në Gjilan. Vendi që serbët e quajnë Gnjilane, gjendet në juglindje të Kosovës dhe para luftës ka qenë qendër e industrializuar e kësaj krahine. Fabrika e radiatorëve dhe e aparateve të klimatizimit Jugoterm, pastaj fabrikat e duhanit dhe e baterive punësonin shumicën e banorëve të qytetit, i cili sipas regjistrimit të vitit 1991 i kishte pak më shumë se 50 mijë banorë, prej të cilëve më tepër se 70 për qind të qytetarëve ishin shqiptarë.

Futbolli pa dyshim përherë ishte sporti më i popullarizuar në këto anë, ndërsa historianët e sportit e kanë të shënuar se topin e parë në këtë qytet e ka sjellë Alojzie Stepinac (i keqtrajtuari nga regjimi komunist). Është fakt historik se kardinali kroat pas kthimit nga Lufta e Parë Botërore ka kaluar një kohë në këtë qytet; se çka ka bërë me top në vitin 1922 mbetet mister. Me gjasë kardinali Stepinac nuk do të entuziazmohej me emërtimin e klubit të këtij qyteti me emrin Crvena Zvezda pas Luftës së Dytë Botërore, por pas zhbërjes së Jugosllavisë u ripërtëri FK Drita, klubi që ndërkohë u ngrit në njërin prej ekipeve më të popullarizuara të këtij vendi, i cili pos emrit të vet i ka edhe dy tituj kampioni dhe një të kupës nacionale.

Xherdani me vëllezërit e tij luftën dhe të gjitha që pasuan në Kosovë e përcollën prej largësisë së sigurt, nga fshati i vogël Augst pranë Baselit. Familja Shaqiri nuk fliste gjuhën gjermane, prandaj babai Iseni në fillim i lante enët, ndërsa nëna Fatimja punonte si pastruese. Ndërkohë djemtë luanin futboll. Xherdani gjithmonë ishte më i vogli dhe më i imti, prandaj shpejtë e kuptoi se për të qenë i suksesshëm do t’i duhej shpejtësia dhe teknika kulmore. Topi i ngjitej për këmbë, e kur gjuante nga 20 metra shpesh përfundonte në rrjet, kështu në FC Basel shpejtë kuptuan se çfarë guri të çmueshëm e kanë në dorë. Pa i mbushur të tetëmbëdhjetat debutoi për ekipin e parë dhe menjëherë u imponua se lider dhe njëri prej lojtarëve kryesorë të ekipit.

Dritat e reflektorëve i kishin hije këtij djaloshi i cili pas lojës kundër Manchester United në janar të vitit 2011, në të cilën dy herë asistoi për Baselin në fitoren 2-1, u bombardua nga ofertat e klubeve të mëdha. Mirëpo, zemra e tij i takonte Bayern-it, prandaj me zemër vendosi kur i erdhi ftesa prej München-it. Çështja se konkurrencën do ta bënin Franck Ribery, Arjen Robben dhe Thomas Müller nuk e frikësonte atë; ai besonte në aftësitë e tij dhe nuk dyshonte se së shpejti do të bëhej ylli i parë i Bayern-it.

Kur zgjedh rrugën e vështirë, atëherë e dini se është – vështirë. Në Bayern Shaqiri e kishte statusin e talentit dhe investimit në të ardhmen, por rastin për të luajtur nuk e fitonte as për së afërmi sa dëshironte. Luajti 52 ndeshje në Bundesliga, prej të cilëve saktësisht gjysmën prej fillimit. Por, në anën tjetër, në këtë situatë zhvilloi tri aftësi, të cilat do ta përcjellin edhe pas largimit nga Bayerni, në episodin e shkurtër pothuajse të harruar në Inter Milan, në rolin që e fitoi në Stoke City ose atë që e kishte gjithmonë në reprezentacionin e Zvicrës dhe në këtë më të rëndësishmen deri më tani, në Liverpool.

E para është ajo që do e quanim aftësi özileske – përveçse performasat e tij nuk ishin në nivele harmonike. Nuk kishte kontinuitet, gjë që në këtë gjendje e shndërroi në lojtarin e dy ekstremve të ndryshme, të atij i cili mahnitë ose të dëshpëron plotësisht, pa një mes. Shënonte gola të jashtëzakonshëm, udhëhiqte ekipin e vet si lojtar me dominim kryesor, i cili e kishte vendin mes më të mirëve dhe të cilit thjeshtë do t’i përuleshit, por po aq shpesh – apo më shpesh – bëhej unaza më e dobët e zinxhirit pa ide se si të kthehej në jetë.

Por, Klopp-i e dinte karakteristikën e tij të dytë më të rëndësishme, e cila në mënyrë të përsosur i përshtatej Liverpool-it të sivjetmë. Shaqiri me kohë mësoi të bëhet lojtar i rotacionit; kofshët e tij të gjëra – e dini çfarë dua të them – janë mësuar në bankat e ftohta të pritjes dhe për momentet e duhura për kryerjen e detyrës. Nuk është ai në këtë rast patjetër një superzëvendësues; ai është vetëm një rrotë me dhëmbë në makinën e Klopp-it të cilës i nevojitet një freskim i tillë. Zvicerani nga Kosova sot është aq i vetëdijshëm sa e ka të qartë që edhe i këtillë është pjesë e rëndësishme ekipit. Edhe pse ende është i etur për lojë, tash këtë uri e ka kanalizuar në drejtim të duhur, në nxjerrjes e më të mirës prej saj, bash ashtu siç bën Klopp-i për të. Gjermani më së shpeshti e përdorë atë në anën e djathtë të formacionit 4-2-3-1 me Salah-un në mes, dhe m’u ky rotacion i ekipit duke e inkuadruar atë e solli kthesën në ndeshjen derbi të së dielës ndaj United-it. Shaqiri përsëri shkrepi në kohë të duhur dhe shënoi, Jose Mourinhos ia siguroi shkarkimin, ndërsa ligës së Anglisë së paku një garë interesante për titullin e kampionit.

Dhe në fund është shumë e sigurt se Shaqiri atë ditë vere, në stadiumin e Michigen-it ndihej shumë çuditshëm kur hyri për herë të parë në zhveshtoren e Liverpool-it. Gjithë ata yje të mëdhenj, të gjithë ata lojtarë të mëdhenj e shikonin në sy, me dyshim për mundësitë dhe cilësitë e tij. E shikonin lojtarin i cili vinte nga njëfarë Stoke, që sapo kishte rënë nga liga.

Ndërsa do të duhej të shikonin lojtarin, i cili ishte i vetmi mes tyre që duhej të kishte një dhomë të veçantë për trofetë e fituara, për tre tituj të kampionit dhe dy kupa zvicerane, trofeun e dyfishtë të Gjermanisë, kampionatin botëror të klubeve, superkupën europiane dhe fituesin e Ligës së Kampionëve me Bayern-in. Djaloshin që morri pjesë në tre kampionate botërore dhe dy kampionate europiane në shumicën e rasteve si lojtar kryesor i reprezentacionit që arriti rezultat të kënaqshëm. Do të duhej ta shikonin djaloshin e talentuar, i cili ndoshta nuk e ka shfrytëzuar tërë potencialin e vet, por i cili ka mësuar se si të shfrytëzojë mungesat e veta dhe t’i shndërroj ato në epërsi. I cili është pjekur dhe i cili do t’i ndihmojë ata të mësojnë se si të fitohet edhe kur e zgjedh rrugën e vështirë.

Lojtarin të cilin tash e shohin më qartë.

Përktheu nga kroatishtja:
Jeton Jagxhiu