Kush janë vendet më të rrezikshme për gazetarët

Më 2016 janë vrarë 74 gazetarë. Bilanci vjetor i Reporterëve pa Kufinj tregon se ku është rreziku më i madh për ta.

Foto: Andrei Korzhyts / Shutterstock



Në të gjithë botën, këtë vit janë vrarë 74 gazetarë dhe punëtorë medial. Rreth dy të tretat e tyre janë sulmuar në mënyrë të shënjestruar, që domethënë me qëllim, për shkak të aktivitetit të tyre si gazetarë. Kështu e citon Tages Anzeiger raportin e Reporterëve pa Kufinj «Bilanci vjetor i lirisë së shtypit 2016». Konkluzioni: Numrat tregojnë që dhuna ndaj gazetarëve po përdoret në masë të shtuar në mënyrë të qëllimshme.

Rreth dy të tretat e rasteve të vrasjeve të dhunshme të gazetarëve më 2016 ka ndodhur në rajone luftërash dhe konfliktesh. Një vit më parë nuk kishte qenë kështu, atëherë shumica e gazetarëve ishin vrarë në vende pa konflikte të armatosura, sikurse ishte rasti i sulmit mbi redaksinë e revistës satirike «Charlie Hebdo» në Paris.

Megjithatë, disa vende «në paqë» ngelen shumë të rrezikshme për gazetarët. Dhe këtu bën pjesë, për shembull, Meksika, ku gazetarët janë vazhdimisht viktima të dhunës. Edhe atë jo vetëm nga kartelet e drogës, por edhe nga policia e shpeshherë edhe nga përfaqësues të qeverisë. Më 2016 ajo kualifikohej si një ndër vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët.

Gjithsesi, vendi më i rrezikshëm në botë për gazetarët është Siria. Këtë vit aty janë vrarë njëmbëdhjetë gazetarë profesionistë dhe tetë gazetarë qytetarë në lidhje me aktivitetin e tyre prej raportuesi. Reporterët pa Kufinj Sirinë e përshkruajnë si vendin ku krimet e luftës janë bërë përditshmëri dhe liria e mediave është në shënjestër të të gjitha palëve. Aty gazetarët mund të bëhen në çdo kohë viktima të sulmeve ajrore, apo të artilerisë; sikurse mund të rrëmbehen nga forcat e sigurisë së regjimit të Asadit, ashtu edhe nga xhihadistët.

Pas Sirisë dhe Meksikës, këtë vit shumë të rrezikshme për gazetarët kanë qenë edhe Afganistani, Iraku dhe Jemeni. Në Afganistan burim rreziku për gazetarët përbën lufta e talebanëve kundër qeverisë së Kabulit, në Jemen shumica e gazezarëve kanë rënë pre e rebelëve huti, kurse në Irak shumica e gazetarëve kanë rënë në sulmet terroriste të ISIS-it.

Realisht numri i gazetarëve të vrarë ka rënë nga 101 në vitin 2015 në 74 më 2016. Kjo lidhet me faktin që gjithnjë e më shumë gazetarë kanë ikur nga vendet në konflikt, në të cilat jeta e tyre ishte rrezikuar së tepërmi, ka sqaruar organizata e tyre në raportin e fundit. Siria, Iraku, Libia, sikurse edhe Jemeni, Afganistani, Bangladeshi dhe Burundi janë shndërruar në vende ku nuk ka rrezik për ndjekje penale të dhunuesve të gazetarëve.

Një arsye tjetër për rënien e numrit të viktimave nga radhët e gazetarëve është edhe klima e frikës ndër gazetarët që qëndrojnë në vendin e tyre. Këta shpeshherë nuk kanë zgjedhje tjetër përveç autocensurës, për t’u mos u bërë viktima të sulmeve vrastare.

Viteve të fundit janë vrarë së paku 695 gazetarë profesionistë në lidhje me punën e tyre. Dhe këto numra, sipas raportit, tregojnë edhe njëherë sa të pasuksesshme kanë qenë deri më tani të gjitha përpjekjet ndërkombëtare për t’i mbrojtur gazetarët nga dhuna. Sekretari i ardhsëm i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara thirret që mbrojtjen e gazetarëve ta bëjë detyrë prioritare dhe të emrojë një të dërguar të posaçëm për këtë çështje. ks