Kush e vrau Haki Imerin?

Si sot para 17 vjetësh në Drenicë u vra funksionari i LDK-së, Haki Imeri. Ai ishte një arsimtar i përkushtuar dhe atdhetar i madh. Në këtë përvjetor duhet të kujtohet jo vetëm Haki Imeri, por edhe fakti i dhimbshëm se vrasësit e tij nuk u arrestuan kurrë dhe shoqëria kosovare tashmë është pajtuar me të papajtueshmen.

Foto: Shutterstock

Një vrasje me paramendim, e kundërligjshme, jolegjitime, e qëllimshme e një rivali politik quhet vrasje politike. Rrjedhimisht, viktimë e një vrasjeje politike më 2 nëntor 1999 ishte Haki Imeri. Sot, më 2 nëntor, u bënë 17 vjet prej se një apo disa duar kriminale ia morën jetën këtij aktivisti të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas dëshmisë së vëllait të tij Imer Imerit arsimtari Haki Imeri u kidnapua nga «tre policë ushtarakë të UÇK-së». Deri më sot nuk janë gjetur nga drejtësia kosovare as rrëmbyesit, as vrasësit, as urdhërdhënësit e këtij krimi. Në çastin e rrëmbimit në Drenicë Haki Imeri me vete kishte ftesat për një tubim lokal të LDK-së. Duket se faji i vetëm i Haki Imerit ishte angazhimi i tij politik në kuadër të LDK-së. Në kohën kur u vra Imeri, në shumicën e fshatrave dhe qyteteve të Kosovës ishin të pranishëm komandantë të UÇK-së me njësitë e tyre, por edhe matrapazë që thirreshin në UÇK. Në krye të së ashtuquajturës «Qeveri e Përkohshme» ndodhej Hashim Thaçi, i cili si nxënës e kishte pasur Haki Imerin kujdestar klase, siç tregon Imer Imeri. Për «Ministër të Punëve të Brendshme» e mbante veten Rexhep Selimi, sot deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Imer Imeri në paraqijtet e tij publike ka theksuar se ndonëse Thaçi dhe Selimi janë nga e njëjta trevë, ata nuk kishin shkuar për ngushëllime në familjen Imeri, pas vrasjes së Haki Imerit.

Në këtë përvjetor të vrasjes duhet të kujtohet jo vetëm Haki Imeri, por edhe fakti i dhimbshëm se shoqëria kosovare tashmë është pajtuar me të papajtueshmen. Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të mërkurën gjetën kohë të kujtojnë Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun në 27 vjetorin e vrasjes. Natyrisht të dy këta aktivistë politikë meritojnë në kujtohen përgjithmonë, por po aq e rëndësishme është të kujtohet edhe Haki Imeri ose së paku të bëhet thirrje të zbulohen vrasësit e tij. Përse nuk e bëjnë këtë Veseli dhe Thaçi? Sepse e dinë se nuk mund të fitojnë poena politikë, madje mund të ngriten dyshime edhe ndaj tyre, fundja në muajt kaotikë të pasluftës kanë qenë persona me ndikim falë mijëra njerëzve që mbanin nën armë. Në 17-vjetorin e vrasjes së Haki Imerit, siç pritej, heshti si sfinks edhe Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës dhe kryetar i LDK-së, partisë politike më të përgjakur në historinë bashkëkohore të Kosovës. Mustafa erdhi në pushtet duke prekur plagët dhe ndjenjat më të dhimbshme të elektoratit të LDK-së: vrasjet e pasluftës. Ai premtoi se do të zbulohen vrasësit, drejtoi gishtin nga SHIK-u, organizata e PDK-së për «gazmende» të përgjakshme politike, po ashtu Mustafa tha se do ta kthene himnin e Rugovës. I mori votat nga elektorati besnik rugovist dhe sapo u ngjit në fronin e kryeministrit ua tregoi gishtin e mesëm mbështetësve të LDK-së. Tani që po i vjen fundi partneritetit të tij me PDK-në, kjo parti, pra PDK, përmes mediave të veta, është duke e përgatitur kandidatin e ardhshëm për të marrë kreun e LDK-së. Kështu dy partitë e mëdha po japin sinjale se mund të vazhdojnë të qeverisin edhe në të ardhmen. Përmendja e vrasësve të Haki Imerit vetëm e turbullon partneritetin dhe miqësinë cinike mes PDK-së dhe LDK-së.

Në anën tjetër të kampit politik Lëvizja Vetëvendosje bërtet me të drejtë deri në kupë të qiellit kundër padrejtësive, proteston kundër korrupsionit, por mban qëndrim indiferent ndaj vrasjeve të pasluftës. Eksponentë të VV-së argumentojnë se kanë qenë ata që kanë kërkuar një komision parlamentar për hetimin e SHIK-ut. Kjo kërkesë do të mund të merrej seriozisht në një demokraci parlamentare si Zvicra apo Suedia, por jo në Kosovë, ku parlamentarët kryesisht janë të padenjë dhe e lakojnë të vërtetën sipas interesave të ngushta politike apo personale. Për të zbuluar vrasësit e shumë aktivistëve politikë shqiptarë VV do të duhej të ishte e para në kërkim të ndihmës ndërkombëtare. Çdokush në Kosovë e di se në dy dekadat e fundit të dyshuarit për vrasjet e pasluftës kanë pasur mundësi të zaptojnë sistemin me policë të tyre, të cilët kanë mundur të zhdukin apo fshehin gjurmët e krimeve. Çdokush e di se çfarë prokurorësh dhe çfarë gjykatësish i futën PDK dhe LDK në sistemin e drejtësisë: disa ish-sherbëtorë të regjimit komunist jugosllav, të tjerët karrieristë të rinj të shkollës unmikiane që bëjnë pazare me partitë politike. Me qëndrimin destruktiv, kundërshtues kundër Gjykatës Speciale VV nuk i bën kurrfarë shërbimi drejtësisë. Nuk ka asnjë komplot ndërkombëtar kundër Kosovës. Gjykata Speciale është rezultat i dështimit kolosal jo vetëm të UNMIK-ut dhe EULEX-it, por në radhë të parë të shoqërisë kosovare. Si shoqëri kemi toleruar vrasjen e dëshmitarëve, kemi qëndruar indiferent kur në rrethana misterioze janë vrarë plot e përplot njerëz – ushtarë të «thjeshtë», shoferë, truproje e çfarë jo tjetër. Si shoqëri kemi heshtur kur Këshilli i Europës në një raport e ka kritikuar ashpër Kosovën për mosmbrojtjen e dëshmitarëve.

Gjykata Speciale është çmimi që paguajmë sot për shkak të sjelljes arrogante ndaj viktimave, për shkak të llafeve cinike në stilin «hajt se i kanë vra do shkije, mirë ua kanë ba», «ose hajt se jau kanë fshi rasatin do maxhupëve». Ende është e paqartë nëse Gjykata Speciale do të trajtojë edhe vrasjet e aktivistëve të LDK-së si Xhemail Mustafa, Enver Maloku, Smajl Hajdaraj, Ismet Rraci e shumë e shumë të tjerë. Por e qartë duhet të jetë një gjë: shoqëria e Kosovës nuk do të gjejë kurrë qetësi nëse nuk ndriçohet ky kapitull i errët, shkaktarët e të cilit presidenti Ibrahim Rugova i quante «dreqërit tanë» prej të cilëve duhet të ruhemi. Deri kur? Gjykata Speciale nuk do ta gjykojë luftën çlirimtare, por individët që kanë keqpërdorur pushtetin e tyre për të kryer krime. Një qëndrim të tillë ndaj çlirimtarëve e ka mbajtur edhe Kroacia. I ka dorëzuar në Hagë apo gjykuar disa nga figurat kryesore të luftës. Por Kroacia pati fat: pas luftës brenda një kohe të shkurtër vdiqën Franjo Tuxhmani, Janko Bobetko, Gojko Shushak – të gjitha këta kandidatë për Gjykatën e Hagës.

Se si kanë vepruar disa prej këtyre «dreqërve tanë» në luftë ka treguar vëllai i Haki Imerit të ndjerë, Imer Imeri, në një intervistë për TV-Mitrovicën para disa vitesh. Imer Imeri është mbajtur në burgun e Cahanit të Krumës për shkak se dyshohej se ishte «mbështetës i Ibrahim Rugovës dhe i LDK-së». E shihni çfarë krimi? «Mbështetës i Ibrahim Rugovës». Në intervistën e përmenduar ai ka dhënë dëshmi të besueshme për keqtrajtimin e civilëve nga «komandantët e UÇK-së». Gjatë intervistës në emision ishte inkuadruar nga Ferizaji një preson që ishte prezantua si «Sabit Azizi, ish-pjesëtar i Policisë Ushtarake të UÇK-së», i cili në vitin 1999 kishte shërbyer në Cahan. Azizi tha: «Zotërinë (Imer Imerin, v.j.) kam pasur rastin ta takoj si të burgosur në Cahan. M’u kujtua pas 13 vitesh. Nuk e kam ditur kush jeni. Njerëzit kanë folur. Po më vjen mirë që po të shoh shëndosh e gjallë». A është marrë në pyetje Sabit Azizi? A ekziston ky person? Çfarë dinë policia dhe drejtësia për të? Imer Imeri ishte mbajtur në burg nga 12 prilli 1999 deri më 20 qershor 1999. Ishte rrahur dhe terrorizuar nga eksponentë të UÇK-së. Gjatë intervistës në TV Mitrovica në emision ishte kyçur përmes telefonit edhe një ish-ushtar tjetër i UÇK-së. Thoshte se po telefononte nga Gjilani, por nuk u prezantua me emër e mbiemër. Ai e përshkroi burgun e Cahanit dhe tregoi se kishte ardhur vullnetar nga Gjermania. Ai tha: «Tash po ma rifreskon kujtesën (…) ato kujtime ndaj teje sot i mbaj të freskëta, trishtuese kanë qenë. M’u ke dhimbtë si babai im, si vëllai im, por ti je prezantuar atëherë si njeri i dyshimtë, thoshin e kemi zënë një njeri të dyshimtë. (…) Po më vjen mirë që qenke mirë». Për Haki Imerin këto fjalë s’vlejnë: atij ia morën jetën «dreqërit tanë», ai s’jeton më.