Kush është Jeton Lleshi, i cili akuzohet nga prokuroria zvicerane se i dërgoi një granatë gazetës «Bota Sot»?

Në Zvicër së shpejti fillon procesi gjyqësor kundër Jeton Lleshit (Lesit) për tentim-vrasje dhe armëmbajtje pa leje. I akuzuari është me origjinë nga Struga dhe me gjasë i afërt me kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj dhe me ish-shefin e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Bedri Islami, një propagandist i afërt me strukturat e shërbimit famëkeq sekret komunist të Shqipërisë. Islami është këshilltar i jashtëm i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.




Në tri fotografi Jeton Lleshi shihet shumë i gëzuar. Në të parën Lleshit, i cili në setër bart logon e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ia shtrëngon dorën Ramush Haradinaj. Në fotografinë tjetër Lleshi pozon me Bedri Islamin, ish-kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe i njohur si propagandist i afërt me strukturat e shërbimit sekret komunist të Shqipërisë. Islami është këshilltar i jashtëm i Hashim Thaçit, kryetar i Kosovës. Në fotografinë e tretë Lleshi shihet me gjasë në veturë bashkë me Avdyl Mushkolajn, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së për rajonin e Dukagjinit. Fotografitë janë publikuar nga gazeta «Bota Sot», e cila ka ngritur dyshime për lidhjet e Jeton Lleshit me Haradinajn dhe Islamin.

Së shpejti Jeton Lleshi do të dalë para Gjykatës Penale të Konfederatës së Zvicrës, e cila e akuzon se i ka dërguar gazetës «Bota Sot» një granatë të prodhimit rus. Kjo armë e rrezikshme fatmirësisht nuk kishte shpërthyer kur ishte hapur pakoja nga anëtarët e familjes Mazrekaj, të cilët botojnë gazetën «Bota Sot». Lleshi e kishte dërguar granatën me postë në adresën e redaksisë në Zürich në shtator të vitit 2002. Gati 14 vjet policia zvicerane kishte hetuar pa sukses dhe nuk kishte arritur të zbulojë autorin.

Më 10 dhjetor 2016 në një diskotekë në Zürich kishte ndodhur një rrahje, në të cilën ishte i përzier edhe Lleshi. Pasi kishte ardhur policia në vendin e ngjarjes, pjesëmarrësit ishin detyruar të dhënë shenjat e gishtërinjve ose ADN-në, siç njihet në zhargonin policor. Në raste të tilla policia automatikisht verifikon nëse gjurmët e gishtërinjve përputhen me krime të tjera. Në rastin e Lleshit rezultoi se gjurmët e gishtërinjve të tij u përputhën me një pako që ai dyshohet t’ia ketë dërguar gazetës «Bota Sot». Pakoja ishte hapur nga Xhevdet Mazrekaj, botues i gazetës «Bota Sot», e cila atëbotë ishte kritike militante ndaj figurave të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe disa komandantëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lleshi u arrestua më 31 janar 2017 në vendin e tij të punës afër Zürichut. Ai jeton prej vitesh në Zvicër, është shtetas i Maqedonisë dhe i Zvicrës. Lleshi ka lindur në vitin 1976 në Strugë. Gjatë gushtit ai do të dalë para gjyqit në Zvicër, ku do të ballafaqohet me akuzën për tentim-vrasje të shumëfishtë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës Lleshi e kishte futur në pako granatën funksionale, e cila ishte 2,7 kilogramë e rëndë. Këtë ai e kishte bërë në dhomën e gjumit në banesën e tij në qytetin Aarau, ku jetonte në vitin 2002. Granatën e kishte marrë si dhuratë nga kryeplaku i fshatit Seleca të Maqedonisë si falënderim për angazhimin e tij në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Bashkë me granatën në pako kishte futur edhe një shishe verë të bardhë (Chamonix 1998 Chenin Blanc, 750 ml). Më 26 shtator 2002 Lleshi, gjithnjë sipas aktakuzës, kishte shkuar në zyrën e postës në Zürich-Oerlikon dhe kishte dorëzuar pakon në adresë të gazetës «Bota Sot». Pakon e kishte dërguar në emër të një dyqani të shitjes së verërave me seli në Adliswil, qytezë afër Zürichut. Deri në dënimin e plotfuqishëm si për çdo të akuzuar edhe për Lleshin vlen parimi i pafajësisë.

Me rastin e bastisjes së banesës së Lleshit policia zvicerane ka konfiskuar edhe një revole të markës Makarov dhe municion. Lleshi aktualisht ndodhet në paraburgim. Sipas aktakuzës në kohën e dërgimit të granatës me postë anëtarë të redaksisë së gazetës «Bota Sot» ishin Xhevdet Mazrekaj, Llukman Halili, Elida Buçpapaj dhe Skender Buçpapaj. Në një padi civile Mazrekaj ka kërkuar 10 mijë franga dëmshpërblim nga i akuzuari, ndërsa Elida dhe Skender Buçpapaj kanë kërkuar nga 2 mijë euro dëmshpërblim.