Kurti mban ligjëratë për Kosovën në Norvegji

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se Albin Kurti ka mbajtur një ligjëratë për Kosovën në Universitetin Buskerud dhe Vestfold në Drammen të Norvegjisë.




Programi kishte të bënte me të drejtat e njeriut, të kuptuarit multikulturor dhe menaxhimin e konflikteve, transmeton Koha.net. Kurti fillimisht ua shpjegoi një histori të shkurtër të Kosovës nën Jugosllavi e Serbi deri te implodimi i Jugosllavisë dhe çlirimi nga Serbia, kurse më pas e sqaroi edhe situatën e pasluftës në Kosovë, transmeton Koha.net.

Ai ishte kritik edhe ndaj misioneve ndërkombëtare në Kosovë, të cilët sipas tij, objektivin e vetëm e kanë «ruajtjen e paqes», pa një interesim dhe plan konkret për drejtësi, demokraci dhe zhvillim në Kosovë.

«Protektorati ndërkombëtar në Kosovë po vazhdon, vetëm se akterët kanë ndryshuar nga UNIMIK-u në EULEX, nga OKB-ja në BE», ka thënë Kurti.

Gjatë qëndrimit në Norvegji, ai mbajti një tubim edhe me bashkatdhetarët shqiptarë ku foli për situatën aktuale politike në Kosovë dhe programin e Lëvizjes Vetëvendosje për mërgatën.