Kush i do prindërit, iu jep atyre para

Shumë emigrantë të gjeneratës së dytë e praktikojnë t’iu japin para prindërve të tyre. Kjo është një çështje e respektit. Lidhur me këtë një medie ka biseduar me disa emigrantë dhe specialistë integrimi – më së shumti shqiptarë.

Foto: Shutterstock.com

Për vëllezërit Xhaka dhe Haris Seferovicin tani më dihet që një pjesë të të rrogës së tyre ua japin prindërve, edhe pse nuk jetojnë nën të njëjtin kulm. E kanë rrëfyer vetë, transmeton «20 Minuten». Ngjashëm qëndron puna edhe me pjesëtarë të tjerë të gjeneratës së dytë të emigrantëve në Zvicër, që njihen me emrin sekondo.

Györgyi Sutto me prejardhje hungareze, 38-vjeçare dhe nënë e dy fëmijëve, punon 60 për qind në qendrën e informacionit të një shtëpie mallrash – ajo pohon se 20 për qind të rrogës së saj ia dërgon nënës së vet në vendlindje. Kështu ka vepruar ajo edhe kur e kishte gjallë babanë. Nga respekti dhe dashuria! Thjesht për t’i mundësuar asaj ndonjë gjë më tepër nga çka mbërrinë vetë ajo: një shëtitje, ndonjë petk, apo pushime.

Këtë e bën edhe automekaniku 24-vjeçar Robert Gjergjaj, i cili 30 për qind të rrogës së tij prej 5’500 frangave ua jep prindërve. Nga respekti, «sikurse edhe shumë shqiptarë të tjerë», e cilon media të riun. Për gjithçka kanë bërë prindërit për të. «Tani e kam radhën unë», pohon ai. Për më tepër, kështu s’ka për se të ndihet keq kur vetë shkon në pushime, kurse prindërit jo.

Një lexuese i shkruan redaksisë: «Ne emigrantët jemi të lidhur ngushtë me prindërit. Gjithçka iu japim atyre na kthehet dyfish dhe trefish mbrapsht.» Këtë nuk e kuptojnë shumë njerëz në Zvicër, vazhdon raporti dhe e sjell tekstin e një lexueseje zvicerane: «Që t’ju ndihmoj prindërve të mi më shkon mendja vetëm kur ata janë në zor.» Sipas saj, si i rritur secili duhet të mund të qëndrojë vetë në këmbët e tij.

Specialistët e integrimit e mbështesin fenomenin që sekondot i përkrahin më shumë prindërit e tyre financiarisht, se sa zviceranët pa sfond emigracioni. Për këtë media e ka kontaktuar Riza Demajn, specialist integrimi për familjet. Sipas tij ka shumë shqiptarë që punojnë si shitës, muratorë, kuzhinierë apo mekanikë dhe 5 deri 10 për qind të rrogës së tyre ua japin prindërve. Kjo është një formë e mirënjohjes së këtyre fëmijëve ndaj prindërve të tyre për përkrahjen që iu kanë bërë në shkollimin e tyre. Dhe sjell një përjetim personal: «Kur njëherë udhëtova larg nga vendbanimi për të ndjekur një lojë të djalit tim, ai m’u drejtua: ‹Baba, kur të bëhem profesionist, nuk do të ta harroj kurrë këtë!›»

Specialisti tjetër i integrimit dhe i deleguari për të rinj i kantonit të Cyrihut, Ivica Petrusic thotë që gjenerata e parë e migrantëve nga vendet e ish Jugosllavisë në shumë raste kanë ardhur me pak para në Zvicër dhe është dashur t’i mbajnë familjet e tyre me një rrogë të vogël. Kjo, sipas tij, te fëmijët e ka ngjallur ndjenjën e përgjegjësisë ndaj tyre. Për më tepër, shumica e emigrantëve vijnë nga vise jugore, në të cilat familjet duhej ta ndihmonin njëra-tjetrën për të mbijetuar. Në këto vende nuk kishte shtet social. Dhe, edhe pse prindërit nuk janë më të nevojshëm për këtë asistencë, kjo mënyrë e të menduarit është ngulitur tek fëmijët.

Sipas Perusicit, njëfarë roli këtu luan edhe qëndrimi pas njëri tjetrit. Lidhja familjare te sekondot është më e madhe se te zviceranët. Këta të fundit janë të orientuar asisoji që fëmijët duhet të lëshohen me kohë të bëhen të pavarur.

Ndërkaq sipas Demajt, sekondot edhe pasi dalin nga shtëpia e prindërve e ruajnë një lidhje të ngushtë me nënën dhe babain. Ata në kohë të lirë i vizitojnë shpesh prindërit, hanë bashkë apo edhe udhëtojnë bashkë në pushim. ks