Kusari Lila tregon se pse 30 studentë gjakovarë po protestojnë kundër saj

Sonte në emisionin «Puls» të KTV-së ka folur kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila për menaxhimin e Komunës, kërcënimin ndaj saj, përplasjen me Ministren Hykmete Bajrami dhe qëndrimin e saj në AKR.




Ajo ka thënë se urdhrin për atentat ndaj saj e kanë dhënë njerëz nga Gjakova, ndërsa ka theksuar se «ekzekutorët janë dy shqiptarë nga Shqipëria».

«I arrestuari në Kosovë, që është punëtor në një Bashkësi Lokale të Gjakovës, dyshohet se është njëri nga ta. Këto informata i kam nga Policia», ka thënë ajo, raporton Koha.net.

Kusari Lila ka theksuar më tej në «Puls» se në Komunën e Gjakovës janë 10 zyrtarë komunalë që janë nën hetime, që do të thotë se «janë me aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare», ndërsa ka shtuar se ka pasur shumë probleme me kompensim të pronave.

Mimoza Kusari Lila iu është kundërpërgjigjur edhe studentëve që po protestojnë kundër saj për t’u bërë anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës.

«Ata janë 30 studentë që përkrahen nga tre profesorë që dyshohet se nuk kanë thirrje akademike dhe japin mësim. Këta tash me gjithë këta studentë tentojnë që të pengojnë punën në Universitetin e Gjakovës, bile edhe zgjedhjen e rektorit kanë tentuar ta bëjnë duke i bllokuar dyert», ka thënë Kusari Lila.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës ka folur edhe për projektet që i ka realizuar nga koha kur ka marr drejtimin e Gjakovës. «Unë kur kam ardhur në krye të Komunës se Gjakovës rreth 40% të rrugëve të fshatrave dhe 30% të rrugëve të qyteteve ishin të paasfaltuara. Prej ardhjes sime janë asfaltuar rreth 15% të rrugëve të mbetura të paasfaltuara si në qytet ashtu edhe në fshatra», ka theksuar ajo.

Ajo foli edhe për përplasjen që ka pasur me ministren e MTI-së, Hykmete Bajrami, Kusari Lila tha se nuk dëshiron t’i komentojë deklaratat publike të ministres Bajrami. «Ajo ka dhënë deklarata shumë të rënda, por nuk dua të merrem me të», tha ajo.

Ndërsa në pyetjen se a do to vazhdojë të qëndrojë në AKR, e para e Komunës së Gjakovës tha: «Nëse nuk ka reforma në AKR, nuk kemi çka kërkojmë aty. Duhet të ketë ndryshime në krye të partisë dhe të hapet partia për njerëz të rinj».

Kusari Lila tha se gjatë këtyre dy viteve të menaxhimit të komunës, «rreth 200 persona janë punësuar në sektorin privat në Komunën e Gjakovës».