Kusari-Lila tregon arsyen për mos hapjen e fabrikës së kërpudhave në Gjakovë

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, mbrëmë në emisionin «Ekonomia me Erëzën», ka folur lidhur me mos realizimin e premtimit për hapjen e fabrikës së kërpudhave në këtë komunë.




Ka thënë se fabrika ka mundur të ndërtohej, por është bërë problem politik fakti që njëri prej asamblistëve ka rastisur të jetë babai i menaxherit i projektit . Sipas, saj ka pasur shumë akuza nga opozitarët lokal.

«Në fakt, fabrika për prodhimin e kërpudhave është tokë e cila është ofruar në shfrytëzim me kërkesë të njëjtë siç u bë edhe nëpër vendet e tjera dhe është miratuar në asamble. Është bërë një problem politik për shkak se njëri prej asambleistëve ka qëlluar të jetë prindi i menaxherit të projektit për fabrikë. Lënda është shikuar dhe dërguar në KRRPP, e cila ka thënë se është shkelje dhe është kundërvajtje», ka thënë Kusari-Lila.

Gjithashtu ajo ka shtuar se Gjakova ka paguar shumë problematizimin kaq të madh të një detaji të vogël.

«Aq shumë është ngritur zhurmë për këtë dhe pastaj u vendos që ky investim të mos realizohet në Gjakovë», shtoi Kusari.