«Kush e ka përjetuar një ditë lufte gjatë jetës së tij, nuk dëshiron ta përjetojë kurrë një tjetër»

INTERVISTË – 40 pyetje – 40 përgjigje: Blerim Gashani, publicist.

Blerim Gashani.



Në kapërcyell të shekujve XIX/XX në sallonet e Parisit ishte modë që gjatë pritjeve mysafirët të plotësonin një «Questionnaire», një pyetësor. Një të tillë e kishte plotësuar edhe 13-vjeçari Marcel Proust në një festë për nder të ditëlindjes së Antoinette Faure, të bijës së presidentit të mëvonshëm francez Félix Faure.

Në moshën 20-vjeçare Proust ishte përgjigjur edhe njëherë në këtë pyetësor, të cilit ia kishte dhënë titullin: «Marcel Proust par lui-même» («Marcel Proust mbi vetveten»). Që nga atëherë «Questionnaire» u bë i famshëm bashkë me shkrimtarin Marcel Proust (1871-1922).

Traditën e pyetësorit e vazhduan gazetat e revistat deri në ditën e sotme, mes tyre edhe e përditshmja gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» dhe «Vanitiy Fair». Duke e marrë si model dhe inspirim pyetësorin e Proustit dialogplus.ch fillon me botimin e intervistave me 40 pyetje, në të cilat do të përgjigjen personalitete të ndryshme.

Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapësirën e banuar me shqiptarë?

Unë i dua shumë vende të hapësirës së banuar me shqiptarë. Do t’i veçoja këtu Prizrenin dhe Shkodrën, si dy qytete ku shpirti im gjen frymëzimin, por edhe qetësinë. Megjithatë, nuk dua që fëmijët e mi të rriten e të piqen larg Prishtinës, e cila, ma merr mendja, se edhe pasi ka marrë plagë të rënda në trungun urbanistik, kulturor, akademik e politik, do të ketë ende forcë që të ringjallë frymëzimin për krijimin e vlerave të reja dhe të larta për Kosovën. Natyrisht, fshatin Tërstenik (komuna e Drenasit), do ta quaj «shpia jem» deri sa ta jap frymën e fundit.

Cilin personalitet të historisë shqiptare do të dëshironit ta takonit sikur të ishte e mundshme?

Ismail Qemalin.

Çka do ta pyetnit së pari?

Ismail Qemali është larguar nga Shqipëria, pasi ka dhënë dorëheqjen dhe ka dalë thellësisht i zhgënjyer prej zyrës së tij shumë pranë portit. Prej andej i është drejtuar anijes me të cilën është larguar për në Itali. Rrugës për tek anija, kryeministrin e parë shqiptar, nuk e kishte shoqëruar askush. Tërësisht i vetmuar dhe i zhytur thellë në trishtim, qytetarët në rrugë e paskan injoruar plotësisht, madje askush nuk e kishte parë të udhës që as ta pyeste se ku po shkonte, përveç një gazetari italian që i kishte kërkuar intervistë (sipas intelektualit Kreshnik Osmani). Do të doja ta pyesja Ismail Qemalin: a ia kishte vlejtur krejt kjo, a ishte penduar pse kishte lënë karrierën diplomatike në një Perandori, për t’u përbuzur nga një grumbull mosmirënjohësish?

Cili është personaliteti më i rëndësishëm historik për ju?

Personaliteti më i rëndësishëm historik për mua është Ibrahim Rugova. Ai ishte ledhi mbrojtës kundër gjithë asaj që është shkatërruese dhe, sidomos, vetëshkatërruese te shqiptarët.

A ekziston Zoti?

Absolutisht po! Zoti ekziston, sepse ne ekzistojmë. Gjithçka flet për ekzistencën e Zotit, natyra transcedentale e njeriut, si mëkëmbës në tokë, shkenca dhe sidomos ekuilibri i natyrës. Të gjithë njerëzit nga natyra besojnë Zotin dhe e pranojnë këtë ekuilibër të krijuar, që nuk mund të jetë rastësor. Domethënë secili njeri po të jetojë diku i vetëm, beson ekzistencën e Zotit. Sidoqoftë, gjatë historisë njerëzore ka pasur dhe ka miliarda njerëz që thonë se nuk besojnë dhe që deklarojnë se Zoti nuk ekziston, d.m.th. se Zoti është një hiç, një zero. Megjithatë, çuditërisht, shumicën e jetës së tyre, këta mohues e kalojnë duke u marrë me Zotin, duke e arsyetuar këtë mohim dhe mosbesimin e tyre. Së pari, nuk ka asnjë logjikë të merresh gjithë jetën me diçka që je i bindur se nuk ekziston, se është hiç. Së dyti, mendimi im personal, mosbesimi dhe mohimi i Zotit nuk është i mundshëm nga vetë natyra njerëzore, por njerëzit mohojnë, kundërshtojnë, luftojnë strukturat njerëzore, sidomos fetë dhe klerin fetar, që thonë se janë përfaqësuesit e Zotit, apo se janë ndërmjetësit në mes nesh dhe Krijuesit. Shpesh, ky mohim, ky kundërshtim dhe kjo luftë është shumë e drejtë.

Cilin libër po e lexoni aktualisht?

Sapo përfundova një përmbledhje nga enciklopedia e Sami Frashërit, Kamus al Alam, dhe fillova të (ri)lexoj librin e filozofit Ernest Gellner «Nacionalizmi». Njëkohësisht, kur po pushoj nga kjo histori e shkurtër, por fenomenale e koncize e nacionalizmit, po lexoj librin «Tahir Berisha – Mendimtar popullor», nga Mehmet Rukiqi, një monument etnologjik i çmuar.

Cilin qytet të ish-Jugosllavisë keni dëshirë ta vizitoni?

Sarajevën.

Kur keni udhëtuar për herë të parë jashtë shtetit dhe në cilin vend keni qenë?

Për herë të parë, në një odiseadë të një migranti ilegal, në vitin 1999 kam udhëtuar në Itali, ku kam qëndruar katër muaj.

Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?

Në Shqipëri kam shkuar shumë vonë, më 2004. Ka qenë një përvojë e tillë, saqë kam menduar se kurrë më nuk do të kthehem. Për shumë arsye, nuk e mbajta fjalën. Nga ajo kohë, shkoj çdo vit në Shqipëri, nga disa herë dhe rri shumë ditë. Nga viti 2005/06 deri diku 2012/13, Shqipëria ka pasur zhvillimin më të madh në historinë 100 vjeçare. Viteve të fundit, ky zhvillim është stopuar dhe Shqipëria po rrëshqet në varfëri, mjerim, ndarje krahinore më të theksuar se kurrë, dhe zbrazje nga popullata e shëndetshme.

Çfarë do të ishte për ju fatkeqësia më e madhe?

Nuk e di a kishte një «Katovice» aty apo jo, por në Shqipëri, klika enveriste nuk e humbi pushtetin politik, por as atë mediatik, ekonomik e akademik. Kjo fatkeqësi iu dha zemër dhe i mbështeti – që nga skriptat terroriste e deri te atentatet politike në terren – enveristët e Kosovës dhe Maqedonisë. Kështu që, në kohën kur po flasim, gjithë shqiptarët sundohen nga klikat që nuk kanë as dije e as ideologji tjetër përveç enverizmit. Fatkeqësia më e madhe për mua dhe për të gjithë ata që e kanë shpirtin e lirë, do të ishte që këto klika të vazhdonin sundimin e shqiptarëve vetëm edhe 7-8 vjet. Nuk ka nevojë për më shumë kohë dhe nuk ka nevojë për asnjë armik tjetër.

Cilin shkrimtar të huaj e pëlqeni më së shumti?

Nuk besoj se ka shkrimtar që mund të krahasohet me Leon Tolstoin. Në letërsinë e përbotshme, nuk besoj se ka pasur dhe do të ketë diçka që i afrohet veprës së Tolstoit. Nuk besoj se do të shkruhen ndonjëherë romane si «Ana Karenina» dhe, sidomos, si «Lufta dhe paqja».

Kultura e cilit vend perëndimor ju pëlqen më së shumti?

Po të mundja ta bashkoj zellin, seriozitetin, rregullin e ligjin gjerman me shpirtin, muzikën, artin dhe «dolce far niente»-n italiane, kjo do të ishte një kulturë për mua. Mbasi kjo nuk është e mundshme, do ta kërkoj atë, aty diku ku puqen këto dy kultura botërore, përreth alpeve.

Cili emër ju pëlqen më së shumti?

Emri i jetës sonë, një emër femre: Jeta.

A do të merrnit pjesë në dasmën e një çifti homoseksual?

Pjesëmarrja në një dasmë, gjithmonë bëhet me dëshirë. Unë nuk kam asnjë dëshirë të marr pjesë në një dasmë të tillë.

A do të ishit i gatshëm të luftoni në rast se rrezikohet liria e vendit?

Është një fjalë e urtë që thotë: kush e ka përjetuar një ditë lufte gjatë jetës së tij, nuk dëshiron ta përjetojë kurrë një tjetër. Edhe pse nga natyra e filozofia e të jetuarit jam njeri paqësor, gjatë luftës i kam bërë nja gjashtë muaj si kryengritës, si rebel i armatosur kundër një shteti që donte të na zhdukte. Që nga data 5 mars, kur u sulmuan Jasharët, e deri në fundgusht 1998, kam qenë i armatosur (shumicën e kohës me armë të dobëta). Kam ruajtur në lagjen time dhe pastaj kur «u shkruam» në UÇK, edhe në katund, në istikame e në pika ku rrinin ushtarët e UÇK-së. Kam bërë rojë ditën dhe sidomos natën, kam dalë natën bashkë me kushërinjtë në pritë të forcave serbe. Kam qenë përgjegjës i grupit të të rinjve të lagjes sime që kemi shkuar në Gllogjan – për ushtrime ushtarake – dhe pastaj nëpër Junik jemi nisur përtej kufirit për të marrë armë. Mirëpo, nuk kam shkrepur asnjë plumb, nuk kam qenë ushtar, nuk jam veteran, sepse nuk kam qenë në uniformë, nuk kam pasur armë të gjatë personale dhe nuk kam dhënë një betim si ushtar. Prandaj, nuk jam i sigurt se a do të isha i gatshëm të luftoj për vendin tim, apo jo. Dhe, ka shumë arsye për këtë.

Cilin person s’do të kishit dëshiruar ta takoni kurrë?

Josif Visarionoviq Gjugashvili alias Stalin.

A duhet të bashkohen Kosova dhe Shqipëria?

Kosova dhe Shqipëria, saktësisht shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Shqipërisë, tashmë janë bashkuar. Asgjë nuk i ndan më të jetojnë së bashku, të punojnë së bashku, të krijojnë art, sport, kulturë e vlera së bashku dhe të konkurrojnë së bashku nëpër botë. Në të vërtetë, ka diçka që ende i ndan Kosovën dhe Shqipërinë. Elitat politike janë muri ndarës më i madh mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe janë pengesa kryesore për bashkimin e shqiptarëve.

A është dëmtuar dialekti gegë me standardin gjuhësor të vitit 1972 dhe a duhet të ndryshohet ky standard?

Me diktat politik, më 1972, u vendos që dialekti i toskërishtes – deri atëherë inferior ndaj dialektit verior – të «upgradohet» në gjuhë standarde të të gjithë shqiptarëve. Dialekti gegë nuk u përfshi fare, madje as në leksikun e këtij standardi të ri. Në Shqipëri, gegnishtja e Gjergj Fishtës u shtye në margjina, u ndalua, u syrgjynos në klandestinitet, iu ndal hovi, iu thanë burimet ushqyese, u degradua, u tha, u vra. Në Kosovë, gjuha toskërishte, së cilës i themi standarde ose letrare, dështoi me turp, u përdor vetëm në shkollë e administratë – edhe aty, në shumicën e rasteve, doli qesharake – por nuk gjeti kurrë rrugën deri në familje.

Cilit komb dhe cilës kulturë do t’i kishit takuar me qejf?

Nuk kam asnjë ide, asnjë dëshirë, asnjë lakmi, por edhe asnjë aftësi e mundësi, që t’i takoj një kombi dhe një kulture tjetër.

Sikur të kishit pushtetin politik çfarë do të ndryshonit së pari?

Së pari sistemin arsimor, së dyti sistemin arsimor, së treti sistemin arsimor, së katërti drejtësinë dhe së pesti do ta ndalja degradimin e natyrës, sidomos të lumenjve të Kosovës.

Cili është personi më i rëndësishëm për ju?

Nana ime, zelli, qetësia, urtia, sakrifica, dashuria dhe modestia e madhërishme e së cilës vazhdon ende të më ushqejë, të më mrekullojë dhe, sidomos, të më formojë.

Cilat media preferoni t’i lexoni?

Babai im ka kryer studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe ka qenë lexues aktiv gjatë gjithë jetës, sidomos gjatë fëmijërisë sime. Jam rritur me libra, me shumë libra përreth meje. Pastaj, babai im «hante» shtypin e atëhershëm. Përveç shumë revistave letrare (Jeta e Re, Fjala, Jehona, Shkëndija, Zëri i Rinisë…), shumë revistave sportive, satirike e politike, jo vetëm në gjuhën shqipe, nuk e mbaj mend se babai im është kthyer në shtëpi, pa gazetën ditore «Rilindja». Përveç se e prisnim shtojcën e saj për fëmijë, të martave, me motrën e madhe dhe me vëllain, me vite dhe me një rend të pandryshueshëm, e kemi plotësuar (ose jemi përpjekur) fjalëkryqin klasik të kësaj gazete. Me ritëm dhe dashuri të njëjtë për leximin, kam vazhduar deri para pak viteve. Tani, kohët kanë ndryshuar dhe së voni leximi në telefona mobilë dhe monitorë të tjerë, që e kanë hedhur letrën në bankën rezervë, na i ka thyer parimet dhe të gjitha modelet klasike të leximit e, sidomos, komunikimit. Megjithatë, personalisht mendoj se leximi tradicional – i librit, gazetës, revistës…në letër – është një gjë jo vetëm klasike, por edhe e pazëvendësueshme.

Cila ngjyrë ju pëlqen më së shumti?

Ngjyra e kaltër.

Cila lule ju pëlqen më së shumti?

Tulipani.

Cilin virtyt tuajin e çmoni më së shumti?

Modestia dhe dhembshuria.

Cilat virtyte i çmoni te një grua?

Ndershmëria dhe maturia.

Cilat virtyte i çmoni te një burrë?

Durimi dhe përkushtimi.

Cilin politikan të kohës së Jugosllavisë e vlerësoni më shumë?

Mahmut Bakallin.

Cilin politikan të Kosovës pas vitit 1989 e vlerësoni më shumë?

Kur, gjatë shekullit të kaluar, e kishin pyetur Presidentin Rugova për arsyen pse kishte zgjedhur Fehmi Aganin si kryesues të palës sonë në negociatat me serbët, ai ishte përgjigjur shumë thjesht. U kishte thënë se Agani është sikur ai shahisti gjenial, që kur bën lëvizjen e vet, tashmë ka llogaritur jo vetëm përgjigjen e parë të kundërshtarit, por edhe katër apo pesë lëvizjet e mundshme që rivali mund t’i bëjë në vijim. Dhe, kjo e bënte strateg Fehmi Aganin e urtë! Politika kërkon mendje të hapur, qetësi, maturi, mjeshtri, guxim, strategji, vizion. Këto cilësi, dhe shumë të tjera i kishte Fehmi Agani.

Cilin politikan të Republikës së Shqipërisë në këto 25 vitet e fundit e vlerësoni më shumë?

Sali Berishën. Gjatë më shumë se një shekulli pavarësi, Shqipëria ka jetuar vetëm mes viteve 2005-2013. Dekadat tjera kanë qenë më së miri, një mbijetesë e mjerë dhe e dhunshme e më së keqi një kamp i madh i dehumanizimit totalitar. Sali Berisha, jo për të mirën e tij – sepse të udhëheqësh shqiptarët është zanati më i vështirë në botë – ka pasur fatin historik të nënshkruajë proceset më të rëndësishme të Shqipërisë gjatë një shekulli shtetësi. Hiqe një dekadë udhëheqje nga Berisha (si kryeministër), nga shekulli shqiptar dhe aty s’ka më asgjë përveç dhunë, varfëri, mjerim, dehumanizim dhe, sidomos, turp! E tërë historia e Shqipërisë, përveç pak viteve me Berishën, ka prodhuar më së shumti turp. Turp, që i përcjell ende shqiptarët. Dhe do t’i përcjellë ende, për shkak se bashkëmendimtarët e Berishës, në të gjitha anët kah jetojnë shqiptarët, e kanë humbur luftën dhe janë shtyrë në margjina.

A ka Enver Hoxha ndonjë meritë për Kosovën?

Jo, Enver Hoxha nuk ka asnjë meritë për Kosovën. E kundërta është e vërtetë: ai e ka dëmtuar Kosovën tmerrësisht shumë, qëllimshëm, pandërprerë dhe sistematikisht.

A ka Josip Broz Tito ndonjë meritë për zhvillimin politik, arsimor, ekonomik dhe kulturor të Kosovës?

Po, ai ka shumë merita për Kosovën. Krejt çfarë ka ndodhur për të mirë me Kosovën në shekullin 20, kanë ndodhur nën regjimin e Titos. Shqiptari i Kosovës, kur filloi regjimi i Titos, ishte analfabet, i shkelur mizorisht nga serbët, pa identitet publik, i varfër, i leckosur dhe i mjerë. Kur vdiq Tito, shqiptari i Kosovës kishte identitet kombëtar, kishte Kosovën si entitet politik që më vonë do të sillte pavarësinë, ishte shkolluar, ishte emancipuar, nga shtëpia e ngushtë e ftohtë, kishte kaluar në shtëpinë dhe banesën moderne, nga sharraxhiu tani ishte përfaqësues në Bankën Botërore, nga qymyrxhiu tani ishte akademik dhe shkencëtar, nga rob tani ishte pronar i vendit të vet, nga skllav tani ishte administrator i aseteve të mëdha ekonomike dhe industriale, nga i burgosur politik tani ishte profesor i shkencave politike. A ishte e qëllimshme krejt kjo ndihmë nga Tito? Në shumicën e rasteve, jo. Tito nuk kishte kohë e as vullnet për ne. Mirëpo… sikur në atë tregimin nga kampi i përqendrimit. Kur u hidhnin bukë mbi telat me gjemba, të lodhur e të uritur, të dobëtit nuk mund të afroheshin dhe të merrnin asnjë copë. Mirëpo, kur të fortët afroheshin me vrull, rrëmbenin copat e bukës, i fusnin në xhepa, donin ende më tepër dhe fillonin të klithnin dhe të kacafyteshin, atëherë i dobëti iu afrohej dhe ua merrte disa copa bukë nga xhepat. Kështu, mbijetonte. Prandaj, derisa Tito ndeshej fytafyt me serbët, klasa politike e shqiptarëve të Kosovës, nxirrnin thela të majme nga xhepat e tyre dhe e zhvillonin e konsolidonin Kosovën. Domethënë aq sa ishte meritë e Titos, që shtypte nacionalizmin e shovinizmin serb, aq ishte edhe aftësia e klasës politike kosovare për zhvillimin e Kosovës. Dhe, vetëm zhvillimi e arsimimi trason rrugën drejt lirisë e pavarësisë. Tjerat, janë përralla për net të gjata dimri.

Cili është për ju personaliteti më i urryer historik?

Enver Hoxha.

Sikur të kishit jetuar në Luftën e Dytë Botërore a do t’iu kishit bashkuar lëvizjes partizane në luftë kundër pushtimit nazist?

Duke e njohur pak historinë dhe frymën e asaj kohe, duke qenë një personalitet që nuk e pranon fjalën e (pa)urtë shqiptare «gjarpëri që nuk më ha mu’, rrnoftë 100 vjet» (gjarpëri=nazizmi/fashizmi) dhe duke e ditur se sa shumë njerëz të mirë e progresivë janë «zhytur» në lëvizje partizane, ma merr mendja se po, do t’u isha bashkuar. Sikur edhe se jam i bindur, se do të më dërgonin pastaj në ndonjë kooperativë për riedukim (sic!).

Cili është intelektuali më i madh i Kosovës?

Intelektual është ai njeri i ditur, zakonisht me titull akademik, që është yll shndritës në fushën e vet, por për ndryshim nga një ekspert i një fushe, intelektuali hyn, shumë shpesh më gjerë apo jashtë profilit të vet primar, në jetën publike, sidomos atë politike, dhe aty, më së shumti me idetë e veta, shtyn modelin e vet për të mirën e përgjithshme. Në gjuhën e popullit kjo do të tingëllonte si «ta vësh therën në këmbën e shëndoshë» dhe saktësisht kështu vepron intelektuali në rrugëtimin e tij për t’u dalluar dhe për të dalë mbi njeriun e shkolluar, profesionistin, ekspertin, shkencëtarin. Kështu bëri Ibrahim Rugova, kur e siguroi vendin që i dhashë. Dhe, jo vetëm unë!

Cili është shkrimtari më i madh shqiptar?

Pa asnjë dyshim, Ismail Kadare. Madje, po të mos shkruante dy romanet e tij, «Koncerti» dhe «Dimri i Madh» dhe poemthin «Pashallarët e kuq» që do ta turpëronte çdo mediokër, Kadare sot do të ishte edhe nobelist. Talenti i tij, thellësia, stili, pasuria shprehëse, gjenialiteti në thurjen e veprave, njohja e thellë e historisë botërore (çuditërisht: jo e historisë së popullit të tij) dhe sidomos aftësia e tij për gjetjen e temave tepër interesante e origjinale, ia kanë siguruar madhështinë si asnjë shkrimtar tjetër shqiptar. E keqja pastaj vjen nga fakti se ne shqiptarët kërkojmë nga shkrimtari të jetë edhe patriot, edhe historian, edhe politikan, edhe burrështetas, e dikur – sikur në rastin e tij – edhe baba i kombit. Eh, në këto role, terreni është shumë i rrëshqitshëm, sidomos kah jetojnë shqiptarët.

Cili është aktori/aktorja më e madhe shqiptare?

Luan Jaha dhe Gresa Pallaska kanë potencialin më të madh në kinematografinë tonë. A do të bëhen edhe më të mëdhenj se sa që janë, nuk varet nga talenti dhe puna e tyre, por nga shoqëria jonë, që duket se e kam humbur ritmin me artin në përgjithësi.

A keni marrë pjesë në ndonjë demonstratë?

Përpara luftës, si nxënës, si student dhe si qytetar i këtij vendi, kam marrë pjesë shumë herë në demonstrata e protesta kundër regjimit serb, ndërsa asnjë herë, pas vitit 1999. Nuk i dua dhe nuk i besoj demonstratës si mënyrë e si mjet për arritjen e qëllimeve politike.

A është toleranca fetare mes shqiptarëve mit apo realitet?

Me secilin kut të matjes, me çfarëdo analize, toleranca fetare mes shqiptarëve është realitet. Si dhe sa është ushqyer kjo tolerancë, cilat janë arsyet e kësaj tolerance, kush është më meritori për të, kush e minon atë, është temë e gjerë, për argumentime, për kërkime, për studime dhe debate shteruese, për të cilat shoqëria shqiptare duket nuk ka ende guxim.

Cila është ëndrra juaj më e madhe?

Fëmijët e mi të jetojnë në një Kosovë, ku ka drejtësi, arsim cilësor dhe zhvillim ekonomik. Ëndërroj që djali im të mbroj ngjyrat e Kombëtares së Kosovës në futboll. Unë do të jem aty, në këmbë dhe me dorën në zemër. Edhe nëse, në atë kohë, himni ynë ende nuk do të ketë fjalë, zemra ime do të këndojë, bashkë me Kosovën.