Kush fyen online, është më shumë i rrezikuar nga infarkti

Një studim i Universitetit të Pennsylvania ka gjetur se ekziston një korrelacion mes përdorimit të fjalëve fyese në Twitter dhe rrezikut nga ataku në zemër.

Foto: Shutterstock

Lajm i keq për të gjithë të frustruarit, xhelozët, dështakët e jetës publike, diletantët dhe militantët partiakë, të cilët pandërprerë fyejnë nëpër forume sociale në internet: një studim i Universitetit të Pennsylvania ka treguar se ekziston një lidhje e ngushtë mes përdorimit të fjalëve të caktuara në Twitter dhe rrezikut nga infarkti në zemër dhe sëmundjeve të tjera të zemrës.

«Kush i shkruan shpesh fjalët si <mrekullueshëm>, <gëzim>, <rast i mirë>, sëmuret më rrallë se dikush që përdorë shpesh fjalë fyese, të cilët fillojnë me <f>», tha Matthias Weber, shef i sektorit për vlerësimin e rrezikut në firmën e madhe zvicerane të sigurimeve Swiss Re, në një paraqitje para gazetarëve në Monte Carlo, ku po mbahet takimi vjetor i menaxherëve të sigurimeve.

Korrelacioni është më i madh se mes sëmundjeve të zemrës dhe pirjes së duhanit, diabetit, shtypjes së gjakut, mbipeshës apo të ardhurave dhe edukimit, shkruan «Süddeutsche Zeitung».