Kush do t’i dënojë kasapët?

Gjyqtari gjerman Christoph Flügge ka dhënë dorëheqje nga gjykata pasardhëse e Tribunalit të Hagës. Ai akuzon OKB-në për politizim të gjyqësisë dhe paralajmëron se një gjykatës e ka hapur rrugën për lirimin e Radovan Karagjiqit dhe Ratko Mlladiqit në instancën e dytë. Flügge nuk e përmend me emër gjykatësin, por aludon në francezin Jean-Claude Antonetti, i cili pasi ishte fascinuar me kriminelin serb të luftës Vojisllav Sheshel - e kishte liruar atë në instancën e parë.

Ratko Mlladiq dhe Radovan Karagjiq.



Christoph Flügge është dorëzuar. Që nga viti 2008 ai ka qenë gjyqtar në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë. Pasi kjo gjykatë përfundoi mandatin, Flügge vazhdoi të jetë gjyqtar në «International Residual Mechanism for Criminal Tribunals». Kjo gjykatë merret me përfundimin e proceseve gjyqësore në shkallën e dytë – procese këto që i ka filluar Tribunali i Hagës.

Christoph Flügge, një gjyqtar gjerman nga Berlini, u largua për shumë arsye. Së pari me aktin e dorëheqjes ai protestoi kundër arrestimit në Turqi të gjyqtarit Aydin Sefa Akay. Ky jurist turk ka punuar me vite të tëra në Tribunalin e Hagës. Gjatë qëndrimit në Turqi Akay është arrestuar nën akuzën se është mbështetës i sektit të Fethullah Gülenit, të cilin Recep Tayyip Erdoğan e bën përgjegjës për përpjekjen për grusht shteti në Turqi në korrik 2016. Autoritetet turke thanë se Akay kishte instaluar në telefonin e tij mobil një aplikacion, të cilin e përdornin edhe mbështetësit e Gülenit për të komunikuar mes vete.

OKB DORËZOHET PËRBALLË TURQISË

Flügge thotë se Turqia nuk e respektoi imunitetin e gjykatësit Akay, i cili ishte i emëruar nga OKB në Tribunalin e Hagës. Me akuza të dyshimta Akay qëndroi në burg më shumë se një vit. Më vonë ai u dënua në instancën e parë me shtatë vjet e gjysmë burg, pastaj u la i lirë, por iu ndalua të braktisë vendin. Aktgjykimi nuk është ende i plotfuqishëm. «Kur Kombet e Bashkuara në verën e vitit të kaluar duhej të vendosnin për vazhdimin e mandatit të të gjithë gjykatësve, Turqia përdori veton kundër gjykatësit Akay. Ne, gjykatësit e tjerë, menjëherë protestuam. Megjithatë, mandati i tij nuk u vazhdua nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së», thotë Flügge në një intervistë për gazetën e përjavshme gjermane «Die Zeit».

Juristi gjerman është i shqetësuar për politizimin e drejtësisë në kuadër të OKB-së dhe shkeljen e pavarësisë së gjykatësve. Me presionet e saj Turqia jo vetëm që arriti ta largojë gjykatësin Akay nga Haga. OKB madje pranoi një gjykatës tjetër turk, me propozim të qeverisë në Ankara. Flügge tha se i kishte shkruar shefit të sektorit juridik të OKB-së për «rastin Akay», por s’kishte marrë kurrë përgjigje. Flügge tha se me gjasë diplomatët e OKB-së nuk e kanë kuptuar se bëhet fjalë për një gjykatë ndërkombëtare dhe jo për unionin universal postar. «Bota diplomatike me gjasë nuk e ka idenë se çfarë vlere ka drejtësia e pavarur. Kjo është alarmante».

KËRCËNIMI I BOLTONIT

Në përgjithësi Christoph Flügge ankohet për erozionin e drejtësisë ndërkombëtare si pasojë presionit të administratës së Donald Trumpit. John Bolton, këshilltar i Trumpit për siguri nacionale, shtatorin e kaluar ia dëshiroi vdekjen Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GjPN). Kërcënimi i Boltonit erdhi pasi ishte paralajmëruar se GjPN mund të zhvillojë hetime kundër ushtarëve amerikanë për shkak të krimeve të supozuara të luftës në Afganistan. SHBA-të kanë paralajmëruar edhe hetime kundër gjykatësve që guxojnë të vënë në shënjestër shtetasit amerikanë për krime të luftës. «Kërcënimi amerikan kundër gjykatësve ndërkombëtarë përshkruan shumë qartë ndryshimin e klimës politike. Kjo është e frikshme».

Flügge është shprehur skeptik sa i përket cilësisë së disa gjykatësve në Hagë. Gjykatësit i zgjedh Asamblea e Përgjithshme e OKB-së pas propozimeve të shteteve anëtare. Biografitë e gjykatësve tingëllojnë bukur, sipas Flügge, por askush nuk e di nëse një gjykatës i propozuar dhe pastaj i zgjedhur vërtet ka përvojë pune. Te disa, thotë Flügge, vërtet shtrohet pyetja se si kanë arritur të bëhen gjykatës. Mes tyre, sipas juristit gjerman, ka njerëz me ego të madhe, të cilët mund të gërryejnë nga brenda gjykatën.

ROLI I NJË GJYKATËSI FRANCEZ

Në pyetjen e gazetës se a mendon këtu për gjykatësin francez Jean-Claude Antonetti, Flügge tha se nuk përmend emra, por megjithatë e bëri të qartë se e kishte fjalën pikërisht për gjykatësin parisien, i cili ka qenë këshilltar juridik i presidentit Jacques Chirac dhe më vonë, si gjykatës në Hagë dhe anëtar i trupit gjykues kundër Vojislav Sheshelit, Antonetti krijoi një simpati të dukshme për ultranacionalistin serb. Antonetti dhe një gjykatës tjetër e shpallën Sheshelin të pafajshëm në instancën e parë. Sheshel u kthye në Serbi si triumfator. Në instancën e dytë ai u dënua me 10 vjet burg, por nuk qe i detyruar të kthehet në Hagë për të vuajtur dënimin për shkak se kishte kaluar mjaft kohë në paraburgim.

Shesheli u dënua në shkallën e dytë nga Theodor Meroni, një gjykatës amerikano-izraelit. Antonetti me sa duket është zemëruar për dënimin e Sheshelit dhe i është hakmarrë menjëherë kolegut të tij Theodor Meron, duke pranuar kërkesën e mbrojtësve të Ratko Mlladiqit dhe Radovan Karagjiqit që Meron të përjashtohet nga trupi gjykues i instancës së dytë. Arsyeja? Mbrojtësit e dy kriminelëve serbë të luftës thanë se Meron dhe kolegët e tij kanë qenë të përfshirë në procese të tjera gjyqësore ku është bërë fjalë për veprat e Karagjiqit dhe Mlladiqit, andaj ata nuk mund të jenë të paanshëm. Dhe Antonetti e pranoi këtë arsyetim absurd.

TRE GJYKATËS NGA AFRIKA

Flügge e akuzon Antonettin (pa ia përmendur emrin) për mosnjohje të juridiksionit dhe për injorancë. Rrjedhimisht, juristi gjerman është i shqetësuar se pas përjashtimit të gykatësve me përvojë nga instanca e dytë, Karagjiq e Mlladiq mund të lirohen. Në vend të gjykatësve me përvojë si Theodor Meron, Carmel Agiusa dhe Daqun Liua, tani për kasapët e Ballkanit do të vendosin tre gjykatës nga Afrika, të cilët nuk kanë pothuaj asnjë njohuri për historinë e konflikteve në Ballkan në vitet ’90 dhe gjyqësisë ndërkombëtare i janë bashkuar tek viteve të fundit. Flügge akuzoi Serbinë për dëmtimin e të drejtës ndërkombëtare, duke u bërë ndere të dënuarve për krime lufte dhe duke i ftuar të japin mësim në Akademinë Ushtarake në Beograd. Flügge ka qenë anëtar i trupit gjykues, i cili e dënoi Ratko Mlladiqin me burgim të përjetshëm për gjencodin në Srebrenicë dhe krime të tjera kudo në Bosnjë.